Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mbylli të premten intervistat me 6 kandidatë për 4 vende vakante në Gjykatë Kushtetuese, ndërkohë që shtyu fillim e procedurave të vlerësimit të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përfundoi të premten procesin e relatimit të intervistave të 6 magjistratëve që garojnë për t'u bërë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe vendosi të vijoi me procesin e pikëzimit.
Magjistratët Arta Vorpsi dhe Fiona Papajorgji, gjyqtarja Regleta Panajoti, pedagogia Elsa Toska, prokurori Besnik Muçi dhe ish-kryeinspektorja e KLD-së, Marsida Xhaferllari, kandidojnë për 4 vende vakante në Gjykatë Kushtetuese.
Pritet që pas mbledhjes së ditës se premte anëtarët e KED-së të studiojnë dosjet e pikëzimit të secilit kandidat dhe në mbledhjen e ardhshme të shpallin vendimet për renditjen e kandidatëve për secilin vend vakant, si dhe për të miratuar raportin e arsyetuar mbi procedurën e ndjekur dhe vlerësimin e kryer për kandidatët.
“Pas miratimit, raporti i arsyetuar, lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve dhe aktet përkatëse të vlerësimit dhe pikëzimit të çdo kandidati dhe për secilin vend vakant do ti dërgohen organeve të emërtesës, Kuvendit dhe Presidentit të Republikës, në mënyrë që të ushtrojnë, sipas përcaktimeve të Kushtetutës, kompetencën dhe detyrimin kushtetues të zgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese,” tha KED.
KED gjithashtu vendosi të njoftojë Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe Presidentin e Republikës, për të vlerësuar rishpalljen e thirrjeve për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e 2 vakancave të parakohshme në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë, vendimmarrja e Këshillit lidhur me fillimin ose jo të procedurave të vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve të lejuar për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, është shtytë për në një mbledhje tjetër, duke konsideruar mundësinë e ushtrimit të ankimit nga kandidatët pranë Gjykatës Administrative të Apelit dhe kohëzgjatjen e procedurave të gjykimit.