Analize12 Mar 2019

Kandidatja për Gjykatën Kushtetuese bindi KPK-në për pasurinë

Vendimi i zbardhur i konfirmimit në detyrë të këshilltares ligjore, Elsa Toska tregon se pasaktësitë në deklarimet periodike të pasurisë nuk cënonin ligjshmërinë e burimeve financiare, duke përmbysur edhe raportin negative të ILDKPKI.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Këshilltarja ligjore e Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska, gjatë seancës dëgjimore në KPK. Foto:BIRN

Kandidatja për Gjykatën Kushtetuese, Elsa Toska ka arritur të bindë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit se pasaktësitë e evidentuara në deklaratat e saj nuk cenonin ligjshmërinë e pasurisë. Toska, e cila kryen detyrën e këshilltares ligjore në Gjykatën Kushtetuese u konfirmua në detyrë më 12 shkurt nga trupa gjykuese e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Genta Tafa Bungo dhe Lulzim Hamitaj.

Sipas vendimit të argumentuar të KPK-së, pjesë e debatit u bë një makinë BMË, prodhim i vitit 1989, kursimet nga të ardhurat e depozituara në bankë si dhe marrëdhënia financiare me kompaninë e bashkëshortit, së cilës subjekti i rivlerësimit i ka dhënë hua.

Lidhur me makinën, Komisioni konstatoi se ishte deklaruar një herë e blerë dhe një herë tjetër e dhuruar. Në vendim thuhet se Toska, në shpjegimet e paraqitura me shkrim ka pranuar se ka mospërputhje mes deklarimit të vitit 2003 dhe atij 2007 për mënyrën e fitimit të pronësisë së këtij mjeti, duke e cilësuar atë “një ngatërresë të paqëllimshme”. Trupi gjykues është bindur nga dokumentimi i dhurimit përmes kontratës së vitit 2001.

Komisioni ka konstatuar se Toska ka pasur të ardhura të ligjshme për likujditetet në bankë, të investuara në obligacione. Ndërsa sa i përket kursimeve cash në shumën e 9.500 eurove,

ILDKPKI, ka konstatuar fshehje të gjendjes cash me argumentimin se ka punuar njëkohësisht pranë Avokatit të Popullit dhe pranë një shoqërie private. Por hetimi i KPK-së e ka përmbysur raportin e ILDKPKI-së, duke konstatuar se Toska kishte punuar pranë institucionit privat në kohën që ishte në listë pritje për t’u punësuar te Avokati i Popullit.

Toska ka shpjeguar se këto kursime i’a ka dhënë hua herë pas here shoqërisë që administrohej nga bashkëshorti në periudhën 2007-2009. Ndërkohë, ajo ka depozituar pranë Komisionit një relacion të shoqëruar me mandat-faturat për këtë periudhë në shumën 9180 euro. “Marrëdhënia mes tim shoqi dhe meje…, ka nuancat e një marrëdhënie sa familjare, aq dhe biznesi, prandaj dhe pajtohem me KPK, kur evidenton kontradiktat në deklarimet e mia. Unë huatë i’a kam dhënë tim shoqi si individ në mirëbesim, prandaj dhe nuk kam patur si qëllim që t’ i vërtetoj me dokumente, veprime që i lejon dhe Kodi i Procedurës Civile,” ka pretenduar këshilltarja ligjore.

Megjithatë, ajo ka shtuar se i shoqi i ka dokumentuar këto hua në bilancin e kompanisë së vitit 2007.

Një pasaktësi tjetër e konstatuar në vendim është deklarimi i të ardhurave të bashkëshortit nga paga dhe dividenti i agjencisë turistike. Komisioni konstatoi se kompania nuk kishte shpërndarë dividend, fakt ky i pranuar edhe nga Toska. Shitja e kuotave të shoqërisë së bashkëshortit, edhe pse nuk është pasqyruar në deklaratën “vetting” dhe ato periodike, është cilësuar se nuk cënon vlerësimin e pasurisë për shkak të vlerës së ulët të tyre.

Figura dhe profesionalizmi

Kandidatja për anëtare në Gjykatën Kushtetuese, Elsa Toska ka marrë vlerësim pozitiv në aspektin e figurës dhe profesionalizimit. Drejtoria e Sigurisë dhe Informacionit të Klasifikuar(DSIK) ka dërguar pranë komisionit një raport ku ka konstatuar përshtatshmërinë për vazhdimin në detyrë të saj.

Përsa u përket aftësive profesionale, është konstatuar se Toska ka aftësi në drejtim të interpretimit dhe të zbatimit të ligjit, e njeh mirë parimet themelore të së drejtës kombëtare dhe ndërkombëtare për shkak të funksionit të këshilltares ligjore në Gjykatën Kushtetuese që nga viti 2007.

“Në 3 dokumentet ligjore të paraqitura dhe 5 dokumentet ligjore të përzgjedhuar me short tregojnë se subjekti rivlerësimit ka njohuri mjaft të mira në të drejtën kushtetuese. Ajo është përfshirë në trajtimin e çështjeve të ndryshme kushtetuese, që lidhen me procedurat e ndryshme të gjykimit, duke përfshirë edhe kontrollin incidental të normave ligjore,” thuhet në vendim.

Toska është vlerësuar me integritet të pacënuar, pasi në gjithë dokumentet e vëzhguara nuk kanë dalë të dhëna në lidhje me imunitetin e saj ndaj çdo ndikimi apo presioni të jashtëm. Gjithashtu nuk janë evidentuar raste të konfliktit të interesit dhe nuk janë konstatuar vonesa në relatimin e çështjeve që të ketë sjellë problematikë në gjykimin e çështjes nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Komisioni ka konstatuar se Toska i ka kushtuar rëndësi formimit të saj akademik, me fokus të drejtën kushtetuese dhe të drejtat e njeriut. Ajo ka kryer studime pas universitare në të drejtën kushtetuese dhe studime evropiane në vitet 2003-2005, ku ka marrë titullin MA, si dhe titullin “Doktor” në vitin 2012 në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës si edhe ka kryer edhe publikime profesionale të ndryshme.