Lajm26 Jul 2019

KPA mbyll hetimin për vlerësimin profesional të gjyqtarit Gentian Medja

KPA vendosi të mbyllë hetimin gjyqësorë për rivlerësimin profesional të gjyqtarit Gentian Medja, pasi administroi si prova shkresa nga KLGJ dhe Shkolla e Magjistraturës. Kolegji e ka lënë ende të hapur vendimmarrjen për një projekt-metodologji për vlerësimin e kërkuar nga Komisioneri, por e kundërshtuar nga Medja.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Kolegji i Posaçëm i Apelimit në seancën e subjektit Gentjan Medja në Tiranë më 17 korrik 2019. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, vendosi të premten, më 26 korrik të mbyll hetimin gjyqësor për çështjen lidhur me ankimin e kryer nga Komisioneri Publik Florian Ballhysa ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për konfirmimin në detyrë me shumicë votash të gjyqtarit të Gjykatës Administrative Tiranë, Gentian Medja, të cilit ju evidentuan probleme në kriterin e profesionalizmit.

Pasi trupa e Kolegjit vendosi të administrojë si prova dokumentet dhe aktet e mbërritura nga Shkolla e Magjistraturës, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ato të depozituara nga gjyqtari Gentian Medja, vendosi të premten t’i japë fund hetimit gjyqësor dhe tu kërkojë palëve të paraqesin konkluzionet përfundimtare.

Në seancën e 17 qershorit, Komisioneri Publik kërkoi para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të rivlerësojë gjyqtarin Gentjan Medja për kriterin e aftësive profesionale në bazë të një metodologjie të re dhe të detajuar të propozuar prej atij vetë. Kërkesa e Ballhysës u kundërshtua si antikushtetuese dhe përtej detyrave që i ngarkon ligji KPA-së.

Medja u konfirmua në detyrë në korrik 2018 pasi doli i përshtatshëm në të treja kriteret, por vlerësimi profesional për të shkaktoi debate. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pati konkluduar se vendimet e Medjas të shqyrtuara si pjesë e rivlerësimit profesional, kishin mangësi, përfshirë mosrespektim të afateve të gjykimit, moszbardhje të vendimeve dhe urdhrave të gjykatës si dhe referenca të gabuara të ligjeve. Këto probleme u justifikuan nga Medja para Komisionit, si rrjedhojë e mbingarkesës anormale në punë të gjyqtarëve të gjykatave administrative.

Gjatë seancës së të premtes, kryesuesja e trupës gjykuese të Kolegjit, Natasha Mulaj, tha se bazuar në kërkesat e Komisionerit për administrimin e provave nga tre burime: mendimin e Kryetarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, lidhur me etikën dhe raste të mundshme të konfliktit të interesit; dosjen e magjistratit pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor si dhe dosjen nga Shkolla e Magjistraturës për angazhimin akademik, janë kryer kërkesat dhe se ka mbërritur dokumentacioni i kërkuar.

Më pas, relatori i çështjes, Luan Daci shpjegoi se KPA-së i ishtë vënë në dispozicion dosja e plotë e  Medjas nga Shkolla e Magjistraturës dhe dokumentet e dosjes së magjistratit të KLD-së e KLGJ-së. Ai shtoi se KPA u ka vënë palëve në dispozicion nga një kopje të gjithë dokumentacionit të mbërritur.

Komisioneri Ballhysa sqaroi se ishte njohur me këto dokumente nëpërmjet email-it, por vuri në dukje se dokumentacioni nuk është përcjellë me inventar dhe kërkoi respektimin e procedurës lidhur me këtë gjë. Edhe gjyqtari Gentian Medja u shpreh se ishte njohur me gjithë dokumentacionin nëpërmjet email-it.

Më pas kryesuesja Natasha Mulaj renditi gjithë dokumentacionin e mbëritur; përkatësisht nga KLGj, dekretet e emërimeve të gjyqtarit Medja, diploma nga Universiteti i Shkodrës, vlerësimi “shumë mirë” gjatë periudhës 2005-2006 si gjyqtar, vlerësimi për periudhën 2007-2009, tabelat e çështjeve të gjykuara dhe nga Shkolla e Magjistraturës; vlerësimi i kryetarit të Gjykatës Administrative dhe përmbledhje të trajnimeve për periudhën 2005-2019, vlerësimet për periudhën 2002-2005 të stazhit paraprofesional si edhe disa dokumente të tjera.

Ballhysa dhe Medja konfirmuan të dy se të njëjtat dokumente u kishin mbërritur në adresat e tyre të e-maileve.

Pyetjes së kryesueses së trupës së Kolegjit, Natasha Mulaj për dakortësinë e administrimit të këtyre dokumenteve si prova ju përgjigj pozitivisht vetëm Komisioneri Ballhysa. Ndërsa gjyqtari Medja tha se ashtu si edhe më parë mban qëndrimin se këto dosje nuk duhet të administrohen e vlerësohen. Ai shtoi se kishte vënë në dispozicion dokumente edhe për një trajnim që kishte kryer, por që nuk ishte shënuar.

Më pas, gjyqtari Medja i kërkoi Kolegjit që të shprehej përfundimisht për metodologjinë e re dhe depozitoi pranë Kolegjit dy akte për tu konsideruar si prova, një vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD “Për miratimin e dokumenteve për ecurinë e procesit të rivlerësimit kalimtar të subjketeve të rivlerësimit” dhe vendimin shkurtit 2019 “Mbi miratimin e rregullores për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Përkohshëm të Vlerësimit Etik dhe profesional në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve” të Këshillit të Lartë Gjyqësorë. “Në mendimin tim KPA është jashtë kompetencave lidhur me metodologjinë e diskutuar”, pohoi gjyqtari Medja.

Pasi trupa u tërhoq për disa minuta për të vlerësuar kërkesën e Medjas për administrimin si prova të vendimeve të KLD-së e KLGJ-së, para se të shprehej për vendimin, kryesuesja Natasha Mulaj pyeti komisionerin Ballhysa se çfarë mendonte lidhur me këto dy akte dhe kërkesën e Medjas për administrimin e tyre si prova. Ballhysa tha se e linte në çmim të gjykatës.

Kolegji mori vendim të ndërmjetëm për administrimin si prova të akteve të mbërritura nga KLGj dhe Shkolla e Magjistraturës. Gjithashtu, Mulaj tha se trupa vendosi të marri në konsideratë vendimet e KLD dhe KLGj të depozituara nga gjyqtari Medja, të cilat sipas saj do të shqyrtohen gjatë fazës së analizimit të çështjes në funksion të vendimit përfundimtar.

Komisioneri i konsideroi dy vendimet e KLD dhe KLGJ të dorëzuara nga Medja si akte nënligjore, ndërsa theksoi se me dokumentet e dërguara nga KLGJ dhe Shkolla e Magjistraturës pranë KPA mund të procedohet me metodologjinë e re duke qenë se ato janë të plota.

Pasi palët u shprehën se nuk kishin kërkime të tjera, anëtarja e trupës, Ina Rama i tha Komisionerit Ballhysa se kërkonin të dinin mendimin e tij për vazhdimësinë e procesit. Komisioneri pohoi se kërkesa e që ka bërë ka pasur të bëjë me miratimin e një metodologjie për vlerësimin profesional të subjekteve të rivlerësimit. “KPA ka një projekt-metodologji, por nuk di të jetë miratuar”, tha Ballhysa.

“Jemi në momentin dhe para mundësisë kur Kolegji mund t’i kërkojë njësisë ligjore të vlerësojë projektin për metodologjinë dhe pasi të na i paraqisni mund të shprehemi”, shtoi ai. Ndërkohë, Medja u shpreh se vlerësimin e aftësive profesionale e kryen Kolegji dhe jo njësia ligjore.

Trupa e Kolegjit u tërhoq për të shqyrtuar kërkesat e kryera dhe vendosi të mos pranoj kërkesën e Komisionerit për kryerjen e një vlerësimi paraprak nga njësia ligjore të projekt –metodologjisë.  Më pas u njoftua mbyllja e hetimit gjyqësor, ndërsa u ftuan palët për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. Atyre iu dha kohë deri në datë 9 shtator, ora 10:00.