Zyrtarët festuan përvjetorin e nëntë të pavarësisë së Kosovës, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka dërguar një letër në mbështetje të një Kosove “sovrane, multietnike, demokratike”.
Zyrtarët e Kosovës e shënuan ditën e pavarësisë së vendit të premten me një seri ngjarjesh që filluan me një ceremoni në varrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova në Prishtinë.
Ata gjithashtu bënë nderime në kompleksin memorial të fshatit Prekaz që përkujton themeluesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin, i cili u vra bashkë me 50 të tjerë kur forcat jugosllave rrethuan shtëpinë e tij në fshat në vitin 1998.
“Kujtojmë të gjithë ata që sakrifikuan jetën për shtetin e Kosovës, ata që dhanë jetët për liri, veçanërisht familjen Jashari, të cilët po e nderojmë sot – një familje që sakrifikoi veten për shtetin e Kosovës dhe për atë që ne po festojmë sot, hedhjen e themeleve të këtij shteti,” tha kryeministri Isa Mustafa.
Duke folur në parlament të enjten, presidenti Hashim Thaçi tha se gjatë nëntë viteve të shkuara, Kosova ka krijuar institucione demokratike dhe ka punuar për krijimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët.
“Sot jemi të angazhuar për të vazhduar punën që Kosova të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-s… Është detyra jonë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për veten, por gjithashtu për brezat e ardhshëm,” tha ai.
Thaçi ndërkohë publikoi në faqen e tij në Facebook të enjten një letër urimi që mori nga presidenti amerikan Donald Trump.
“Partneriteti mes vendeve tona bazohet te vlerat dhe interesat e përbashkëta. Një e ardhme sovrane, multietnike dhe demokratike e Kosovës shtrihet në një rajon Ballkani të qëndrueshëm dhe të begatë që është i integruar plotësisht në komunitetin ndërkombëtar,” tha Trump në letrën për Thaçin.
“Presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të gjerë dhe të thellë, të përqendruar në rritja e mbështetjes për zhvillimin demokratik dhe ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me fqinjët dhe kundër-ekstremizmin e dhunshëm dhe luftëtarët e huaj terroristë,” thuhej më tej në letër.
Ka pasur shqetësime se administrata e Trump, e etur për të përmirësuar marrëdhëniet me aleatin e Serbisë, Rusinë, nuk do të ishte mbështetëse ndaj Kosovës si administrata e mëparshme e SHBA.
Trump gjithashtu uroi Kosovën për suksesin e lidhur me sportet në vitin e shkuar.
Vendi u bë anëtar i UEFA-s në maj 2016.
Disa ditë më vonë, pavarësisht kundërshtimit nga Serbia, Kosova u pranua si anëtare në FIFA, gjë që e lejoi të konkurronte në Kupën Botërore për herë të parë.
Në gusht 2016, Rio ishte Olimpiada e parë ku atletët e Kosovës përfaqësuan flamurin e vendit të tyre.
Majlinda Kelmendi më pas u bë e para atlete kosovare që solli në shtëpi një medalje arti me flamurin e vendit. Në Olimpiadën e Londrës 2012, Kelmendi konkurroi nën flamurin shqiptar.
Një tjetër sukses për Kosovën erdhi në maj 2016, kur Komisioni Europian rekomandoi liberalizimin e vizave, për ta futur vendin në listën ku nuk nevojiten viza.
Megjithatë Komisioni Europian tha se Kosova duhet të shtojë përpjekjet për të sulmuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, që opozita e refuzon dhe që ka nxitur protesta në rrugë, të cilat përfunduan në përplasje me policinë në Prishtinë.
Një tjetër sukses në dhjetor që marrja e prefiksit të Kosovës, 383, pas më shumë se një viti kur Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje mbi telekomunikacionin në Bruksel.
Kryeministri shqiptar Edi Rama gjithashtu mori pjesë në festimet e të premtes dhe në seancën parlamentare të të enjtes.
“Ditë pas dite, Kosova dëshmon se është një shembull i ndritur i bashkëjetesës së njerëzve të llojeve të ndryshme,” tha Rama.