Lajm30 Sep 2021

Kosova dhe Serbia bien dakord t’i japin fund bllokimit në kufi, pa një zgjidhje për targat

Kosova do të tërheqë forcat speciale të policisë dhe serbët do t'i japin fund bllokadave të rrugëve sipas një marrëveshjeje për t'i dhënë fund ngërçit të tensionuar gati dy javor në kufi, por ende nuk është gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjen e tyre mbi targat e automjeteve.

Autor: Përparim Isufi, Milica Stojanovic BIRN Prishtinë, Beograd
Printo

Forcat speciale të policisë së Kosovës në pikën kufitare të Jarinjes, e cila u bllokua nga serbët e Kosovës. Foto: BIRN/Valon Fana

Miroslav Lajçak, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, njoftoi të enjten se është arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes, por pa një zgjidhje rreth njohjes së targave të automjeteve.

Serbët nisën bllokadën e tyre dhe Kosova vendosi forcat speciale të policisë në zonën kufitare pas fillimit të mosmarrëveshjes më 20 shtator mbi këmbënguljen e Kosovës se automjetet me targa serbe duhet t’i ndryshojnë në ato me targa të përkohshme të Kosovës kur hyjnë në vend, siç janë të detyruara të bëjnë automjetet e Kosovës kur hyjnë në Serbi.

Marrëveshja thotë se “njësitë speciale të policisë të Kosovës të vendosura aktualisht në pikat e kalimit kufitar në Jarinje dhe Brnjak do të hiqen njëkohësisht me bllokimet e rrugëve duke filluar më 2 tetor 2021 në orën 08:00 dhe përfundojnë jo më vonë se ora 16:00.

“Forca paqeruajtëse e NATO -s në Kosovë, KFOR, do të vendoset në pikat e kalimit kufitar në Jarinje dhe Brnjak dhe do të qëndrojë për rreth dy javë për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes”, shton ajo.

Nga e hëna, si një “masë e përkohshme derisa të gjendet një zgjidhje e përhershme”, në pikat kufitare do të vendosen afishe mbi simbolet kombëtare e targave të secilit vend në mënyrë që ato të mbulohen, sipas marrëveshjes.

Një grup pune i përbërë nga përfaqësues të BE-së, Beogradit dhe Prishtinës do të krijohet për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave.

“Takimi i parë i Grupit të Punës do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i tij i parë, Grupi i Punës do t’ia prezantojë gjetjet e tij mbi një zgjidhje të përhershme” një formati të nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi”, thuhet në të.

Duke folur nga Beogradi disa minuta pas njoftimit të Lajçak të enjten, presidenti Aleksandër Vuçiç tha se Serbia është e kënaqur me dokumentin.

Vuçiç tha se më e rëndësishmja është tërheqja e forcave speciale të policisë së Kosovës nga dy pikat kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, Jarinje dhe Brnjak.

“Tërheqja forcave speciale të policisë së Kosovës është planifikuar dhe ne besojmë se kjo është një shenjë e mirë se në të ardhme veprime të tilla nga shqiptarët e Kosovës ose nuk do të ndodhin ose do të hasin në rezistencë edhe më të fortë nga populli serb dhe se do të jetë plotësisht dhe pa mëdyshje e qartë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë”, tha Vuçiç në një konferencë për shtyp.

Ai tha se ishte rënë dakord që nuk do të ketë më ndërrim të targave serbe me targa të përkohshme të Serbisë kur të hyjnë në Kosovë dhe asnjë heqje të targave të Kosovës të lëshuara nga Serbia.

“Ata nuk mund t’i heqin pllakat tona, nuk mund të japin targa të përkohshme për zonën e Kosovës dhe Metohisë, por do të vendosin një afishë në simbolin kombëtar serb. Targat nuk do të hiqen dhe nuk do të ketë asnjë kosto”, tha Vuçiç.

Kjo është marrëveshja e parë e arritur midis dy palëve që kur diplomati sllovak Lajçak mori përsipër ndërmjetësimin e dialogut në prill 2020 dhe gjithashtu e para që kur Albin Kurti u bë kryeministër i Kosovës në mars të këtij viti.

“Pas dy ditësh negociatash intensive, sapo është arritur një marrëveshje për de-përshkallëzimin dhe rrugën përpara. Falënderoj negociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe për të rënë dakord për të mirën e njerëzve”, shkroi Lajçak në Twitter.