Adem Lala, ish-kryetar bashkie i Hasit, është gjetur fajtor për “shpërdorim detyre” nga Gjykata e Posaçme dhe është u dënuar me 8 muaj burg, të cilat janë pezulluar për një periudhë prove prej 1 viti e 4 muajsh.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka gjetur fajtor ish-krye bashkiakun e Hasit Adem Lala për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Lala dhe një punonjëse e bashkisë akuzoheshin në lidhje me privatizimin e një godine publike në bashkinë e Hasit.
Hetimet ndaj Lalës filluan fillimisht në Kukës dhe më pas u transferuan në SPAK në qershor të vitit që shkoi. Pas disa seancash Gjykata e Posaçme e ka gjetur fajtorë Lalën për akuzat e ngritur dhe e ka dënuar atë me 1 vit burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi është ulur në 8 muaj dhe gjykata ka vendosur pezullimin e tij me një periudhë prove prej 1 viti e 4 muajsh. Po ashtu gjykata vendosi të përjashtojë Lalën nga funksionet publike për 5 vjet.
Lauren Thomollari, avokat i Lalës në këtë çështje, i tha BIRN në një bisedë telefonike se ata po prisnin vendimin e zbardhur dhe do të apelonin çështjen.
Lala është ndër të parët funksionarë lokalë që dënohet nga Gjykata e Posaçme. Një sërë akuzash dhe padish kryesisht ndaj ish kryetarëve të bashkive të vogla në vend po hetohen nga SPAK.