Lajm25 Jun 2019

Kolegji fillon shqyrtimin e çështjes “Xhezair Zaganjori”

Procesi ndaj Kryetarit të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nisi të martën me kërkesën e Komisionerit Publik për shkarkimin e tij nga detyra për pasuri të pajustifikuara ndërsa Zaganjori, ndonëse pranoi mungesën e dokumentacionit për pagesën e taksave, dha një interpretim tjetër të kushtetutës duke kërkuar konfirmimin në detyrë.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Xhezair Zaganjori duke folur për median pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit në Tiranë më 25 qershor 2019. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori dëgjoi për mbi një orë argumentet e Komisionerit Publik Florian Ballhysa në kërkim të shkarkimit të tij nga detyra për deklarime të pasakta, deklarime të pasakta të shpenzimeve për arsimimin e fëmijëve në Britaninë e Madhe dhe në Gjermani si dhe për mungesë burimesh të ligjshme për një pjesë të pasurisë së tij familjare.

Ballhysa i la mënjanë gjatë seancës interpretimet kushtetuese të nenit D të kushtetutës, ndërsa theksoi se gjyqtari Zaganjori nuk kishte dokumente për të ardhurat familjare nga qiradhënia, kishte deklarime kontradiktore të pasurisë dhe të ardhurave ndërsa një apartament i deklaruar prej tij i shitur në vitin 1999, vijonte të rezultonte nën pronësinë e tij në hipotekë. Komisioneri publik vuri në pikëpyetje pretendimin e Zaganjorit se ia ka dalë që, përgjatë një periudhe prej pak a shumë dy vitesh, të jetonte familjarisht në Gjermani me një bursë nga instituti kërkimor Max Planck dhe njëkohësisht të kursente nga kjo bursë një shumë të konsiderueshme parash, të cilat i përdori si bashkëinvestim në ndërtimin e një pallati në Tiranë.

Komisioneri deklaroi gjithashtu se një depozitë bankare në vlerën rreth 16 mijë dollarë, deklaruar nga Zaganjori si e tërhequr për një shpezim, nuk konfirmohet nga të dhënat e bankës përkatëse ndërsa për shpenzimet e njërit prej djemve të gjyqtarit për arsimin në Britaninë e Madhe, të dhënat bankare tregonin shpenzim në masën 12 mijë euro ndërsa vetëdeklarimi i Zaganjorit fliste për 9 mijë euro.

Zaganjori deklaron se ka mospërputhje të konsiderueshme në shumat e deklaruara në deklaratat vjetore të pasurisë, të cilat janë plotësuar në Shqipëri nga zyrtarët publikë që nga viti 2003 e më pas, me ato që vetë Zaganjori ka shkruar në deklaratën e rivlerësimit kalimtar, një rideklarim i pasurive dhe burimeve të vënies së këtyre pasurive i kryer në vitin 2016 dhe i njohur si “deklarata veting”.

Komisioneri deklaroi se një pjesë e të ardhurave të deklaruara nga Zaganjori si qiramarrje nga kompania M&D nuk duhet të quhen të ligjshme.

Në përfundim, komisioneri deklaroi se Zaganjorit nuk i dilnin llogaritë për mbi 2.4 milionë lekë shpenzime dhe për këtë arsye, kërkoi shkarkimin e tij.

Zaganjori, një ish-diplomat, u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2003 dhe anëtar i Gjykatës së Lartë në vitin 2013. Ai arriti me vështirësi të konfirmohet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në korrik të vitit 2018 pasi komisioni gjykoi se ai ka kryer “evazion fiskal të ligjshëm”, një vendim i debatuar që u rekomandua për ankimim nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Ai është një nga vetëm tre anëtarët e Gjykatës së Lartë që i mbijetuan procesit të vetingut, së paku deri tani.

Zaganjori u përball me pikëpyetje mbi një pronë familjare në Tiranë, e regjistruar në vitin 2001, por që ishte dhënë me qira që në vitin 1997, si dhe me të ardhura nga qiraja në vijimësi që nga ajo kohë, për të cilat nuk disponohen dokumente të pagesës së rregullt të tatimit mbi të ardhurat personale.

Zaganjori përballet me pikëpyetje për burimin e parave të përdorura për të ndihmuar dy djemtë e tij të arsimohen jashtë vendit, njëri në Britaninë e Madhe dhe tjetri në Gjermani.

Lexo më shumë:

Skeda e pasurisë së deklaruar-Xhezair Zaganjori-kryetar i Gjykatës së Lartë

Karriera e kryetarit të Gjykatës së Lartë plasaritet nga problemet me pasurinë

Xhezair Zaganjori konfirmohet në detyrë

ONM kundër konfirmimit të Zaganjorit, kërkon rihapjen e vetingut në Apel

Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e Zaganjorit: “Shmangu tatimet, nuk justifikon pasurinë”

Vendimi i KPK për Xhezair Zaganjorin: Ka kryer “evazion tatimor të ligjshëm”

Ankimi për çështjen e tij u mor në shqyrtim nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të martën më 25 qershor, në prani të një numri të madh mediash. Trupa gjykuese e KPA përbëhet nga Albana Shtylla, Rezarta  Schuetz, Luan Daci, Natasha Mulaj dhe Sokol Çomo.

Zaganjori pranoi mospërputhjet në deklarata si dhe mungesën e dokumentacionit për pagesën e taksave për të ardhurat nga qiradhënia, por ai dha një shpjegim të ndryshëm kushtetues mbi konceptin e pasurisë së ligjshme dhe asaj të paligjshme. Sipas Zaganjorit, në kuptimin e Nenit D, pika 3 të Kushtetutës, një pasuri mund të jetë e ligjshme pavarësisht se për të nuk janë paguar tatimet dhe anasjelltas, ajo mund të jetë e paligjshme pavarësisht se për të mund të jenë paguar tatimet. Ky interpretim i tij mbështetej në një Komentar të publikuar në vitin 2019 ku theksohet, sipas Zaganjorit, që pasuria duhet të ketë burime të ligjshme.

Neni D, pika 3 e Kushtetutës
Subjekti i rivlerësimit duhet të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave. Pasuri të ligjshme për qëllimet e këtij ligji konsiderohen të ardhurat që janë deklaruar dhe për të cilat janë paguar detyrimet tatimore. Elemente të tjera të pasurisë së ligjshme përcaktohen me ligj.

Zaganjori shpjegoi se prona për të cilën janë ngritur pikëpyetje, lidhet me pasurinë e familjes së gruas. Sipas tij, familja në fjalë dispononte parcela toke me rreth 1 mijë metra katrorë, të cilat iu sekuestruan nga qeveria komuniste në vitin 1982 dhe mbi të cilën më pas u ndërtuan pallate. Familja arriti të marrë rreth 250 metra katrotë tokë të mbetur të lirë pas rënies së komunizmit mbi të cilin ndërtoi një objekt pesëkatësh. Zaganjori thotë se ka financuar një pjesë të punimeve të ndërtimit me të ardhurat nga bursa në Gjermani dhe një pjesë me të ardhurat nga shitja e një apartamenti për 40 mijë dollarë. Pikëpyetjeve të komisionerit se si ia ka dalë të jetojë në Gjermani me bursë dhe njëkohësisht të kursejë për investim, Zaganjori deklaroi se bursa e tij në vitin 1998 ishte 5 mijë marka dhe se familja e tij i mbyllte shpenzimet me 900 marka.

Ai deklaroi më tutje se është person që nuk njihet për luks dhe se përgjatë viteve nuk ka shkuar me pushime, me përjashtim të një jave pushimesh në Itali.

Në fund, Zaganjori paraqiti një listë me dokumente shtesë, përfshirë një deklaratë noteriale nga familja e bashkëshortes mbi origjinën e pronës kryesore si dhe deklarata të zyrtarëve të ndryshëm të institutit Max Planck.

Kryetarja e trupit gjykues Albana Shtylla pyeti komisionerin publik nëse ai dëshironte një kopje të dokumenteve shtesë. Komisioneri tha se në bazë të procedurës gjyqësore, provat shtesë duhet të paraqiten në aq kopje sa janë palë në proces. Shtylla pyeti Zaganjorin nëse kishte sjellë kopje të provave për komisionerin. Ky i fundit tha se nuk e dinte se duhej të vepronte në këtë mënyrë. Trupi gjykues u tërhoq për diskutime dhe kur u kthye, njoftoi se do t’i pranonte provat shtesë të sjella nga Zaganjori.  Shtylla deklaroi se gjykata merrte përsipër të bënte një fotokopje të provave shtesë të sjella nga Zaganjori për t’ia vënë në dispozicion Komisionerit Publik.

Seanca e radhës u caktua për datën 10 korrik, ora 9.30.