Lajm10 Nov 2016

Komisioni Europian kritikon Ballkanin për “zero progres” në Lirinë e Shprehjes

Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi u vlerësuan që të gjitha si vende që "nuk kanë bërë progres" gjatë vitit të kaluar në lidhje me lirinë e shprehjes, një kriter i rëndësishëm për anëtarësim në Bashkimin Europian. Turqia qe vendi i vetëm kandidat që u vlerësua si vend që "ka bërë hapa pas" në lirinë e shprehjes.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Foto ilustruese Ivana Dervishi/BIRN

Foto ilustruese Ivana Dervishi/BIRN

Të gjitha vendet e Ballkanit që kërkojnë të integrohen në Bashkimin Europian u konsideruan si vende që “nuk kanë bërë progres” në kriterin e Lirisë së Shprehjes, kriteri i vetëm në kapitullin për të drejtat e njeriut që u vlerësua me notë në raportet e progresit të publikuara të mërkurën në Bruksel.

Njëkohësisht, të gjitha këto vende u vlerësuan se kanë “një nivel të ulët përgatitjeje” në lidhje me problemin e lirisë së shprehjes ndërsa Brukseli rekomandoi kryerjen e ndryshimeve ligjore dhe zbatimit të ligjeve në mënyrë që këto vende të pretendojnë një vlerësim më të lartë në raportet e ardhshme të Komisionit Europian.

“Vendi ka një nivel të ulët/është në mënyrë të moderuar i përgatitur në fushën e lirisë së shprehjes,” thuhet në Raportin e Progresit për Shqipërinë. “Gjithsesi, nuk pati progres në këtë fushë përgjatë vitit të fundit,” shton raporti, duke theksuar se rekomandimet e mëparshme që kërkojnë forcimin e transparencës në reklamat shtetërore nuk janë zbatuar nga qeveria shqiptare. Shqipëria përballet me probleme, sipas raportit, për shkak të mungesës së pavarësisë politike të autoritetit rregullues (të medias audiovizuale) si dhe mungesën e pavarësisë politike të transmetuesit publik.

Shqipëria, thuhet në raport, duhet të zbatojë rregulla të qarta në kufizimin e pronësisë së operatorëve kombëtarë audiovizualë, në mënyrë që të krijojë kushtet për diversitet në këndvështrime në panoramën mediatike të vendit.

“Liria e Shprehjes dhe situata e medias mbeten një sfidë serioze në klimën aktuale politike,” shkruhet në raport. Aktualisht qeveria shqiptare nuk publikon statistika mbi shpenzimet që bën për reklamat e veta si dhe mbi shpenzimet që bëhen nga kompanitë e mëdha nën pronësi publike.

“Raportimi i balancuar dhe i diversifikuar nga media kryesore mungon, megjithëse ka pasur disa shenja inkurajuese gjatë verës në kuptimin e raportimit nga transmetuesi publik dhe disa kanale televizive private,” thuhet në raport.

Serbia mori të njëjtën notë si vend që “nuk ka bërë progres” dhe që ka “një nivel të ulët përgatitjeje” për lirinë e shprehjes.

“Mjedisi i përgjithshëm nuk është i përshtatshëm për ushtrimin e plotë të kësaj të drejte,” thuhet në raport.

“Privatizimi i mediave publike nuk ka sjellë transparencë më të madhe në pronësi apo në burimet e financimit, përfshirë financimet publike. Bashkëfinancimi i përmbajtjes mediatike për të plotësuar detyrimet e interesit publik duket të zbatohet në përputhje me kuadrin ligjor, duke përdorur procedura të ndershme dhe transparente pa ndërhyrje nga administrata shtetërore, veçanërisht në nivel vendor. Kërcënimet, dhuna dhe frikësimet e gazetarëve mbeten një problem shqetësues,” thuhet në raport, i cili kritikon gjithashtu rastin e ekspozimit në një tabloid proqeveritar të një projekti gazetarie investigative që po zbatohej nga organizata KRIK.

Komisioni kërkon nga qeveria e Serbisë të “krijojë mjedis të mirë në të cilin liria e shprehjes të mund të ushtrohet pa pengesë, ndërsa kërcënimet, sulmet fizike dhe nxitjet për dhunë apo rastet e sulmit ndaj privatësisë së gazetarëve dhe blogerëve duhet të hetohen siç duhet nga autoritetet e drejtësisë si dhe të dënohen publikisht.” Serbisë i kërkohet gjithashtu të zbatojë ligjet e medias, përfshirë funksionimin e një organi rregullator të pavarur (për mediat audiovizuale) si dhe të sigurojë financime të mjaftueshme dhe pavarësi editoriale për televizionin publik.

Mali i Zi u kritikua nga raporti për shkak se rekomandimet e bëra vitin e kaluar “u zbatuan vetëm pjesërisht” dhe për shkak se vendi regjistroi një numër akoma më të lartë rastesh gjyqësore për shpifje, raste që qenë sakaq të larta në të shkuarën.

“Ka pasur shumë pak progres në zgjidhjen e rasteve të sulmeve mbi gazetarët,” shkruhet në raport, ku kërkohen përpjekje të mëtejshme për të zgjidhur rastet e dhunës ndaj gazetarëve, përfshirë vrasjen në vitin 2004 të gazetarit Dusko Jovanovic.

Raporti për Kosovën thekson “kërcënimet dhe sulmet në rritje” ndaj gazetarëve, presion politik ndaj televizionit publik si dhe mungesë transparence në pronësinë dhe të ardhurat e medias.

Komisioni i kërkon Bosnjës të “sigurojë mbrojtje të mjaftueshme të gazetarëve dhe zbatim të ligjit në rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve” ndërsa vendi duhet të ndërmarrë hapa për të garantuar transparencën në pronësinë e medias, përfshirë edhe pronësinë e medias online.

Ndërsa lavdëron Maqedoninë se ka kuadër ligjor në përgjithësi në përputhje me acquis dhe standardet ndërkombëtare, Komisioni vlerëson se “liria e shprehjes dhe situata në media mbetet një sfidë serioze në klimën aktuale politike.” Raporti i bën thirrje qeverisë të bëjë transparente shpenzimet për reklama dhe të garantojë pavarësinë e transmetuesit publik.

Komisioni Europian ka krijuar një metodologji të re për vlerësimin e progresit në vendet kandidate për anëtarësim. Ndryshimet në krahasim me vitin e kaluar shënohen si “hapa pas”, “jo progres”, “pak progres,” “shumë progres” dhe “progres shumë i mirë”.

Gjendja e një vendi në një fushë të caktuar vlerësohet si “hapat e parë”, “nivel i ulët përgatitjeje”, “relativisht i përgatitur,” “nivel i mirë përgatitjeje” dhe “shumë i përgatitur.