Lajm20 Apr 2021

Klubet e futbollit të Evropës Qendrore dhe Juglindore kundër planeve për një Super Ligë

Klubet e futbollit të Evropës Qendrore dhe Juglindore i janë bashkuar dënimit të planeve të klubeve elitare për të krijuar një garë më vete, nga frika se liga e re kryesisht e "mbyllur" do t’i dëmtonte ato edhe më shumë.

Autor: Nicholas Watson BIRN Pragë
Printo

Logoja e UEFA Champions League. Foto: Wikipedia.

Kritikave bndaj planeve të 12 klube elitare të Evropës për t’u larguar nga Liga e Kampionëve të UEFA-s për të krijuar Super Ligën e tyre Evropiane iu bashkuan edhe klube të futbollit të Evropës Qendrore dhe Juglindore, të cilët druhen se liga e re e “mbyllur” do të lërë jashtë klubet e tyre.

Të dielën, 12 nga klubet më të mëdha të Evropës – gjashtë anglezë, tre italianë dhe tre spanjollë – njoftuan krijimin e një gare më vete, që do të financohet nga banka dhe biznesmenë amerikanë, dhe do të administrohet nga vetë klubet. Do të jetë një garë që do të zhvillohet në mes jave dhe që do të rivalizojë Ligën e Kampionëve ekzistuese dhe do të ketë 15 “klube themeluese” plus pesë ekipe të tjera që mund të kualifikohen çdo vit bazuar në arritjet në sezonin e kaluar.

Tre klubet e tjera do të përcaktohen “përpara sezonit përurues, i cili synohet të nisë sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhej në deklaratë, megjithëse klubet gjermane – kryesisht Bayern Munchen dhe Borussia Dortmund – dhe Paris Saint-Germain kanë deklaruar tashmë qëllimin e tyre për të mos qenë pjesë e kësaj lige të re.

Florentino Perez, presidenti i Real Madrid dhe kryetari i parë i Super League, tha: “Ne do ta ndihmojmë futbollin në çdo nivel dhe do ta çojmë atë në vendin e tij të duhur në botë.” Megjithatë, disa dyshojnë se planet janë thjesht një përpjekje nga klubet elitare për të marrë një pjesë më të madhe të të ardhurave nga ndeshja për veten e tyre – vlerësohet se ata do të marrin më shumë se tredishin e pavare në sezon sesa marrin aktualisht nga Liga e Kampionëve.

Dënimi i planeve të klubeve ka qenë i shpejtë, i ashpër dhe i përhapur. Në një deklaratë të përbashkët, UEFA dhe ligat kryesore kombëtare të Evropës e quajtën atë një “projekt cinik… që bazohet në interesin e vet të disa klubeve në një kohë kur shoqëria ka nevojë për solidaritet më shumë se kurrë” dhe përsëriti se futbolli bazohet në gara të hapura dhe merita sportive; nuk mund të jetë ndonjë mënyrë tjetër”.

Presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin më vonë konfirmoi se organizata e tij do të shqyrtojë mundësinë e ndalimit të lojtarëve që luajnë në Superligë që të luajnë në Kupën e Botës dhe dhe atë Evropiane.

Shoqata Evropiane e Klubeve (ECA), e cila përfaqëson ekipe profesioniste të futbollit në të gjithë Evropën, tha në një deklaratë: “një ‘model i mbyllur super lige’ të cilit i referohen artikujt e mediave do të kundërshtohej fuqimisht nga ECA.”

Këndvështrime të njëjta kishte edhe në Evropën Qendrore dhe Juglindore, ligat relativisht të dobëta dhe të nivelit të dytë të të cilave do të vuanin veçanërisht, pasi klubet e tyre nuk do të kishin gjasa të fitonin akses në Superligën kryesisht të mbyllur.

Federata Turke e Futbollit tha se nisma për një Superligë Evropiane nuk mund të pranohet. “Ne u bëjmë thirrje këtyre 12 klubeve evropiane të heqin dorë nga akti i tyre separatist”, tha ajo në një deklaratë.

Bertalan Havasi, zëdhënësi i kryeministrit hungarez, tha në një deklaratë, se Viktor Orban “e mirëpret qëndrimin e UEFA-s që dënon me vendosmëri përpjekjet për të ngritur një Super Ligë Evropiane dhe qëndron për unitetin e nivelit evropian të sportit dhe parimin e solidaritetit”.

“Hungaria mbështet UEFA-n dhe FIFA-n si dhe Federatën Hungareze të Futbollit në interes të mbrojtjes së integritetit të garave të organizuara nga shoqatat, qoftë në një nivel kombëtar apo evropian”, shtoi ai.

Jaroslav Tvrdik, kreu i kampionëve të ligës çeke Slavia Prague, shkroi në Tëitter: “Qëndrim i admirueshëm i klubeve gjermane dhe franceze. Respekte! Ashtu si ata, ne mbështesim plotësisht qëndrimin e FIFA-s dhe UEFA-s – futbolli ka nevojë për solidaritet dhe konkurrencë brenda modelit aktual të garave evropiane të klubeve nga 55 shoqata futbolli.”

Dy klubet më të mëdha të Serbisë, Ylli i Kuq i Beogradit dhe Partizani, dolën gjithashtu kundër planeve. “Jam kundër themelimit të Superligës Evropiane, dhe si një klub do të luftojmë kundër kësaj, sepse ajo ligë është krijuar për t’i bërë klubet e pasura edhe më të pasura dhe të gjithë të tjerët edhe më të varfër. Hendeku ekzistues tashmë shumë i gjerë midis klubeve po bëhet gjithnjë e më i madh. Sporti humbet thelbin e tij, humbet lojën e ndershme. Ylli i Kuq është një ish-kampion evropian dhe tashmë ka paguar një çmim të madh gjatë 25 viteve të fundit për shkak të ndryshimeve ekzistuese financiare midis klubeve”, u citua nga Telegraf.rs të ketë thënë drejtori i përgjithshëm i Yllit të Kuq, Zvezdan Terziç.