Analize12 Mar 2020

Kandidatja për magjistrate, Elona Kana u dorëhoq pas përballjes me KPK

Ish-këshilltarja e Gjykatës së Lartë, Elona Kana kërkoi gjatë një seance dëgjimore përjashtimin e relatores Xhensila Pine me argumentin se “ishte e propozuar nga PD dhe ishte e njëanshme, për shkak të qëndrimit të bashkëshortit të saj, Denar Biba në zgjedhjet e 30 qershorit.”

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Trupa gjykuese në seancën e zhvilluar për këshilltaren ligjore, Elona Kana. Foto: Edmond Hoxhaj

Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK e përbërë nga Suela Zhegu kryesuese, Xhensila Pine relatore dhe Olsi Komici anëtar, shpallën më 3 shkurt vendimin për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për kandidaten për magjistratë, më parë këshilltare në Gjykatën e Lartë, Elona Kana pas kërkesës së dorëheqjes së saj nga Shkolla e Magjistraturës. Gjithashtu, Komisioni deklaroi humbjen e të drejtës së Kanas për t’u emëruar në institucionet e drejtësisë, për një periudhë 15-vjeçare.

Në vendimin e arsyetuar të KPK renditet gjithë ecuria e procesit të rivlerësimit të Kanas, ku evidentohet fakti se ajo e ka kryer dorëheqjen pak para përballjes me gjetjet përfundimtare të Komisionit në seancë dëgjimore.

Komisioni shpjegon se më datë 10 korrik 2019 ka përfunduar hetimin administrativ për Kanan dhe i ka njoftuar barrën e provës. Trupi gjykues ka pranuar një kërkesë të Kanas për shtyrjen e afatit me të paktën 20 ditë për sigurimin e provave dhe pas administrimit të tyre e ftoi në seancë dëgjimore më datë 2 tetor 2019.

Kana ka kërkuar t’i vihej në dijeni para seancës, qëndrimi i Komisionit përkundrejt kundërshtimeve të saj, si dhe të kishte mundësi të ribënte analizën financiare dhe raportin paraprak. Por Komisioni konstaton se analiza finale për subjektet e rivlerësimit bëhet pas zhvillimit të seancës dëgjimore publike duke mos e pranuar këtë kërkesë.

Që në fillim të seancës dëgjimore të zhvilluar më 2 tetor 2019, Elona Kana kërkoi përjashtimin e relatores së çështjes, Xhensila Pine, kërkesë që u rrëzua si e pabazuar në ligj e prova nga një trupë tjetër gjyqësore e KPK.

Duke e konsideruar relatoren të njëanshme gjatë seancës dëgjimore, Kana ngriti dyshime për ndikim politik të Pines në qëndrimin ndaj saj.

“Vlerësoj se relatorja është propozuar dhe zgjedhur nga Partia Demokratike dhe se më cënohet integriteti. Kjo për shkak të qëndrimit të bashkëshortit tim në zgjedhjet e 30 qershorit. Pretendoj se qëndrimi i relatores është haptazi subjektiv,” deklaroi kandidatja për magjistrate.

Kana e lidhi ndikimin politik me funksionin e bashkëshortit të saj, Denar Biba si nënkryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gjithashtu, Kana e mbështeti kërkesën për përjashtimin e Pines edhe me ndjesinë e saj se nuk ishin marrë parasysh provat dhe dokumentet e dorëzuara në lidhje me udhëtimet e punës si dhe të ardhurat e saj. Kana pretendoi se nuk mund të vazhdonte gjykimi nëse më parë nuk ishte njohur me qëndrimin e KPK-së pas dorëzimit të provave dhe dokumenteve të reja, me pretendimin se nuk mund të bënte një mbrojtje efektive.

Në vendimin e KPK thuhet se Kana, u njoftua në datën 8 tetor se seanca dëgjimore vijuese do të zhvillohej dy ditë më vonë.

Kandidatja për magjistrate i ka bërë me dije Komisionit dorëheqjen e saj nga vijimi i procesit akademik e praktik në Shkollën e Magjistraturës dhe për pasojë, seanca dëgjimore u shty edhe një herë tjetër deri në verifikimin e rrethanave dhe kushteve të dorëheqjes.

Trupi gjykues vlerëson se duke qenë se subjekti ndiqte Shkollën e Magjistraturës, si edhe si këshilltare ligjore që kishte qenë në fillim të procesit, gëzonte statusin ex officio dhe për pasojë duhej të kryhej procesi i rivlerësimit e të ftohej në seancë dëgjimore.

Por, pas dorëheqjes së Kanës nga Shkolla e Magjistraturës dhe për shkak se nuk gëzonte statusin e këshilltares ligjore të Gjykatës së Lartë, në një kohë që procesi i rivlerësimit nuk kishte përfunduar, KPK e ka vlerësuar si tërheqje nga detyra dhe heqje dorë nga procesi i vetingut.

Komisioni konkludon se në këto kushte nuk ka pasur më kompetenca për të vijuar vetingun e Kanas apo të jepte vendim për konfirmimin ose shkarkimin e saj nga detyra dhe vendosi të deklarojë të ndërprerë procesin e rivlerësimit kalimtar. Në këtë rast, trupa gjykuese e shpalli vendimin gjatë një seance dëgjimore më 3 shkurt 2020, ku Kana nuk ishte e pranishme.