Lajm14 Oct 2021

Komisioni për inceneratorët hiqet nga votimi me dakordësi mes PS dhe PD

Kuvendi shtyu në momentin e fundit votimin për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për impiantet e mbetjeve urbane, pasi Partia Demokratike ra dakord me kërkesën e socialistëve për të marrë një javë kohë që të rishikonin formulimin ligjor.

Autor: Blerina Gjoka BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama të enjten në Kuvend. Foto: LSA

Opozita dhe mazhoranca ranë dakord të enjten që të heqin nga rendi i ditës dhe nga votimi projektvendimin për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për të kontrolluar ligjshmërinë e inceneratorëve – një nga tre komisionet e kërkuara nga Partia Demokratike.

Edhe pse ishte miratuar në Konferencën e Kryetarëve të martën, palët ranë dakord që t’a shtyjnë me një javë votimin, me arsyen e rishikimit të formulimit ligjor të projektvendimit.

Kërkesa për shtyrjen erdhi nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

“Kemi komunikuar me PD-në për të detajuar objektin e punës hetimore në Komision. Do të doja që votimi të shtyhet në seancën pasardhëse, me besimin se do ta kemi detajuar plotësisht objektin e hetimit,” tha Balla.

Kërkesa e Ballës u pranua pa debat nga deputeti Gazmend Bardhi, i cili tha në emër të PD-së:  “biem dakord që votimi i këtij Komisioni të shtyhet për javën tjetër”.

Dakordësia në momentin e fundit detyroi administratën e Kuvendit që të tërheqë fletët e votimit për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për inceneratorët. Tërheqja mund të ketë kapur në befasi edhe ndonjë nga deputetët demokratë, pasi më herët, zv.kryetarja e PD-së, Jorida Tabaku denoncoi ato që ajo i quajti përpjekje të mazhorancës për ta penguar ngritjen e komisionit.

“Nuk tërhiqemi nga kërkesa jonë për të ndryshuar thelbin e asaj që kërkojmë, as nga kërkesa jonë për të shkuar përpara drejtësisë, kushdo i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm mbi 400 milionë euro,” tha Tabaku.

Kërkesa që Partia Demokratike ka dorëzuar në Kuvend ka si objekt kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga Ministria e Mjedisit dhe organet e tjera publike në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane në Tiranë, Elbasan dhe Fier.  Kërkesa përfshin gjithashtu dëmin ekonomik të shkaktuar në buxhetin e shtetit si dhe efektet negative mjedisore.

Tre kontratat koncesionare në fjalë janë fituar nga kompani të lidhura me njëra-tjetrën. Në një investigim të publikuar shtatorin e kaluar, BIRN zbuloi se Mirel Mërtiri, i afërt me ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj dhe me lidhje në të dy krahët e politikës qëndron në hijen e koncesioneve të mbetjeve përmes disa kompanive ‘satelite’.

Me votim të fshehtë, deputetët votuan pro ngritjes së komisionit hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa kërkesa e PD për hetimin e çështjes “Becchetti” u rrëzua me shumicë votash.

Opozita insistoi për hetimin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të funksionarëve publikë që çuan në humbjen e një gjyqi ndërkombëtar mes qeverisë dhe biznesmenit italian, Francesco Becchetti. Por, mazhoranca kundërshtoi me argumentin se një hetim i tillë cënonte interesat kombëtare, pasi gjyqi i arbitrazhit ndërkombëtar kërkon konfidencialitet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *