Mijëra fëmijë të antifashistëve, serbëve dhe romëve u internuan nëpër kampe speciale nga regjimi ustash kroat pro-nazist i kohës së Luftës së Dytë Botërore, por të djathtët nacionaliste janë përpjekur vazhdimisht ta rishkruajnë këtë histori tragjike.
Nën urën me tulla të kuqe në qytetin e Sisakut, rreth 50 kilometra larg kryeqytetit kroat Zagreb, ka një statujë të pazakontë.
Ajo përshkruan shtatë fëmijë të vegjël në këmbë ose përreth një shkëmbi në një pishinë tashmë me ujë të tharë. Asgjë në lidhje me të nuk tregon qëllimin e këtij monumenti.
Teksa ecim përreth tij, prindërit e fëmijëve që luajnë në një shesh lojërash aty pranë, na shikojnë me një përzierje dyshimesh dhe kurioziteti, pa dyshim duke pyetur veten se pse po e shikojnë disa të panjohur këtë statujë të shkatërruar.
Por edhe pse nuk ka asnjë shënim, statuja është në të vërtetë një monument që përkujton një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e këtij ish-qyteti industrial: një kamp famëkeq përqendrimi për fëmijët gjatë kohë së Dytë Botërore.
“Krijuesja e monumentit, Gabrijela Kolar, i njihte personalisht fëmijët që janë portretizuar në të,” tha për BIRN Sanja Horvatinciç nga Instituti i Historisë së Artit në Zagreb.
“Djali i ulur, Milani, u shpëtua nga kampi nga prindërit e Kolarit dhe për fat të mirë i mbijetoi luftës,” shtoi ajo. “Vepra, e titulluar “Lojëra të Pambaruara”, është një monument unik. Zona e ish-kampit është shndërruar në një park publik me një kënd lojërash për fëmijë. Një koncept i tillë ishte i qëllimshëm dhe synonte të ngushëllonte dhe të jepte shpresë për të mbijetuarit e luftës dhe vizitorët që përballen me historinë brutale të këtij vendi.”
Pesëdhjetë e pesë vjet pasi u ndërtua, monumenti nuk mund të thuhet se po jep shpresë.
Mënyra se si ai është shkatërruar nga vandalët dhe fakti që historia e fëmijëve që përshkruhet në të mbetet e fshehur për kalimtarët shërben si një ilustrim i përshtatshëm i qëndrimeve aktuale ndaj kujtimit të kampeve të fëmijëve kroatë nga Lufta e Dytë Botërore.
Që nga shpërbërja e dhunshme e ish-Jugosllavisë, përpjekjet për të interpretuar përsëri historinë e Luftës së Dytë Botërore të rajonit janë rritur. Një revizionizëm i tillë shpesh përfshin përpjekje për të mohuar viktimat ose krimet. Vitet e fundit në Kroaci, kjo ka ndodhur edhe me kampet e përqendrimit të fëmijëve, dhe përpjekjet e revizionistëve për t’i fshirë ata nga kujtesa historike kanë hedhur hije mbi aftësinë e vendit për t’u përballur me të kaluarën e tij tragjike.
Vlerësohet se dhjetëra mijëra fëmijë u internuan në kampe të ndryshme në Kroaci gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndonjëherë me nënat e tyre, ndonjëherë vetëm.
Kampet drejtoheshin kryesisht nga lëvizja fashiste kroate ustashe, ndërsa njëri prej tyre (Lobori) ishte nën kontrollin e anëtarëve lokalë gjermanë të partisë naziste.
Të internuarit ishin kryesisht serbë, hebrenj, romë ose antifashistë nga Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina.
Ende ka gjurmë të kampit të dikurshëm në qytetin e Sisakut. Në anën tjetër të rrugës nga vendi ku ndodhet monumenti i fëmijëve, ndërtesa kryesore e kampit qëndron ende dhe tani aty ndodhen një kinema dhe një teatër. Në mënyrë të çuditshme, ndërtesa sot mban emrin “Kubi i Kristaltë i Gëzimit”.
Në anën tjetër të qytetit, përtej rrugës nga varrezat, një park i vogël ka disa pllaka që s’bien aspak në sy, të cilat informojnë kalimtarët se rreth 2.000 fëmijë – viktima të kampit – janë varrosur nën këmbët e tyre. Kjo është ndoshta shenja e fundit publike e mbetur në qytet që përkujton në mënyrë eksplicite viktimat.
Sisaku nuk është i vetmi vend si ky – Jastrebarsko, një qytet i vogël rreth 80 kilometra në perëndim të Sisakut, ishte vendndodhja e një kampi tjetër famëkeq.
Kalaja e tij, ku dikur strehoheshin fëmijët e internuar, nuk ka asnjë tabelë që të tregojë se për çfarë është përdorur ajo gjatë Luftës së Dytë Botërore. E njëjta gjë mund të thuhet për një kështjellë tjetër në fshatin Gornja Rijeka, në veri të Zagrebit, dhe vende të tjera gjithashtu. Por Jastrebarsko ishte gjithashtu qendra e një polemike të rëndësishme kur u mbajt një përkujtimore e veçantë në gusht të vitit të kaluar.
Organizatorët e përkujtimores – që përfshinin kishën dhe autoritetet e Jastrebarskos, Ministrinë Kroate të Veteranëve të Luftës dhe disa shoqata të krahut të djathtë – pretenduan se ata po ruanin kujtimin e viktimave të komunizmit. Data e zgjedhur përafërsisht përkoi me ditën e përkujtimit të Bashkimit Europian për viktimat e regjimeve totalitare dhe autoritare.
Polemika shpërtheu kur u zbulua se njerëzit që ata konsideronin se ishin “viktima të komunizmit” ishin, në të vërtetë, fëmijët që fashistët kishin internuar në Jastrebarsko në vitin 1942.
Vetë kampi Jastrebarsko – që askush nuk e diskuton – u krijua në korrik 1942 me pjesëmarrjen e Kishës Katolike dhe lejen e qeverisë ustashe, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore qeverisi pjesën më të madhe të Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës së sotme në emër të mbrojtësve të saj nga Gjermania naziste dhe Italia fashiste.
Për më tepër, ata që u internuan ishin kryesisht fëmijë të anëtarëve të kapur ose të vrarë ose përkrahës të lëvizjes së rezistencës së udhëhequr nga komunistët, zakonisht serbë etnikë nga Bosnja perëndimore ose rajonet përreth të Kroacisë. Një komision i viktimave të pasluftës arriti në përfundimin se më shumë se 3.000 fëmijë u mbajtën në Jastrebarsko.
Organizatorët e përkujtimores në Jastrebarsko, megjithatë, u përpoqën të bindnin publikun se fëmijët nuk ishin vërtet internuar në një kamp, por, përkundrazi, aty ishte një jetimore ku kujdeseshin për ta.
Ata u shprehën gjithashtu se një përpjekje pjesërisht e suksesshme nga një lëvizje rezistence për t’i liruar ata në gusht 1942 ishte në të vërtetë një sulm ndaj një institucioni humanitar dhe për pasojë një tjetër në listën e gjatë të krimeve komuniste.
Rehabilitimi i ustashëve
Ustashët, një lëvizje fashiste kroate e krijuar në Itali në vitin 1929 dhe përgjegjëse për vënien në zbatim të Holokaustit, shfarosjen e romëve dhe krime të shumta kundër civilëve etnikë serbë në Luftën e Dytë Botërore në Kroaci dhe Bosnje, nuk ishte e njohur për aktivitetet e saj humanitare.
Por një grup institucionesh shtetërore dhe të kishës, si dhe historianë amatorë dhe profesionistë që morën pjesë në përkujtimoren në Jastrebarsko, nuk e lejuan veten të pengoheshin nga mosvërtetësia e historisë që ustashët do të ishin përpjekur të organizonin përkujdes për fëmijët e viktimat e tyre.
Në nëntor të vitit të kaluar, në Sisak u organizua një event akoma më i madh. Përsëri, organizatorët e saj ishin autoritetet lokale të kishës, por këtë herë pjesëmarrësit u zgjodhën më me kujdes dhe përfshinin shumë historianë të rinj, sidomos ata të punësuar në Universitetin Katolik, një institucion arsimor me seli në Zagreb dhe në pronësi të Kishës. Ky takim në Sisak u quajt një “konferencë shkencore”.
Por tema kryesore e eventit mbeti e njëjtë. Kampi i fëmijëve në Sisak u citua si provë kryesore që regjimi ustash, pavarësisht reputacionit të tij, , nuk mund të kishte qenë aq i keq sa portretizohej zakonisht, pasi ai “u kujdes” për jetimët.
Pjesëmarrësit shpërfillën dëshmitë e dhëna pas luftës për gjendjen e tmerrshme në kampe dhe faktin që disa nga menaxherët e kampeve, si është Berta Pulherija – murgesha që drejtonte kampin Jastrebarsko dhe një e afërme e ngushtë e ustashit të dytë në komandë Mile Budak – përfunduan duke u dënuar për krime lufte.
Mario Kevo, një nga historianët që mori pjesë në konferencën e Sisakut, pohoi në një intervistë për gazetën e Kishës Glas Koncila se “pas luftës ekziston një mundësi reale që njerëzit të kenë dhënë dekladata duke njollosur dhe akuzuar ustashët që të mos hynin në telashe me autoritetet e reja komuniste në Kroaci”.
Historianët si Kevo vënë një theks të veçantë në pretendimin se shumica, në mos të gjitha historitë e tmerrit nga kampe të tilla, ishin sajuar nga komunistët me qëllimin e vetëm për të diskredituar Kishën.
Jo të gjithë do të pajtoheshin me këtë – kryesisht vetë viktimat që mbijetuan.
Novosti, një gazetë e përjavshme në Zagreb për komunitetin serb në Kroaci, ka mbledhur me përpikëri dëshmitë e të mbijetuarve gjatë dy viteve të fundit dhe i ka publikuar ato si një përgjigje ndaj pretendimeve të revizionistëve rreth kampeve. Disa ish të burgosur kanë kontaktuar edhe vetë media të tjera në përpjekje për të ofruar anën e tyre të ngjarjes.
Njëri prej tyre është 80-vjeçari Bozo Judas. Historia e tij e pazakontë tërhoqi vëmendjen në fillim të këtij viti pasi një fotografe e quajtur Ana Opaliç publikoi fotografi të një fustani të kuq të veçantë, për të cilin Judas pretendon se i shpëtoi jetën ndërsa ishte internuar në kampin e fëmijëve në Sisak.
Fëmijët e keq ushqyer dhe të lënë pas dore në kamp vishnin çfarë t’u binte në dorë, kjo është arsyeja pse Judas – edhe pse djalë – kishte veshur një fustan të një vajze. Për fatin e tij, një shofer lokal autobusi dhe gruaja e tij vendosën t’u kërkonin autoriteteve të kampit të birësonin një vajzë dhe ata zgjodhën Judasin.
“Në kamp na keqtrajtonin dhe na rrihnin. Në atë kohë, ai që tani është Jubi i Gëzimit, ishte një ndërtesë e papërfunduar,” shpjegoi Judas në një dëshmi me video të filmuar nga OJQ-ja Documenta me qendër në Zagreb.
“Fëmijët ishin të pistë, të palarë dhe plot me parazitë,” shtoi ai duke shpjeguar kushtet. Kur babai im i ardhshëm birësues erdhi në kamp duke kërkuar një vajzë, unë isha afër hyrjes. Në një farë mënyre, fëmijët e ndienin se personi që vinte kishte qëllime të mira. E kapa nga këmbët dhe nuk pranoja ta lëshoja. Duke qenë se kisha veshur fustan, ai mendoi se isha vajzë dhe më mori.”
Familja birësuese së shpejti e zbuloi gabimin, por s’mund ta rikthenin fëmijën në kushtet çnjerëzore që ishin në kamp. Paradoksalisht, motra më e vogël e Judas, me të cilën u nda me forcë nga pjesa tjetër e familjes së tyre përpara se të transferoheshin së bashku në Sisak, mbeti në kamp pas birësimit të tij dhe më vonë u zhduk pa lënë asnjë gjurmë.
Judasi e ruan ende fustanin e kuq dhe ka ndërmend ta varrosin bashkë me të.
Kequshqyerje dhe sëmundje
Përveç pjesës së fustanit, historia e Judasit nuk është aspak unike, shpjegoi Milan Radanoviç, një historian që punon në arkivat e komunitetit serb në Zagreb dhe autor i tre librave mbi Luftën e Dytë Botërore në ish-Jugosllavi.
Judas i përkiste grupit të të ashtuquajturve “fëmijët e Kozarës”, të emërtuar pas një rajoni malor në Bosnjën dhe Hercegovinën e sotme që u “spastrua” nga të gjithë banorët verën e vitit 1942 nga ushtarët nazistë dhe ustashët.
“Fëmijët u internuan, zakonisht me nënat dhe motrat e vëllezërit e tyre, fillimisht në kompleksin e kampeve në Jasenovac dhe në kampet e tij dytësore, ku ata qëndruan për disa javë ose muaj nën qiell të hapur, të ekspozuar ndaj shiut dhe diellit, të rrethuar nga tela dhe roje të armatosura,” tha Radanoviç për BIRN.
Internimi i fëmijëve ishte pjesë e një strategjie për të parandaluar rezistencën nga partizanët komunistë, tha ai.
“Spastrimi i rajonit nga popullsisë konsiderohej si pjesë e një strategjie kundër partizanëve, si nga nazistët ashtu edhe nga ustashët. Ata donin të siguroheshin që fshatarët vendas nuk do të shërbenin si mbështetje për lëvizjen e rezistencës,” shpjegoi ai.
“Politikat raciste dhe shoviniste të regjimit ustash luajtën një rol kryesor në nivelet e brutalitetit të këtij internimi,” shtoi ai.
Numri i lartë i vdekjeve të grave dhe fëmijëve të internuar, si dhe lajmet për brutalitetin që ata duruan, shkaktuan shqetësime në Zagreb.
Një nga personat që u vu në lëvizje ishte Diana Budisavljeviç, një austriake e martuar me një mjek kroat, e cila iu përgjërua Kishës si edhe autoriteteve ushtarake gjermane që t’i kursenin fëmijët e Kozarës.
Në ditarin e saj, të shkruar gjatë luftës, por të botuar vetëm në vitin 2003, Budisavljeviç përshkroi përpjekjet e saj shpesh të pasuksesshme për të ofruar ndihmë humanitare për fëmijët.
Nëpërmjet lidhjeve të saj me ata që kishin mbetur nga komuniteti hebre dhe serb në Zagreb, por edhe funksionarë nazistë, ustashë dhe ndjekës të Kishës, ajo u përpoq pa frikë të organizonte shpërndarje ushqimi dhe rrobash për gratë dhe fëmijët e kequshqyer në kampet fashiste. Megjithatë, ndihma zakonisht vidhej nga autoritetet para se ndonjë prej të burgosurve të mund ta merrte atë.
Pasi shumë nga nënat e kapura në fushatat ustashe “të pacifikimit” u transferuan në Gjermani për të punuar skllave – përfshirë edhe si skllave seksi – fëmijët e tyre mbetën vetëm nëpër kampe.
“Trupat e vegjël të pajetë liheshin nëpër shkalle, u merrnin madje edhe rrobat… Të tjerët prisnin të transferoheshin, të ulur në oturakët e dhomës, të dobët dhe të mbushur me miza,” shkroi Budisavljeviç në korrik 1942. Ky përshkrim i frikshëm i një kombinimi të kequshqyerjes, infeksionit nga parazitët dhe sëmundjeve të zorrëve shkakton një tronditje të sinqertë përsa i takon kushteve në të cilat u mbajtën fëmijët.
Vërtetësia e historisë së Budisavljeviçit në përgjithësi nuk është e diskutueshme, edhe pse qartazi ofron prova kundër qeverisë ustashe dhe pretendimeve se ajo i ishte përkushtuar shpëtimit të fëmijëve.
Një episod në ditarin e saj është sidomos prekës. Kur komandanti famëkeq ustash Max Luburic arriti në kampin në Stara Gradiska, ai u zemërua aq shumë me njerëzit që përpiqeshin të lehtësonin vuajtjet e fëmijëve, saqë kërcënoi se “do t’i zhdukte ata”.
Në të njëjtën ditë, disa fëmijë u nxorën nga kampi me premtimin e ushqimit pas disa ditës urie, më pas i veshën me uniforma ustashe, i detyruan të bënin përshëndetje fashiste ndërsa filmoheshin dhe si përfundim u lanë përsëri pa ushqim.
Historitë e treguara në ditarin e Budisavljeviçit përbëjnë bazën e një filmi dokumentar të titulluar “Lista e Dianës”, që u realizua nga regjisorja e re Dana Budisavljeviç, një e afërme e largët, i cili e pati premierën e tij në korrik dhe mori disa çmime Festivalin e Filmit Pula, festivali më prestigjioz i këtij lloji në vend.
Por Diana Budisavljeviç nuk është e njohur kryesisht për përpjekjet e saj për të siguruar ushqim dhe rroba për të internuarit, as për krimet që ajo dëshmoi. Gjatë verës së vitit 1942, ajo organizoi atë që e quajti një “aksion” për të shpëtuar fëmijët nga kampet.
Duke përdorur statusin e saj si qytetare e Rajhut, ajo iu përgjërua vazhdimisht Kishës dhe autoriteteve lokale të merrnin përsipër përgjegjësinë për fëmijët e internuar. Pa qejf, ata duket se u dorëzuan, dhe kjo çoi në transferime të mëtejshme nga kampet dhe më në fund në një fushatë birësimi.
Edhe pse Budisavljeviç në ditarin e saj shpesh dëshpërohej për mungesën e vullnetit nga ana e këtyre institucioneve për të ndihmuar fëmijët, fakti që kontrolli mbi jetimët kaloi zyrtarisht nga ushtria te Kisha dhe autoritetet sociale në gusht 1942 përdoret shpesh si “provë” e mirëdashjes së Kishës, dhe herë pas here edhe e vetë regjimit ustash.
Nikica Bariç, një historian nga Instituti Kroat i Historisë në Zagreb, është sidomos i pakënaqur me rolin e spikatur që i është dhënë kohët e fundit Diana Budisavljeviçit. Ai ka pohuar, duke cituar dokumente ustashe, se është e qartë se puna e saj për të shpëtuar fëmijët nuk do të kishte qenë e mundur pa pjesëmarrjen e konsiderueshme të vetë ustashëve.
“Nëse disa gazetarë, komentues dhe politikanë mendojnë se Diana Budisavljeviç, fshehurazi dhe kundër vullnetit të shtetit, shpëtoi 12,000 fëmijë serbë, kjo nuk ka kuptim. Nuk janë 12 kuti shkrepësesh që mund “të fshihen” nga ustashët,” u shpreh Bariç në një intervistë me të përjavshmen e djathtë Hrvatski tjednik në vitin 2017.
“Ka shumë dokumente që tregojnë se si qeveria ustashe mori pjesë në shpëtimin e fëmijëve,” shtoi ai.
Sidoqoftë, duhet një imagjinatë e madhe për ta quajtur gjest mirësie internimin e fëmijëve pas vrasjes së prindërve të tyre civilë për shkak të përkatësisë së tyre etnike. Por kjo nuk duket se i pengon disa njerëz ta quajnë të tillë këtë gjë.
Ndryshimi i identitetit të fëmijëve
Për shumë nga fëmijët e internuar, kampet nuk ishin destinacioni i tyre i fundit, pasi jepenin shpesh për birësim. Si rregull, kjo nënkuptonte ndryshimin e identitetit dhe të prejardhjes së tyre.
Natasa Matausiç, një historiane që punon në kompleksin përkujtimor të kampit të Jasenovacit, e cila aktualisht po shkruan një doktoraturë mbi Diana Budisavljeviçin, foli për BIRN për këtë plan birësimi.
“Fëmijët mund t’i birësonin vetëm katolikët dhe ata duhet të rriteshin si katolikë, edhe pse të gjithë e dinin shumë mirë që fëmijët ishin me origjinë ortodokse. Gjithashtu, njerëzit “e dyshimtë” politikisht, ata që dyshoheshin për kontakte me Rezistencën, nuk mund të birësonin,” tha Matausiç.
Shumica e mosmarrëveshjeve midis historianëve në vitet e fundit kanë të bëjnë me çështjen se kujt duhet t’i jepet merita për shpëtimin e jetës së fëmijëve. Kjo u bë kryesisht nëpërmjet asaj që u quajt “kolonizim” – birësim nga familjet kroate. Ajo ndodhi nëpërmjet nismës së njerëzve si Budisavljeviç, por edhe me pranimin pa dëshirë të regjimit fashist.
“Vjedhja” e fëmijëve të prindërve antifashistë të burgosur ose të ekzekutuar ishte një praktikë e vendosur nën regjimet e tjera fashiste, veçanërisht ato në Spanjën e Gjeneralit Franko (1939-1975) dhe në Argjentinë, kur kjo e fundit qeverisej nga një juntë ushtarake (1976-1983). Në ato vende, vjedhja e foshnjave mbetet një çështje e rëndësishme dhe një burim i një traume të madhe edhe sot e kësaj dite.
Vitin e kaluar, pas vitesh të tëra përpjekjes nga familjet dhe viktimat, u dënua personi i parë për vjedhjen e motivuar ideologjikisht të foshnjave në Spanjë, ku fëmijët e antifashistëve të vrarë ose të burgosur u dhanë për birësim për familjet që mbështesnin Frankon.
Pritet që rreth 2,000 raste të vjedhjeve të motivuara ideologjikisht të fëmijëve të gjykohen në Spanjë. Por një OJQ spanjolle, “SOS Bebes Robados”, vlerëson se janë vjedhur deri në 300,000 foshnja. Në Argjentinë, një shoqatë e quajtur “Gjyshet e Plaza de Mayo” është përpjekur të identifikojë dhe rikthejë fëmijët e armiqve politikë të juntës ushtarake gjatë 32 viteve të fundit. Ajo ka arritur të gjurmojë vetëm disa qindra nga rreth 30,000 të tillë.
Disa nga pasardhësit e “armiqve” – armiq politikë të juntës ushtarake argjentinase – janë kthyer në familjet e tyre pas testeve gjenetike. Kujdestaria e përbashkët nga të dy familjet u ra dakord për disa raste të tjera. Në të gjitha rastet, trauma e identiteteve konfliktuale është e vështirë të imagjinohet.
Megjithatë, ky nuk ishte rasti i Bozo Judasit. Ai ishte i vetëdijshëm për familjen e tij të vërtetë, por ishte plotësisht i lumtur me adoptuesin e tij dhe nuk ndihet i lidhur emocionalisht me të afërmit e tij biologjikë.
Identiteti i tij kombëtar? Ai e identifikon veten si një kroat, por kur ishte fëmijë nuk e ka menduar gjatë këtë gjë. As të tjerët në periudhën e pas luftës në Jugosllavi, tha ai.
“Në familjen time birësuese, askush nuk fliste kurrë për identitete etnike. Ndryshimi i vetëm ishte midis Krishtlindjes katolike dhe asaj ortodokse,” shpjegoi ai.
“Disa më kanë pyetur se si ka mundësi që e identifikoj veten si kroat, edhe pse prindërit e mi biologjikë ishin pothuajse me siguri serbë. Është shumë e thjeshtë: pa babanë tim birësues kroat, sot nuk do të isha gjallë,” tha ai.
Kjo nuk është një histori universale, tha Matausiç: “Mund t’i vini re dallimet. Disa fëmijë këmbëngulën dhe i kërkuan prindërit e tyre, ndërsa të tjerë refuzuan të ktheheshin te prindërit e tyre biologjikë edhe pais i gjetën ata. Pati gjithashtu edhe çështje gjyqësore në lidhje me kujdestarinë e fëmijëve.”
Por shumica e fëmijëve, për fatin e të cilëve Matausiç bëri shumë hulumtime – ata që përfunduan në Zagreb – nuk zbuluan kurrë se ishin të birësuar, beson ajo.
Në lidhje me kampet e fëmijëve gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, historiani Milan Radanoviç argumentoi se autoritetet politike dhe fetare në Kroaci janë përfshirë në përpjekjet për të rehabilituar periudhën ustashe.
“Kohët e fundit ne kemi mundur të dëshmojmë qeverinë, sidomos disa nga ministrat, të kryesojnë përpjekjet për t’i kthyer ustashët në viktima dhe Kosha po merr pjesë gjithnjë e më shumë në promovimin e revizionizmit vulgar dhe mohimin e krimeve të ustashëve,” pohoi Radanoviç.
Ndërkohë, Bozo Judas ka argumentuar që viktimave ende nuk po përkujtohen si duhet.
“Në çdo luftë, fëmijët duhet të trajtohen si viktimat më të mëdha,” tha ai. “Nuk ka gjë më çnjerëzore sesa të fusësh nëpër kampe fëmijët.”
Ky artikull u realizua si pjesë e skemës së grantit të Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan të BIRN, me mbështetjen e Komisionit Europian.