Thirrja nga Bashkimit Demokratik për Integrim në qeveri për subvencione shtetërore për punësim etnik në sektorin privat po shkakton tensione në koalicionin qeverisës dhe po alarmon disa punëdhënës.
Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, e përbërë – si ajo e mëparshmja – nga Social Demokratët dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, është përballur me pengesën e saj të parë.
Shkaku është këmbëngulja e BDI-së që, duke filluar nga viti që vjen, qeveria të prezantojë subvencione për punësimin etnik në sektorin privat.
BDI-ja thotë se subvencionet janë një domosdoshmëri në një vend multi-etnik ku shqiptarët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë, por janë të nën-përfaqësuar në biznes. Ata thonë se jo vetëm shqiptarët, por edhe të tjerët do të përfitonin nga kjo masë.
Por ata që luftojnë korrupsionin, disa vëzhgues politikë dhe shumë punëdhënës thonë se subvencionet do të ishin diskriminuese, në kundërshtim me parimet e tregut të lirë dhe mund të nxisin tensione të reja etnike.
Disa punëdhënës janë të bindur se, në një treg të lirë, kuotat etnike në punësim janë një ide aspak produktive.
Mosmarrëveshja vjen ndërsa qeveria e re njofton një sërë masash të reja ekonomike me vlerë 470 milionë euro për të ndihmuar në luftimin e efekteve të pandemisë COVID-19.
Paratë do të shpërndahen në të gjithë ekonominë dhe do të shpenzohen këtë vit. Masat etnike të punësimit nuk janë pjesë e kësaj.
Mospajtim midis partnerëve qeveritarë
Mosmarrëveshja nisi në mes të shtatorit kur zv/kryeministri i parë i ri i ngarkuar të merret me Sistemin Politik, Artan Grubi, i cili vjen nga radhët e BDI-së dhe është de facto i dyti në komandë nën kryeministrin Zoran Zaev, u ankua se përfaqësimi i shqiptarëve në sektorin privat ishte “miniskul”.
Ai tha se qeveria planifikonte “të shqyrtojë mundësitë e subvencioneve për kompanitë private” që punësojnë shqiptarë ose komunitete të tjera më të vogla.
Ai gjithashtu këmbënguli se ideja e subvencionimit të punësimit etnik ishte pjesë e platformës së qeverisë, e prezantuar në fund të gushtit, dhe kështu do të duhej të vihej në veprim.
Fjalët e Grubit u mbështetën nga zv/kryeministri i ngarkuar të merret me çështjet e ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, gjithashtu nga radhët e BDI-së. Ai tha se duhej të vihej në zbatim vitin e ardhshëm.
Ajo pjesë e platformës qeveritare të cilës iu referuan Grubi dhe Bekteshi shprehet: “Qeveria do t'i bëjë thirrje, inkurajojë dhe bashkëpunojë me sektorin e biznesit, përkatësisht kompanitë vendase dhe të huaja, për të mbështetur marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe vlerat e tolerancës, përfaqësimit dhe besimin në ambientet e tyre të punës, në mënyrë që vendi ynë të përdorë të gjithë potencialin njerëzor që ka në dispozicion.”
Disa orë pas deklaratës së Bekteshit të hënën e kaluar, nënkryetari i partisë së Zaevit, Kosta Petrov, shprehu mospajtimin e tij për këtë çështje.
“Ne po flasim për inovacion, teknologji të reja, inteligjencë artificiale, bioteknologji, shkencën e të dhënave, krijimtari, kurse Bekteshi flet për subvencione për punësimin etnik”, shkroi Petrov me sarkazëm në Facebook.
Kjo mospajtime duket se e zunë në befasi kryeministrin Zaev. Në një konferencë për shtyp javën e kaluar ai u përpoq të zbuste mosmarrëveshjet mbi çështjet etnike, duke këmbëngulur se seksioni i platformës civile të partisë së tij, i quajtur “Një shoqëri për të gjithë”, përpiqet të largojë shoqërinë nga paragjykimet etnike.
“Do të ketë subvencione për vende pune”, shpjegoi ai, për të cilat “punonjësit e kualifikuar do të kenë një avantazh, Kështu që unë besoj se ne do ta realizojmë dëshirën e kësaj qeverie për një shoqëri të orientuar drejt qytetarëve.”
“Do të ketë subvencione për të gjithë, për maqedonasit dhe për shqiptarët, turqit, serbët, vllahët, romët dhe boshnjakët… Për të gjithë në vendin tonë. Dhe ato do të jenë të barabarta për të gjithë qytetarët”, shtoi ai.
Përpjekja e kryeministrit për të zbutur mosmarrëveshjet në lidhje me subvencionet etnike tingëlloi aspak bindëse.
Ajo erdhi ndërsa qeveria njoftoi të dielën paketën e saj të katërt të masave ekonomike për këtë vit, me vlerë 470 milionë euro, e projektuar për të ndihmuar ekonominë të përballet me pasojat e shkaktuara nga pandemia e COVID-19.
Zyra Shtetërore e Statistikave këtë muaj llogariti se rreth 12,000 punëtorë tashmë kanë humbur vendet e punës për shkak të krizës. Parashikimet flasin për një rënie të pritshme të PBB-së me 4 për qind deri në fund të vitit.
Ministri i Financave Fatmir Besimi, një tjetër anëtar i BDI-së, të hënën u përpoq të qetësonte mosmarrëveshjen, duke këmbëngulur se çështja kishte të bënte me vlerat multietnike.
“Në ekonomi, jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën, cilësia është mbi të gjitha. Unë personalisht besoj se qytetarët, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, kanë cilësitë e tyre si individë dhe profesionistë”, tha ai. “Diversiteti do të jetë vetëm një vlerë pozitive në ekonominë tonë dhe duhet të vijë nga nevojat e tregut”, tha Besimi për mediat.
Duke këmbëngulur se subvencionet do të ishin në dobi të të gjitha grupeve etnike, kolegu i tij i BDI-së, zv/kryeministri Bekteshi, javën e kaluar tha se, për shembull, “të gjitha kompanitë e themeluara dhe të administruara nga shqiptarët do të mbështeteshin nga qeveria, nëse punësojnë maqedonas. Kjo do të bëhet në një mënyrë gjithëpërfshirëse”.
Bizneset të alarmuar nga implikimet
Por shumë punëdhënës nuk janë aspak të bindur, duke menduar për koston dhe fërkimet e mundshme me grupet e tjera etnike.
“Këto nuk janë masat e vërteta që biznesi po pret nga politikanët”, tha Mendres Kuçi, një anëtar i Dhomës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, e cila bashkon kryesisht kompani nga pjesët kryesisht shqiptare etnike të vendit.
“Nëse politikanët duan të krijojnë kushte për një ambient të shëndetshëm ekonomik, trajtimi etnik i popullsisë mund të zgjidhet me dy fjali të thjeshta në kushtetutë. Fjalë për fjalë, gjithçka duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët. Dhe ja ku e keni zgjidhjen”, tha ai.
“Nuk ka nevojë të ndërmerren pjesërisht dhe me forcë masa që irritojnë gjithashtu etnitë e tjera”, shtoi Kuçi.
Kuçi tha se qeveria duhet të përqendrohet më shumë në zgjidhjen e problemeve reale ekonomike që pengojnë zhvillimin, siç është numri i madh i burokratëve.
“Politikanët do ta kurojnë këtë shoqëri, nëse zvogëlojnë numrin e punonjësve të tyre në administratën publike”, tha Kuçi.
“Nuk mund t'i detyroni njerëzit të ndryshojnë mendimet e tyre. Por kur fëmijët e entive të ndryshme, fillojnë të bëhen shok në shkolla, jo me forcë, por natyrshëm, ata me siguri do të integrohen shumë shpejt, duke pranuar se të gjitha qeniet njerëzore duhet të kenë nevoja dhe mundësi të barabarta për zhvillim shoqëror”, vazhdoi ai.
Mile Boskov, kreu i Konfederatës së Punëdhënësve, ishte edhe më shpërfillës ndaj politikanëve dhe “përpjekjeve të tyre të vazhdueshme për të fituar pikë politike, madje edhe për çështje serioze siç është ekonomia”.
Ai tha: “Ajo që dëgjojmë ngjan si një populizëm primitiv.” Ai shtoi: “Politikanët duhet të propozojnë masa që mund të zbatohen, që janë moderne dhe shikojnë përpara dhe që inkurajojnë barazinë.”
“Biznesi nuk ka nevojë për populizëm klasik ose masa që nuk do të ndihmojnë kompanitë, as shoqërinë, as konsumatorin, dhe të cilat në fund nuk do të ndihmojnë konceptin e shoqërisë civile si e jona”, vazhdoi Boskov.
Një prodhues i vogël nga Shkupi, i cili ka të punësuar 11 persona, përdori një shembull konkret se çfarë mund të nënkuptojë kjo masë për firmën e tij.
“Nëse filloj të shpërfill cilësinë dhe punësoj njerëz bazuar në përkatësinë e tyre etnike, unë mund të përfitoj nga subvencionet në një periudhë afatshkurtër, por biznesi im do të vuajë në planin afatgjatë, sepse do të përfundoj me punëtorë të pakualifikuar”, tha ky punëdhënës për BIRN.
Dhoma Oda Ekonomike e Maqedonisë, deri më tani, është treguar e kujdesshme dhe neutrale në reagimin e saj.
“Dhoma Ekonomike mirëpret çdo vendim që stimulon punësimin e ri dhe krijon mundësi për marrjen punëtorëve në përputhje me nevojën e subjekteve ekonomike”, tha ajo në një reagim me shkrim.
Analisti politik Albert Musliu, kreu i OJQ-së Shoqata për Iniciativa Demokratike thotë se problemi i vërtetë nuk është ideja aktuale, por mënyra se si politikanët e kanë prezantuar atë.
Ai tha se në vend që të shpjegonin se si mund të funksiononin subvencionet ose masat e tjera, politikanët ishin përpjekur të fitonin pikë politike.
“Kuota të tilla për punësim në kompanitë private mund të shihen në vende të tjera si Britania, ku kompanitë më të mëdha private me shumë të punësuar kanë disa detyrime sa i takon përfaqësimit racor”, vuri në dukje ai.
“Unë mendoj se edhe ne duhet të kemi dispozita të ngjashme, por vetëm për kompanitë që kanë një ndikim të madh publik – jo firmat e vogla me një numërb të vogël punëtorësh”, tha Musliu.
Kryetarja e Komisionit Anti-Korrupsion, Biljana Ivanovska, është një tjetër skeptike.
Të enjten e kaluar ajo tha se, sipas mendimit të saj, shteti nuk mund të subvencionojë punësimin mbi baza etnike. Duke perifrazuar një parim kushtetues, ajo tha se, “ndërsa kërkojnë punë, të gjithë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë”.
Përvojat e sektorit publik lënë shije të keqe
Diskriminimi i bazuar nga përkatësia etnike në punë nuk është diçka e re për Maqedoninë e Veriut. Por deri më tani ai ka ekzistuar vetëm për sektorin publik.
Pasi përjetoi një konflikt të armatosur në vitin 2001 midis kryengritësve shqiptarë etnikë dhe forcave të sigurisë, i cili përfundoi me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët po atë vit, vendi ndryshoi kushtetutën e tij për t'i dhënë më shumë të drejta komunitetit shqiptar.
Një nga premtimet kryesore ishte për të ashtuquajturin “përfaqësim proporcional” në sektorin publik, i cili bëri që mijëra shqiptarë që zënë punë në institucione, ushtri dhe polici.
Ndërsa kjo përmirësoi shumë përfaqësimin e shqiptarëve dhe grupeve të tjera në sektorin publik, procesi u shoqërua nga polemika.
Pati ankesa të mëdha se BDI-ja, e cila u bë pjesë e shumicës së qeverive pas vitit 2002, e përdori procesin për qëllimet e veta, duke siguruar punësimin në administratë për mbështetësit e partisë. Ajo e mohon këtë gjë.
Qeveria e re nuk ka zgjidhur ende një nga çështjet e mbetura të pazgjidhura nga ky proces – një tepricë prej rreth 1,200 punonjësish etnikë në administratë që, për vite me radhë, kanë marrë paga, pavarësisht se nuk kanë asnjë post dhe nuk bëjnë asnjë punë.
Por zv/kryeministri i parë Grubi thotë se modeli i administratës publike duhet të kopjohet në sektorin privat.
“Përfaqësimi proporcional është një parim kushtetues. Ne po e bëjmë këtë gjë në institucionet. Pse të mos bëjmë të njëjtën gjë edhe nëpër kompani?” tha ai.
“Nuk po flasim për punësimin e punëtorëve të pakualifikuar, të cilët nuk i plotësojnë kushtet.
“Ne po flasim për mënyrën më transparente të zgjedhjes së punëtorëve më të kualifikuar, duke respektuar në të njëjtën kohë parimin kushtetues të përfaqësimit adekuat”, përfundoi ai.