Lajm9 Oct 2019

KPA ‘vulos’ shkarkimin e gjyqtarit të Apelit të Korçës

Trupa e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendosi unanimisht shkarkimin përfundimtar të Sotiraq Lubonjës për shkak të problemeve me pasurinë.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari Sotiraq Lubonja gjatë seancës dëgjimore të KPK-së | Foto nga : Besar Likmeta

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të martën shkarkimin përfundimtar të gjyqtarit të Apelit të Korçës, Sotiraq Lubonja nga sistemi i drejtësisë. Gjykimi për Lubonjën përfundoi në dhomë këshillimi nga trupa gjykuese e kryesuar nga Ina Rama dhe me anëtarë Luan Daci, Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Sokol Çomo.

Vendimi për Lubonjën u mor në mënyrë unanime nga trupa gjykuese dhe ka efekt të menjëhershëm. Sotiraq Lubonja kaloi me prioritet në veting si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe u shkarkua nga KPK-ja më 8 tetor 2018 për shkak të problemeve me pasurinë dhe dhuratat nga familjarët.

Sipas KPK-së, gjyqtari kishte deklaruar shtëpi banimi me sipërfaqe 61 m2 në Korçë, por nuk kishte deklaruar shtesat pa leje që sipas Komisionit i kishin kushtuar 6.37 milionë lekë dhe për të cilat, gjyqtari Lubonja nuk kishte burime të mjaftueshme.

Lubonja kishte deklaruar gjithashtu rreth 4 milionë lekë dhurata nga e ëma e ndjerë gjatë periudhës që ajo ka qenë pensioniste, për të cilat kjo e fundit nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme. Gjithashtu, në vitin 2005 vjehrri me banim në SHBA, ka bërë një depozitë në emër të bashkëshortes së subjektit me vlerë 25,000 USD. Vjehrri, në vite të ndryshme ka bërë dhurata ndaj djemve të subjektit me vlerë 11,000 euro dhe 5000 USD. Ai gjithashtu i ka dhuruar çiftit Lubonja pensionin e tij në Shqipëri në vitin 2015 dhe 2017 me vlerë 300 mijë lekë dhe 500 mijë lekë.