Lajm7 Oct 2021

KPA prish vendimin për ndërprerjen e vetingut për Shkëlqim Mirin

Kolegji pranoi ankimin e Komisionerit Publik, Darjel Sina për ish-gjyqtarin e dënuar për korrupsion, Shkëlqim Miri. Ankimi ka për qëllim unifikimin e praktikës ligjore për gjyqtarët e dënuar për korrupsion.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Anetaret e trupes gjykuese te KPA, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Sokol Como, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, gjate nje seance te Kolegjit te Posacem te Apelimit, KPA | Foto : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të enjten se kishte rrëzuar vendimin e KPK-së për ndërprerjen e procesit të vetingut për ish-gjyqtarin Shkëlqim Miri, i dënuar me vendim të formës së prerë për korrupsion.

Ndryshe nga herët e tjera, seanca publike për shpalljen e vendimit nuk u shfaq online në faqen zyrtare të KPA-së. Në njoftimin e Kolegjit thuhet se trupi gjykues, i kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Natasha Mulajn dhe anëtarë Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Ardian Hajdari, me shumicë votash vendosi të prishë vendimin e KPK-së për Mirin.

Shkëlqim Miri e humbi statusin e magjistratit për shkak të dënimit të formës së prerë për veprën penale të korrupsionit. Ai u arrestua në nëntor 2017, ndërsa iu kapën afro 33 milionë lekë para të thata në shtëpi. Më vonë Miri u dënua për “korrupsion pasiv” në favor të një personi të dënuar për vrasje.

KPK e ndërpreu procesin e vetingut për ish-gjyqtarin Miri më 23 prill, pasi KLGj vendosi më parë ta shkarkojë atë nga detyra si pasojë e dënimit të formës së prerë me dy vjet burg. Sipas Komisionit, shkarkimi nga KLGJ ka sjellë edhe përfundimin e statusit të magjistratit për Mirin dhe për rrjedhojë vendosi ndërprerjen e procesit të rivlerësimit.

Komisioneri Publik e ankimoi vendimin e KPK, duke u bazuar edhe në një arsyetim të ndryshëm të KPK-së në vendimin ndaj ish-gjyqtarit Ibrahim Hoxha- edhe ky i dënuar me 2 vjet burg për korrupsion, për të cilin procesi i vetingut në shkallën e parë u mbyll pa vendim.

Sipas komisionerit Darjel Sina që ka kryer të dy këto ankime, për efekt të procesit të rivlerësimit, janë organet e reja kushtetuese të rivlerësimit që do të vendosin përfundimisht mbi pasojat që sjell procesi i vetingut.

Duke iu referuar parashikimeve kushtetuese, Sina vëreni se pas shpërbërjes së Komisionit, çështjet e papërfunduara të rivlerësimit shqyrtohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe se klasifikimi i çështjeve si të papërfunduara u mundëson organeve të tjera të drejtësisë të kryejnë rivlerësimin e tyre.

Në rastin e ish-gjyqtarit Hoxha, për të cilin Komisioni e ka vendosur ta ndëpresë rivlerësimin pa një vendim përfundimtar, Sina argumentoi se nëse ky subjekt shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Lartë, atëherë mund të rifitojë statusit e magjistratit.