Lajm15 Jan 2020

Kosova përkujton 21-vjetorin e masakrës së Reçakut

Kosova po përkujton masakrën e 15 janarit 1999 në fshatin Reçak, e cila çoi në ndërhyrjen e mëpasshme të NATO-s për t’i detyruar forcat serbe t’i jepnin fund fushatës së tyre ushtarake.

Autor: Përparim Isufi BIRN Prishtinë
Printo

Varret në Reçak. Foto arkiv: BIRN.

Të mërkurën po mbahen homazhe për të shënuar 21 vjetorin e masakrës nga forcat serbe në fshatin Reçak të Kosovës, kur u vranë 44 persona.

Masakra u bë e njohur nga shefi i misionit të verifikimit të armëpushimit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili vizitoi vendin e ngjarjes të nesërmen dhe e deklaroi atë një “krim kundër njerëzimit”.

Kjo masakër u bë një nga incidentet kryesore që e shtyu NATO-n të niste fushatën e saj të bombardimeve për të detyruar tërheqjen e forcave të presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç nga Kosova.

Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia bënë një deklaratë të përbashkët të martën duke përkujtuar masakrën.

“Ne e nderojmë kujtimin atyre që humbën jetën në Reçak dhe në të gjitha masakrat e tjera në Kosovë dy dekada më parë duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme me paqe, drejtësi dhe begati për brezat e ardhshëm”, thuhej në deklaratë.

Deklarata u bëri thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë të garantojnë që viktimat e luftës dhe familjet e tyre të kenë qasje të plotë në drejtësi dhe informacione në lidhje me fatin e të dashurve të tyre.

Kreu i zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova, gjithashtu përdori përvjetorin për të bërë thirrje për drejtësi.

“Përkujtimorja e këtyre ngjarjeve të mirëdokumentuara na kujton rëndësinë e paqes, drejtësisë dhe pajtimit. Mendimet dhe lutjet e mia janë për familjet e viktimave. Viktimat u prefshin në paqe”, shkroi Apostolova në Twitter.

Forcat serbe të sigurimit kishin rrethuar Reçakun dhe filluan ta sulmojnë atë në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999. Ata hynë në fshat dhe bastisën shtëpitë një nga një. Disa burra u përpoqën të fshiheshin, por u zbuluan, u rrahën, u morën dhe u qëlluan. Gjithsej 44 fshatarë u vranë.

Beogradi fillimisht këmbënguli se viktimat ishin të gjithë luftëtarë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇK.

Por pasi vizitoi fshatin, kreu i misionit të OSBE-së Walker tha se viktimat ishin civilë.

Sulmi qe pjesë e aktakuzës së Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë  kundër Sllobodan Millosheviçit, por nuk u dha asnjë vendim sepse ai vdiq në vitin 2006.

Komandanti i policisë speciale serbe Goran Radosavljeviç, i njohur ndryshe si Guri, ishte ai që udhëhoqi operacionin famëkeq.

Radosavljeviç, i cili që atëherë ka dalë në pension, por që shërben ende në bordin e Partisë Progresive në pushtet në Serbi, ka mohuar që njerëzit e tij të kenë vrarë civilë, duke këmbëngulur se të gjithë ata që vdiqën ishin terroristë

Masakra zuri përsëri titujt kryesorë të lajmeve në Serbi dhe Kosovë muajin e kaluar kur një gjykatë e Prishtinës dënoi Ivan Todosijeviçin, një ish-ministër në qeverinë e Kosovës dhe një deputet i Listës Serbe të mbështetur nga Beogradi, për pretendimin e tij se masakra ishte “sajuar” nga “terroristët shqiptarë ”.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç reagoi me zemërim ndaj vendimit të gjykatës për Todosijeviçin, duke e akuzuar Walkerin se ai ishte përgjegjës për falsifikimin e pretenduar të masakrës.

“E gjitha kjo u sajua nga ai mashtruesi global, Walkeri”, tha Vuçiç.

Ëalker është rikthyer në Kosovë për të marrë pjesë në përkujtimoren e ditës së mërkurë të masakrës.

Duke folur në lidhje me komentet e presidentit, Walker tha se “Vuçiçi e di atë që ndodhi në Reçak” – duke iu referuar rolit të mëparshëm të Vuçiçit si Ministër i Informacionit i Jugosllavisë, një post të cilin ai e mbante gjatë kohës që ndodhi masakra.

“Jam i sigurt se ai e di që masakra ndodhi. Ai ishte pjesë e komandës. Ai mund ta quajë si të dëshirojë. Mund t’i thotë mbështetësve të tij se unë jam një mashtrues global, një gënjeshtar e gjithçka tjetër. Ai ka gjëra më të mira për të bërë në jetën e tij 21 vjet pas këtij akti makabër nga forcat serbe”, tha Walker për televizionin T7 në Prishtinë të hënën.

Vuçiç vazhdoi kritikat e tij ndaj Walker të martën para përvjetorit të masakrës, duke i thënë diplomatit amerikan me sarkazëm “iku koha jote, William” dhe duke thënë se “Serbia sot nuk është më një grusht tërshëre që mund ta çukisësh siç bëre në vitin 1999”.