Analize23 Oct 2019

Konfliktet e interesit rrëzuan mbrojtjen e Artan Brocit në KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit gjeti parregullsi dhe konkluzione të gabuara në vendimin e KPK-së për shkarkimin e ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Artan Broci, por la në fuqi vendimin duke i cilësuar këto si “jo-relevante”, ndërsa u fokusua te 3 raste konflikti interesi dhe problemet me pasurinë.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Artan Broci pas seancës dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve në Tiranë më 27 korrik 2017. Foto: BIRN

Kolegji i Posaçëm i Apelimit e gjeti të drejtë vendimin e shkarkimit të ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Artan Broci, por konstatoi gjithashtu parregullsi dhe qëndrime të ndryshme për të njëjtin problem në vendimin e shumicës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në vendimin e zbardhur të KPA-së pranohet se shumica në shkallën e parë të vetingut kishte analizuar mospërputhjet në sipërfaqet e ndërtimit për një apartament 143 metra katrorë në mënyrë të ndryshme nga ajo që ishte aplikuar për subjekte të tjera.

“Analizimi i mospërputhjeve në sipërfaqe ndërtimi nga i njëjti trup gjykues, për subjekte të ndryshme në mënyra te ndryshme, duhet të analizohet dhe argumentohet në mënyrë të paanshme dhe mbi bazën e të njëjtave parime dhe standarde,” thuhet në një paragraf të vendimit të zbardhur.

Ndërsa u tërheq vëmendjen trupave të KPK-së që të tregohen të paanshëm, vendimi i Kolegjit del gjithsesi në përfundimin se ankimi i subjektit nuk e bën të cënueshëm vendimin e shkarkimit -pasi merr në konsideratë një sërë problemesh që iu vërtetuan Brocit dhe që sipas Kolegjit ishin të mjaftueshme për ta shkarkuar atë.

Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Artan Broci u shkarkua me shumicë votash nga KPK më 31 korrik të vitit që shkoi. Dy anëtaret e trupës, Valbona Sanxhaktari dhe Etleda Çiftja argumentuan se gjyqtari Artan Broci “nuk ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë” dhe se “kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia” për shkak të konfliktit të interesit.

Anëtarja e tretë e trupës, Xhensila Pine ishte në pakicë në këtë rast dhe arsyetoi se Broci nuk ndodhej në asnjë nga rastet e parashikuara në nenin 61 të ligjit 84/2016 për shkarkimin nga detyra. Pine ka argumentuar se gjyqtari Broci ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e pasurisë së tij dhe se nuk kishte qenë në konflikt interesi.

Trupa e Kolegjit e përbërë nga Ina Rama kryesuese, Ardian Hajdari relator dhe me anëtarë  Albana Shtyllën, Luan Dacin dhe Sokol Çomon vendosi më 19 korrik 2019 në dhomë këshillimi të lërë në fuqi vendimin për shkarkimin e Brocit, duke e cilësuar të pabazuar pjesën kryesore të ankimit të tij dhe konfirmuar qëndrimin e KPK-së mbi konfliktin e interesit.

Problemet e pasurisë dhe konflikti i interesit

Kolegji gjeti të drejta argumentet e Komisionit mbi problemet e Brocit në disa pasuri dhe tre raste të konfliktit të interesit, që sollën shkarkimin e tij. Përsa i përket një apartamenti 157,99 m2, Kolegji thotë se  qëndrimi i shumicës në KPK ishte i drejtë dhe se kishte paqartësi në mënyrën e pagesës së kësaj pasurie. Po ashtu, KPA cilësoi të drejtë mosmarrjen në konsideratë të qëndrimeve të Brocit, duke iu referuar si prova në këtë rast vetëm deklaratave noteriale.

Kolegji argumentoi gjithashtu njësoj si Komisioni se Broci ishte në konflikt interesi në këtë rast. Sipas Kolegjit, fakti që ai nuk kishte dhënë dorëheqjen nga një çështje në të cilën ishte palë edhe shitësi i apartamentit sillte “cënim të besimit të publikut te drejtësia”. “Subjekti nuk duhej të merrte pjesë në vendimmarrjen përkatëse, ku palë ndërgjyqëse ishte një shtetas me të cilin ka pasur apo vazhdon të ketë marrëdhënie preferenciale,” thuhet në arsyetim.

Ngjashmërisht, KPA e gjeti Brocin me probleme për një shtëpi të blerë në vitin 2006 në Durrës me sipërfaqe 147,99 m2 (papafingo). Për këtë pasuri, Kolegji duke marrë të mirëqena pretendimet e Brocit mbi të ardhurat nga qiratë arriti fillimisht në përfundimin se ai nuk kishte pasur burime të ligjshme për të kryer pagesat.

“Në situatën më të mirë për subjektin, do të rezultonte përfundimisht balanca negative prej 229.502,36 lekësh”, thuhet në vendim. KPA shprehet se duke u bazuar vetëm të të ardhurat e konsideruara të ligjshme, bilanci negativ ishte 866 mijë lekë.

KPA rrëzoi po ashtu pretendimin se hetimi për këtë shtëpi kishte qenë i pamjaftueshëm, ndërsa pranoi gjetjet e Komisionit se “subjekti për këtë pasuri ka bërë deklarim të rremë” në lidhje me çmimin duke mos deklaruar faktin që i ishte ulur 10 për qind e tij nga ndërtuesi.

Situata e Brocit në këtë pikë u rëndua edhe nga pjesëmarrja e tij në gjykimin e një çështje me palë kompaninë ku kishte blerë apartamentin. Broci pretendoi se gjykimi ishte bërë 7 vjet pasi ai kishte mbyllur marrëveshjen me Kompaninë, por KPA e kundërshtoi këtë duke arsyetuar se marrëdhëniet me kompaninë dhe ortakët e saj kishin vijuar.

“Duke konsideruar të gjitha këto veprime juridike që në fillesën e tyre, të afektuara me mungesë të burimeve të ligjshme, me mosprovim të pagimit të çmimit të blerjes së apartamentit, me deklarime të rreme për vlerën e këtij çmimi, e më pas me mosprovimin e përfitimit të çmimit të shitjes, me kryerjen e veprimeve juridike të pashpjegueshme në një kontekst logjik e ligjor të qarkullimit civil të sendeve, me veprime që kanë pasur për qëllim shmangien nga pagimi i detyrimeve tatimore, të realizuara me bashkëpunimin e një shoqërie me të cilën subjekti gjendej në kushtet e konfliktit të interesit, e çojnë Kolegjin në konkluzionin se subjekti nuk arriti të provojë se shuma e parave prej 102.000 eurosh, të përfituara në finalizimin e këtij transaksioni e të investuara në bonot e thesarit, ishte krijuar me burime të ligjshme,” thuhet në vendim.

KPA gjeti të provuar edhe një rast të tretë konflikti interesi. Broci sipas Kolegjit nuk kishte dhënë dorëheqjen nga një çështje në Gjykatën e Lartë edhe pse e kishte gjykuar atë më herët në Gjykatën e Faktit. Pretendimet e ish-gjyqtarit se nuk kishte pasur dijeni për konfliktin pasi ankuesi nuk kishte bërë kërkesë për këtë, u rrëzuan nga Kolegji.

KPA po ashtu vuri në dukje edhe probleme të tjera të pasurive të Brocit, përfshi mungesë të ardhurash të lishme për blerjen e një zyrë dhe mungesë provash për të ardhurat nga qiraja.

Kritika për KPK-në

Kolegji në anën tjetër i dha të drejtë Brocit në disa pika të ankimit. KPA pranoi se vlerësimi i shumicës në KPK sa i përket pasaktësive në sipërfaqe të pasurisë 143 metra katrorë në Tiranë ishte i gabuar dhe po ashtu në të njëjtën kohë, pranoi pretendimin e Brocit se njëjta trupë kishte mbajtur qëndrime të ndryshme në raste të ngjashme.

KPA thekson në vendim nevojën për paanësi të institucioneve të vetingut.

“Detyrimin që kanë institucionet e rivlerësimit që të ushtrojnë funksionet e tyre si institucione të pavarura dhe të paanshme, mbi bazën e parimeve të barazisë përpara ligjit, të kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, të proporcionalitetit dhe të parimeve të tjera që garantojnë të drejtën e subjekteve të rivlerësimit për një proces të rregullt ligjor,” citohet në vendim ligji 84/2016.

Por duke vënë në dukje mundësinë e ankimit dhe faktin që KPA kishte mundësi të korrigjonte vendimin e Komisionit, KPA arsyetoi se kjo nuk e cënonte vendimin. “Sa më sipër, ky shkak ankimi është i arsyeshëm, por nuk e bën të cenueshëm vendimin”, thuhet në vendim.

KPA shprehet se vetëm qëndrimi i ndryshëm në raport me precedentët e vendosur nga Kolegji e bënte vendimmarrjen të cënueshme.

“E kundërta e asaj që pretendon subjekti do të ishte problem, pra nëse një standard të mbajtur më parë nga Kolegji, nëpërmjet një arsyetimi të një vendimi ku ka korrigjuar shkeljet procedurale dhe orientuar Komisionin për zgjidhjen e çështjeve të ngjashme, Komisioni nuk e ka zbatuar, atëherë kjo do të mund të përbënte shkak për cenimin e vendimit të Komisionit”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Kolegji nga ana tjetër vë në dukje se përtej këtij momenti, Broci nuk ishte paragjykuar. “Duke u kthyer te rasti në gjykim, trupi gjykues konstaton se subjekti nuk ka qenë i paragjykuar në Komision dhe nuk rezulton të provohet një sjellje diskriminuese apo dualiste”, thuhet në vendim.

KPA gjeti të paprovuar edhe arsyetimin e shumicës se Broci kishte pasuri të fshehur një apartament.  “Përveç pretendimit për hetim të njëanshëm dhe tendencioz në Komision, trupi gjykues e gjen të drejtë këtë shkak ankimi të subjektit, pasi rezulton se nga Komisioni nuk është bërë një hetim i thelluar dhe i plotë për të arritur në një konkluzion të drejtë dhe të bazuar në prova”, thuhet në vendim.

Duke iu referuar vendimit të KPK-së, Kolegji në rastet e evidentimit të konfliktit të interesit kërkoi që Komisioni të “referohej parimeve të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, jurisprudencës së GjEDNj, bazës ligjore në legjislacionin tonë të brendshëm, Kodit të Procedurës Civile, për të përforcuar konkluzionet mbi gjendjet faktike dhe ligjore të situatave të konfliktit të interesave”.

Ndërkohë, Kolegji i cilësoi jo relevante ankimet e ish-gjyqtarit sa i përket vlerësimit të aftësive profesionale, duke u shprehur se ato nuk ishin konsideruar shkarkuese nga Komisioni.

Ankimi mbi procedurën

Në vendimin e zbardhur rezulton se Broci ishte ankuar për konflikt të mundshëm interesi të dy anëtarëve të KPK që votuan për shkarkimin e tij. Ish-gjyqtari pretendon se kishte rënë në dijeni të këtij konflikti vetëm pasi ishte marrë vendimi nga Komisioni. Ai pretendon se për këtë arsye vendimi i KPK ishte “hakmarrje primitive”.

Kolegji ka rrëzuar këto pretendime si të pabazuara në ligj. Kolegji i është referuar faktit se ish-bashkëshorti i komisioneres Sanxhaktari nuk futej në kategorinë e personave që mund të merreshin në konsideratë për konfliktin e interesit. Ndërsa rrëzon si krejtësisht të paprovuar pretendimin për konfliktin me komisioneren Çiftja.

Nga ana tjetër është gjetur i drejtë pretendimi i Brocit se relatoja Valbona Sanxhaktari kishte refuzuar në mënyrë të parregullt ta njihte me hetimin administrativ, pa marrë mendimin e dy anëtarëve të tjerë të trupës.

Por KPA në këtë rast rrëzoi Brocin që pretendonte se kjo cënonte vendimin, pasi ishim para një akti “absolutisht të pavlefshëm”. “Në vlerësimin e trupit gjykues, edhe pse ky akt i datës 04.04.2018 rezulton i parregullt në kuptimin formal, nuk është vendim i ndërmjetëm, por gjithashtu nuk është as akt absolutisht i pavlefshëm, siç pretendon subjekti në ankim dhe, për pasojë, nuk afekton edhe vendimin përfundimtar të çështjes objekt shqyrtimi,” thuhet në vendim.

Në tërësi Kolegji rrëzoi pretendimet e ish-gjyqtarit se “nuk është gjykuar nga një gjykatë e paanshme”. KPA shprehet se “nuk konstatoi njëanshmëri të Komisionit në vendimmarrjen e tij përfundimtare” dhe as shkelje të “standardeve të procesit të rregullt ligjor në Komision”.

Nisur nga këto KPA rrëzoi pretendimet e Brocit për të kaluar çështjen në seancë publike. Kolegji po ashtu refuzoi të marrë prova të reja nga gjyqtari duke konsideruar se ai kishte pasur mundësi t’i paraqiste ato në KPK dhe se ato nuk ishin të rëndësishme për vendimmarrjen. Ngjashëm, KPA refuzoi të marrë në konsideratë edhe disa denoncime shtesë ndaj gjyqtarit.