Lajm6 Nov 2019

Kontaktet me të dënuarin në Greqi “djegin” prokurorin Përparim Kulluri

Prokurori i Krimeve të Rënda, Përparim Kulluri u shkarkua nga detyra pas problemeve me pastërtinë e figurës dhe pasurinë.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori pranë Prokurorisë së Shkallës së Pare për Krimet e Renda ne Tirane, Perparim Kulluri, | Foto : LSA

Prokurori i Krimeve të Rënda, Përparim Kulluri u shkarkua nga detyra mëngjesin e së mërkurës për shkak të lidhjes me një person të dënuar në Greqi për kultivim narkotikësh, dhe po ashtu i gjykuar në Shqipëri për tentativë vrasjeje.

Vendimi u shpall nga trupa gjyqësore e KPK-së, e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtar Lulzim Hamitaj.

Përparim Kulluri e ka filluar karrierën e prokurorit në Vlorë në vitin 1999. Ai është bërë pjesë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në vitin 2004, ndërsa në vitet 2008-2013 ka drejtuar Prokurorinë e Shkodrës.

Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kulluri kishte disa kontakte me një person me inicialet A.B dhe me emër të ndryshuar në M.B. Personi në fjalë sipas Bekteshit ishte dënuar në Greqi për prodhim e tregtim narkotikësh. Ai po ashtu kishte qenë në gjykim në Shqipëri për vrasje dhe vrasje të mbetur në tentative si dhe ishte proceduar edhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për trafik ndërkombëtar narkotikësh.

KPK ngriti dyshime se Kulluri kishte disa komunikime në vitet 2012-2014 me personin me iniciale A.B dhe kishte përdorur për 7 kalime jashtë vendit makinën e këtij personi.

Kulluri nga ana e tij kundërshtoi gjetjet. Ai pranoi se njihte A.B, por tha se kjo njohje kishte ndodhur në vitet 90’ kur ishin studentë dhe se prej asaj kohe ai nuk e kishte takuar asnjëherë më atë person.

Kulluri u mbrojt me argumentin se nuk kishte pasur dijeni se makina që kishte përdorur ishte e A.B, pasi e kishte marrë atë nga pronari i një servisi, i cili i kishte thënë vetëm që ishte makina e një miku të tij që nuk kishte pasur mundësi të paguante për servisin. Ai pretendoi se në letra të makinës ishte emri M.B dhe se ai nuk kishte qenë në dijeni që A.B, kishte ndërruar emrin.

Përveç problemeve me figurën, Kulluri u përball edhe me dyshimet se kishte bërë deklarim fiktiv për një dyqan të shpronësuar në Vlorë, me qëllim rritjen e vlerës së dëmshpërblimit. Nga prishja për interes publik e dyqanit, Kulluri ka përfituar përmes një vendimi gjyqësor rreth 7.8 milionë lekë dëmshpërblim.