Investigim25 Nov 2020

Kakofonia e ekspertizave mban pezull të dëmtuarit nga tërmeti në Durrës

Një vit pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, banorët e dhjetëra pallateve të dëmtuara rëndë  kundërshtojnë akt-ekspertimet e realizuara nga Instituti i Ndërtimit si kontradiktore dhe të pasakta.

Autor: Geri Emiri BIRN Durrës
Printo

Muret e apartamenteve të shkëputura pas tërmetit të nëntorit në pallatin në lagjen numër 18 në Durrës : Foto: Geri Emiri.

Ardit Dulemata i ka ende të freskëta kujtimet e mëngjesit të 26 nëntorit 2019, gati një vit nga tërmeti shkatërrimtar që shkundi nga themelet rajonin e Shqipërisë qendrore. Ai e ka të vështirë të harrojë, pasi pallati ku jeton – i cili ndodhet pranë Fushës së Rërës në Durrës, është njësoj i shkatërruar si ditën pas tërmetit.

“Pashë pamje nga më rrënqethëset, sepse kishte banorë që po dilnin nga rrënojat apo nga ata që po dilnin nga vrimat e mureve, se ishin bllokuar dyert ngaqë nuk kishin kafaz betoni,” kujton Dulemata, i cili jeton së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e vegjël.

Shkallët e pallatit ishin shkëputur dhe në errësirën e shkaktuar nga ndërprerja e energjisë elektrike, zbritja u bë edhe më e vështirë.

“U hodhëm tek apartamenti i komshiut, sepse i kishin rënë muret e kuzhinës,” tha 32-vjeçari. “Fatmirësisht, se ndryshe nuk do kishim nga të zbrisnim, sepse ishin shembur shkallët e pallatit,” shtoi ai.

Pallati i Arditit, i ndërtuar nga kompania ‘Desla’ është vlerësuara nga ekspertët me shkallë dëmtimi DS4. Megjithatë, fati i ndërtesës që ndodhet në lagjen 18 të Durrësit mbetet i paqartë, pasi autoritet nuk kanë vendosur ende nëse ajo do të shembet apo mund të riparohet, duke i mbajtur jetët e banorëve pezull.

Të dhëna e siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtë informimi tregojnë se në Durrës numërohen 397 pallate të ndërtuara pas viteve ‘90 të dëmtuara nga tërmeti, nga të cilat 33 janë vlerësuar me shkallë dëmi të rëndë DS4 dhe DS5, të cilat mund të shemben ose të riparohen.

Edhe pse ka kaluar një vit nga tërmeti shkatërrimtar, autoritet nuk kanë marrë ende një vendim për të ardhmen e këtyre ndërtesave, për shkak se mungojnë akt-ekspertimet e thelluara apo të ekspertimeve kontradiktore të Institutit të Ndërtimit dhe ekspertë te tjerë, si dhe kontestimeve nga ana e banorëve.

Kompania ndërtuese “Desla” shpk nuk iu përgjigj një kërkese për koment  të BIRN për qëndrimin e saj ndaj pretendimeve të banorëve të pallatit, të cilët akuzojnë cilësinë e punimeve për dëmtimet.

Kakofoni ekspertësh

Muret e ashensorit të shkëputura pas tërmetit të nëntorit në pallatin në lagjen numër 18 në Durrës | Foto : Geri Emiri

Tërmeti shkatërrimtar që goditi Shqipërinë e Mesme me 26 nëntor u mori jetën 51 viktimave dhe plagosi qindra të tjerë. Vala shkatërrimtare e goditjes u ndje në mënyrë të veçantë në Durrës, ku qindra ndërtesa u dëmtuan dhe u shpallën të pabanueshme, duke lënë pa strehë disa mijëra banorë.

Në pallatin ku banon Ardit Dulemata numërohen gati 104 apartamente dhe godina është e ndarë në 2 hyrje. Pallati 11-katësh përfundoi së ndërtuari në vitin 2016 dhe një pjesë e mirë e banorëve nuk ia kishin ndjerë ende ngrohtësinë shtëpive të tyre.

“Unë nuk kisha mbushur 1 vit që e bleva apartamentin,” thotë Olgert Çelbeqiri, një tjetër banor i pallatit, duke theksuar se ende nuk e ka shlyer huanë për blerjen e apartamentit.

“Kompania e ka shitur me 500 euro metrin katror dhe mua më ka kushtuar 52 mijë euro,” tha ai, ndërsa shtoi se ‘shtëpia do edhe mobilim shtesë.”

Që nga tërmeti i 26 nëntorit, për dëmet e shkaktuara në këtë pallat janë realizuar disa akt-ekspertime vizuale. Akt-ekspertiza e parë është realizuar dy ditë pas tërmetit dhe është hartuar nga një grup inxhinierësh dhe profesorësh nga Universiteti i Tiranës dhe ai i Prishtinës. Në këtë vlerësim, godina u shpall e pabanueshme dhe u klasifikua me shkallën e dëmit 4 nga 5 nivele.

Ardit Dulemata kujton se grupi i parë shkoi në mbrëmje për të kryer ekspertimin, kur në lagje mbizotëronte errësira.

“Hynë deri në katin e parë. Për 10 minuta dolën dhe thanë që ka vetëm dëme në muraturë,” kujton Arditi, ndërsa thekson se inxhinierët ‘ishin me drita celulari dhe çakmaku.” “Kjo ishte akt-ekspertiza e parë e hartuar nga Instituti i Ndërtimit,” thotë ai me mosbesim.

Akt-ekspertiza e dytë, e cila u hartuar nga Instituti i Ndërtimit më 1 dhjetor 2019 gjeti dëme të mëdha në muraturë, dëmtime në shkallë, por jo dëme në strukturë.

Vetëm pas një akt-ekspertize të tretë, të realizuar nga Instituti i Ndërtimit në fillim të vitit 2020, godina u klasifikua me shkallën e dëmit “DS4”- me dëmtime të rënda kryesisht në shembje muresh dhe rënie të rampave të shkallëve.

Ardit Dulemata shpjegon se pallati i tij u inspektua edhe nga dy grupe inxhinierësh francezë, që në ato muaj kontribuuan edhe në godina të tjera shumëkatëshe.

“Grupi i jashtëm tha se ballkonet janë të tepërta dhe e rëndojnë pallatin,” shpjegoi Dulemata, i cili shtoi se “ata dyshonin për xhep, hapësirë boshe nëntokë nga ana veriore e pallatit.”

Dulemata tregon se shkallët jashtë strukturës së pallatit ishin shembur tre herë përpara tërmetit, por i kishin riparuar.

“Kjo ndodhte sepse pallati zhytej dhe thyheshin shkallët,” shtoi ai, ndërsa theksoi se inxhinierët francezë konstatuan edhe fenomenin e animit të pallatit.

Ndërtesa jashtë aksit

Ardit Dulemata në të majtë dhe Olgert Çelbeqiri në të djathtë, banorë në pallatin e kompanisë ndërtuese “Desla” sh.p.k. Foto Geri Emiri

Aktet e ekspertimit të Institutit të Ndërtimit nuk evidentuan fenomenin e animit (inklinimit) të godinës 12 katëshe, por banorët mosbesues pajtuan një topograf privat, i cili përmes matjeve me lazer konstatoi se në drejtimin perëndim-lindje, pallati ishte anuar 20 centimetra dhe në drejtimin veri-jug ishte spostuar 15 centimetra nga aksi.

“Pra, pallati ka inklinim të verifikuar me topograf dhe pallati ka ndrydhje, sepse dy pjesët janë përplasur me njëra-tjetrën. Nuk është më fjala për inklinim uniform, por për përplasje të dy pjesëve të pallatit në drejtim kundër njëra-tjetrës,” tha Dulemata.

Sipas tij, inxhinierët francezë evidentuan një sërë problemesh që lidhen me cilësinë e ndërtimit, duke nisur nga lidhja e bodrumit me murin (kafazin) e shkallëve, që njihet si diafragma apo bërthama e pallatit, e cila ishte prej betoni në bodrum, por nuk vazhdonte më lart, duke u ndërprerë tek kati zero.

“Kafazi i ashensorit nuk është derdhur në beton, siç është në projekt. Është vetëm tullë dhe nuk ka asnjë lidhje,” tha Arditi.

“Shkallët nuk janë lidhur me strukturën, kapen vetëm në soletë”, shpjegoi ai, ndërsa qëndronte mbi një pirg tullash që janë zhveshur nga të katërta anët nga ajo që përbënte kullën në të cilën lëvizte ashensori.

BIRN siguroi gjithashtu një akt-ekspertizë të katërt të thelluar për pallatin, realizuar për llogari të Institutit të Ndërtimit. Raporti mban në çdo faqe vulën e Institutit dhe është hartuar në korrik 2020 nga dy inxhinierët e kontraktuar, Dhimitri Papa dhe Kristaq Kali.

Raporti që analizon gjendjen e strukturës evidenton se si në shumicën e pallateve në qytetin e Durrësit, muret nuk kanë breza përforcues betoni që të rrisin rezistencën përballë lëkundjeve sizmike.

Kali dhe Papa nuk gjetën çedime [anim] në bazamentin e pallatit. Ata nuk përmendin gjithashtu inklinimin (animin) e godinës, por theksojnë se pallati në gjendjen aktuale – me spostimet dhe deformimet, rezulton mbi normat e lejuara me EuroKodin numër 8. Akti i vlerësimit, i përpiluar nga Kali dhe Papa rekomandon që të përforcohet struktura e godinës dhe të rikonstruktohet konform një projekti.

“Themeli mbështetet në shtresë të përshtatshme gjeologjike, referuar studimit gjeologjik,” shkruan akt-ekspertiza e thelluar, e përgatitur nga inxhinierët Papa dhe Kali.

“Përfundimisht, mund të konkludojmë se kjo ndërtesë në gjendjen ekzistuese i plotëson kushtet e sigurisë dhe qëndrueshmërisë për ngarkesa statike, po nuk i plotëson ato për ngarkesa dinamike sizmike,” përfundon ekspertimi.

Ndryshe nga sa vlerësojnë dy inxhinierët, studimi gjeologjik-inxhinierik i ndërtesës i përgatitur përpara ndërtimit të pallatit në vitin 2010 – një kopje e të cilit është siguruar nga BIRN,  del në përfundimin se “sheshi i ndërtimit ndodhet në kushte gjeologjiko-inxhinierike relativisht të dobëta.”

I pyetur nga BIRN mbi raportin e inxhinierëve Kali dhe Papa, Instituti i Ndërtimit mohoi të kishte ndonjë rol, edhe pse çdo faqe mban vulën e këtij institucioni.

“Për objektin 10-katësh me 1 kat nëntokë të ndërtuar nga kompania Desla, nga ana e inxhinierëve të Institutit të Ndërtimit nuk është kryer akt ekspertizë për këtë objekt si dhe as oponencë teknike,” tha Instituti në një përgjigje me shkrim.

Në një kërkesë drejtuar Institutit të Ndërtimit, 39 banorë të pallatit kërkojnë vlerësim të  thelluar të gjendjes së godinës, por që prej 1 qershorit banorët mbeten pa përgjigje.

“Të gjithë inxhinierët që kanë ardhur na kanë thënë të njëjtën gjë, që ky është pallati më i dëmtuar në Durrës dhe e dyta që ky si pallat duhet të shembet,” tha prerazi Ardit Dulemata, i cili shtoi se banorët janë të shqetësuar se pse po vonohet kaq shumë vendimi.

“Duket sikur po tentojnë të na vendosin në rrezik jetën për herë të dytë,” përfundon ai.

Banorët nuk binden nga raportet

Çorapja e një fëmijë mbetur në rrënojat e apartamenteve të pallatit në lagjen numër 18 në Durrës. Foto Geri Emiri

Vjollca Dervishit i mbushen sytë me lot teksa rrëfen vuajtjet e familjes së saj për të blerë  apartamentin në lagjen numër 5 në Durrës. Gruaja e mbledhur sa një grusht kujton sakrificat e të birit në emigrim.

“Djali më ka ikur 15 vjeç në emigrim dhe falë motrave të mia atje, i bënë dokumentet,” kujton ajo.

Vjollca thotë se i biri ka punuar në një firmë në Itali dhe “hante, pinte dhe flinte atje”.

“Për Vitin e Ri një ditë e shihja, më 1 janar ikte përsëri në punë,” kujton ajo.  “Një dritë syri e kam parë dy herë në vit nga dy ditë,” shtoi ajo.

Pallati 11-katësh ku Vjollca bleu apartamentin është përkulur dhe banorët enden dyerve të institucioneve, duke kundërshtuar sugjerimet e specialistëve për përforcimin e strukturës.

“Në shtëpinë time tani nuk mund të rrish më në nivel, për çdo lëvizje duhet të kesh parasysh pjerrësinë,” thotë Jani Kollçinaku, një tjetër banor i pallatit.

Kollçinaku e bleu apartamentin pesë vite më parë për 60 mijë euro, gjithashtu me para emigrimi. Ai ka jetuar dhe punuar në Greqi për vite me radhë së bashku me bashkëshorten.

Ai këmbëngul se gjatë tërmetit ai pa me sy sesi ‘godina u rrotullua’ dhe sot pretendon që edhe një ekspert i Prokurorisë së Durrësit evidentoi fenomenin e “spërdredhjes” në katin e gjashtë ku banonte Jani.

Një raport i përgatitur nga një topograf privat  arrin në përfundimin se pallati deri fillim të këtij viti ishte përkulur në disa drejtime. Sipas raportit, në drejtimin veri-lindje godina ishte spostuar nga aksi me 41 centimetra.

“Në bazë të Euro Kodeve dhe Japonisë – që është e para në botë për problematikën e tërmetit, lejohet 1 centimetër për kat inklinimi dhe ky pallat në 11 kate nga trotuari duhej të ishte 11 centimetër i ikur,” thotë Jani.

“Prokuroria e nxori 52 centrimetra,” shtoi ai.  “Atëherë cili Euro Kod e përmban këtë, përse duan të na fusin këta këtu brenda?” pyet i revoltuar ai.

Akt-konstatimet e përgatitura nga Instituti i Ndërtimit e klasifikuan godinën të dëmtuar në nivelin “DS2”, i njohur si “dëm i mesëm”. Vendimi është kundërshtuar nga banorët përmes shkresave drejtuar disa ambasadave, kryeministrisë, bashkisë dhe në mbi 20 dalje mediatike.

Në akt-ekspertizën e thelluar që BIRN mori nga Instituti i Ndërtimit, në pallat evidentohen dëme të lehta në muraturë dhe animi i tij. Raporti mbyllet me 3 sugjerime për zgjidhjen e dëmeve, duke theksuar nevojën për forcimin e strukturës, pasi aktualisht nuk i përgjigjet nevojave sizmike. Sipas përllogaritjeve të kostos, riparimi arrin 46% të vlerës së ndërtimit.

Jani Kollçinaku ankohet se Instituti i Ndërtimit ka studiuar letrat e akt-ekspertimeve të mëparshme për inklinimin e pallatit dhe në bazë të tyre kanë nxjerrë koston e riparimit, 20.700 lekë për metër katror.

“Pa ardhur të bëjnë studim gjeologjik, matje topografike, skanim të ndërtesës, as matje sizmike të ndërtesës se sa mund të durojë nga sot e më pas,” thotë ai.

Përfaqësuesja e shoqërisë civile, Bajana Çeveli mbështet shqetësimet e banorëve dhe thekson se në Durrës ka raste të ngjashme. Ajo nënvizoi se pasur akt-ekspertiza që në fillesat e para kanë qenë DS1, më vonë janë kthyer në DS3 dhe pse jo, DS4.

“Faktikisht edhe protestat e fundit të qytetarëve kanë qenë për prishje pallatesh dhe mosprishje pallatesh,”tha Çeveli, e cila është drejtoreshë ekzekutive e organizatës Gratë, Paqja dhe Siguria.

“Kjo do të thotë se akt-ekspertiza duhej të ishte shumë profesionale, për të bindur qytetarin dhe për të krijuar besimin, duke dhënë mundësinë për të hyrë ose jo në pallat,” përfundoi ajo.