Analize10 Jul 2019

KPK e quan “joprofesional” për çështjen ‘Shullazi’, por e konfirmoi Nakuçin në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit fshikulloi largimin e prokurorit Ened Nakuçi pa lajmëruar eprorët nga çështja kundër Emiljano Shullazit, por vendosi ta referojë rastin për procedim disiplinor, bashkë me tre probleme të tjera të gjetura në kriterin e aftësive profesionale.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori i Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi pas vendimit të konfirmimit në detyrë nga KPK. Foto: LSA.

Vendimi i zbardhur i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për prokurorin Ened Nakuçi përfshin në arsyetim fjali si: “ka treguar një sjellje tepër joprofesionale” apo “një sjellje neglizhente si rezultat i gabimeve thelbësore dhe serioze në aspektin hetimor dhe investigues”.

Megjithatë, treshja që hetoi rastin e Nakuçit dhe u fokusua kryesisht në kriterin e aftësive profesionale, arsyetoi se ai arrinte “nivel minimal” në këtë kriter dhe e konfirmoi në detyrë.

Trupa e kryesuar nga Xhensila Pine, me relator Roland Ilia dhe anëtare Valbona Sanxhaktari vendosi po ashtu ta dërgonte prokurorin e Krimeve të Rënda për “procedim disiplinor” për  katër çështje.

Përgjatë arsyetimit, Komisioni e cilëson Nakuçin si joprofesional për largimin nga Shqipëria pa njoftuar drejtuesit, në një kohë kur akuza duhej të përgatiste konkluzionet për çështjen ndaj Emiljano Shullazit dhe të tjerëve, një hetim i kryer deri në atë pikë nga ai.

KPK  gjeti probleme edhe sa i përket pushimit të hetimeve për një grup të dyshuar për trafik narkotikësh dhe ngriti gjithashtu pikëpyetje për etikën lidhur me një rast të largimit nga vendi i një aksidenti.

Në përgjigje të pyetësorëve të KPK-së, Nakuçi e ka justifikuar largimin nga çështja “Shullazi” me arsyet shëndetësore si një “rast fator”, duke shpjeguar se kishte qenë “i shokuar” dhe se nuk kishte pasur kohë të bënte njoftim formal të eprorëve. Ai po ashtu ka kundërshtuar edhe gjetjet e tjera të KPK-së.

Ened Nakuçi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si prokuror i Prokurorisë së Tiranës. Në vitin 2003, ai është emëruar Prokuror i Krimeve të Rënda, detyrë të cilën vazhdon ta ushtrojë prej 16 vitesh. Nakuçi është një ndër 22 kandidatët që po vazhdojnë garën për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, e cila njihet më së shumti me akronimin e saj SPAK.

Çështja “Shullazi”

Largimi nga çështja kundër Emiljano Shullazit, pak para se Prokuroria të lexonte pretencën duket si problemi kryesor që iu ngrit Nakuçit gjatë procesit të rivlerësimit. KPK citon një raport nga Drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, sipas së cilit Nakuçi kishte “braktisur detyrën papritmas dhe pa njoftim paraprak, pa komunikuar drejtpërdrejt me drejtuesin e prokurorisë dhe pa u dorëzuar asnjë dosje kolegëve të tij”.

Raporti bën me dije se drejtuesit mësuan më vonë se largimi kishte lidhje me një trajtim mjekësor për më shumë se 45 ditë. “Duket sikur ky veprim i subjektit shkaktoi shumë vështirësi organizative për trajtimin e duhur të çështjes në gjykatë,” thuhet në vendimin e zbardhur.

Çështja ndaj Emiljano Shullazit dhe disa të akuzuarve të tjerë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, u fut në konfuzion pasi një nga prokurorët e çështjes u transferua në krye të Prokurorisë së Tiranës, ndërsa Nakuçi u largua për arsye shëndetësore.

Rishortimi i çështjes dhe procesi i caktimit të prokurorëve solli përplasje mes prokurorëve të Krimeve të Rënda, Drejtueses Donika Prela dhe Prokurores së Përgjithshme Arta Marku. Disa prokurorë u ndëshkuan me masa disiplinore për shkak të kësaj përplasjeje. Dosja u përfaqësua më pas në gjykatë nga 4 prokurorë dhe Shullazi dhe të akuzuarit e tjerë u dënuan me 55 vjet burg. Dosja po shqyrtohet në Gjykatën e Apelit.

Në shpjegimet e tij, Nakuçi tha se largimi kishte qenë i detyruar. Ai citohet në vendim të ketë thënë se “largimi i tij nga Shqipëria në Itali për arsye shëndetësore ishte rezultat i një këshille të dhënë nga kirurgu urolog, Dr. R.Xh”.

Në vendimin e KPK-së rezulton se prokurori ka pretenduar se “ishte i shokuar dhe se në përpjekje për të gjetur një klinikë jashtë vendit, njoftimi i drejtuesve nuk kishte qenë në fokusin e tij.

Por ai shtoi se para se të largohej, i kishte lënë çelësin e zyrës një oficeri të policisë gjyqësore, të cilit po ashtu i kishte lënë porosi për dosjen dhe se të nesërmen ishte përpjekur të njoftonte drejtuesit, por nuk kishte arritur dot ta bënte këtë.

Argumentet e tij nuk duket se e kanë bindur Komisionin.

“Komisioni është i mendimit se qëndrimi i subjektit, në fillim të shtatorit 2018, kur u largua nga vendi për një trajtim mjekësor në Itali, ka treguar një sjellje tepër joprofesionale,” thuhet në vendim.

Aty thuhet se ndërsa nuk kishte njoftuar drejtuesit, prokurori kishte gjetur kohën “për të rezervuar një biletë për në Itali pranë një agjencie udhëtimi” dhe po ashtu të informonte oficerin e policisë gjyqësore. KPK shprehet se ai “duhet të kishte njoftuar shefin e zyrës në mënyrë më të përshtatshme”.

Sipas KPK-së, Nakuçi deklaroi se largimi i tij për arsye shëndetësore ishte parashikuar në legjislacion si një “rast fator”, i cili nuk mund të parashikohej se kur do të ndodhte.

Por Komisioni del kundër këtij arsyetimi. Duke shpjegur se “rasti fator” kishte të bënte me një rrethanë të jashtëzakonshme, përtej kontrollit të palës dhe i pavarur nga vullneti i tij, i cili nuk mund të parandalohet ose eliminohet dhe pengon plotësisht ose pjesërisht zbatimin e detyrimeve ose të të drejtave”.

KPK thotë se ishte e qartë që “ky nuk ishte rasti” sa i përket mundësive të Nakuçit për të vënë në dijeni eprorët.

Megjithatë, në dukje ndryshe nga vendime të tjera të KPK-së, në fund të parashtrimit për këtë rast nuk bëhet me dije nëse kishte shkelje apo jo. Po ashtu, nga formulimi duket se KPK ka marrë parasysh argumente të tjera paraqitura nga Nakuçi sa i përket gjetjeve të KPK-së mbi “rastin fator” të cilat nuk janë përmendur në vendim përveç se si shënime në fund të faqes.

“Për këtë subjektit iu kërkuan shpjegime në rezultatet e hetimit dhe subjekti i paraqiti ato,” thuhet në vendim. Ndërsa në fusnotë bëhet me dije se këto argumente ishin në përgjigjet dërguar Komisionit pas bërjes me dije të rezultateve të hetimit.  Në vendim nuk bëhet me dije nëse këto argumente patën ndonjë ndikim.

Rasti sipas vendimit është përfshirë në listën e katër referimeve disiplinore “pranë organit kompetent” që KPK ka bërë për Nakuçin. Fati i këtyre referimeve është i paqartë sa kohë mungon institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, i cili duhej të bënte hetimet.

Tre referimet e tjera disiplinore

Vendimi i zbardhur lë të kuptohet se analiza finaciare ndaj Nakuçit, edhe duke mos marrë në konsideratë 5 mijë euro hua nga të afërmit kishte rezultuar pozitive. KPK arsyeton se prokurori kishte burime të mjaftueshme për të krijuar pasurinë dhe vetëm në vitin 2015 rezultonte me bilanc negativ prej 50 mijë lekësh, shumë që nuk është parë si e rëndësishme.

Po ashtu hetimi nuk gjeti probleme sa i përket figurës së Nakuçit dhe ai u cilësua i përshtatshëm për të vijuar detyrën edhe sa i përket këtij kriteri.

Por në kriterin e profesionalizmit, KPK është ndalur në disa momente. Komisioni thotë se nga dosjet e shortuara rezultoi një vendim pushimi për një grup të dyshuar për trafik narkotikësh. Edhe këtu, ashtu si në rastin e sipërpërmendur, Komisioni është i ashpër në gjuhën e përdorur ndaj Nakuçit.

Sipas KPK, ai kishte regjistruar procedim penal pa emra ndaj personave të panjohur, edhe pse referimi i policisë kishte të përfshirë emrat e 9 personave, fotot e tyre, numrat e telefonit dhe rekordet e tyre kriminale. KPK thotë se kjo ishte bërë “në kundërshtim me nenin 287/1 të Kodit të Procedurës Penale dhe (nuk ishte) as në përputhje me dispozitat e nenit 293/1 dhe 295/1 të Kodit të Procedurës Penale”.

Prokurori Nakuçi është mbrojtur me atë që e ka cilësuar si praktikë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në vendim referohet se ai ka sqaruar që bëhej fjalë për një hetim proaktiv dhe se nëse do të regjistroheshin emrat brenda 3 muajve, ai do ishte i detyruar të njoftonte mbrojtësit ligjorë të të akuzuarve dhe se kjo do të sillte prishje të hetimeve proaktive.

Gjatë seancës dëgjimore, Nakuçi vuri në dukje se pavarësisht dështimit në këtë rast, një hetim i dytë ndaj këtyre personave kishte rezultuar me sukses. Por KPK në vendim thotë se gjeti 6 problematika që sipas saj tregonin neglizhencë.

KPK vë në dukje se jo të gjithë personat për të cilët ishte bërë referimi ishin përfshirë në përgjim, dy prej tyre ishin lënë jashtë përgjimeve. Hetimet dështuan edhe pse personat kishin qenë të përfshirë edhe më herët në trafik narkotikësh, të dyshuarit u përpoqën të ndryshonin numrat e telefonave.

KPK vë në dukje se vetë Nakuçi nuk verifikoi informacionin e marrë nga policia gjyqësore dhe CD-të me përgjime që u asgjësuan si të parëndësishme, nuk u dëgjuan, duke sjellë pushimin e akuzave. KPK thotë se nuk gjeti dëshmi të veprimeve të prokurorit apo udhëzimeve që ai kishte dhënë policisë gjyqësore.

Gjatë seancës dëgjimore, vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs i vuri në dukje Nakuçit se ndërsa nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim tjetër hetimor dhe investigues, kur kishte parë që përgjimet nuk po funksiononin.  

KPK arrin në këtë rast në përfundimin se prokurori kishte “një sjellje neglizhente si rezultat i gabimeve thelbësore dhe serioze në aspektin hetimor dhe investigues, duke çuar në një përfundim jo të saktë për vlerësimin e aftësive profesionale”. Çështja në fjalë po ashtu është referuar për procedim disiplinor.

Ngjashëm KPK ka vepruar edhe me një rast të dytë vendimi për pushim hetimesh. Bëhet fjalë për akuzat e një qytetari me inicialet V.Ç ndaj një gjykatësi. Nakuçi në arsyetimin e tij për pushimin e çështjes thotë se bëhej fjalë për një person që kishte bërë mbi 200 kallëzime, për gjyqtarë, prokurorë dhe deputetë.

Nakuçi po ashtu pretendoi se kallëzimi nuk kishte indicie për korrupsion dhe as për elementë të veprave penale, por vetëm supozime të kallëzuesit. KPK në këtë rast i ka tërhequr vëmendjen prokurorit se ka marrë vendim bazuar në mendimin e tij mbi personalitetin e kallëzuesit, pa kryer hetime.

“Shpjegimet e dhëna nga subjekti për këtë çështje janë vetëm deklarata lidhur me statusin dhe gjendjen personale të denoncuesit dhe nuk janë shpjegime lidhur me denoncimin dhe me hetimin e kryer për veprime të kundërligjshme ose jo të subjekteve të denoncuara,” thuhet në vendim.

Aty thuhet se përmendja e gjendjes mendore të denoncuesit ishte e tepruar dhe se nuk kishte pse përdorej si justifikim për të vendosur pushimin e hetimeve.

Po ashtu, KPK e çoi Nakuçin për procedim disiplinor dhe shkelje të etikës sa i përket dyshimeve për largim nga një vend aksidenti. “Komisioni krijoi bindjen se, në rastin konkret, sjellja e subjektit nuk ka qenë në përputhje me detyrat e tij në lidhje dhe me etikën,” thuhet në vendimin e zbardhur.

Nakuçi e kundërshtoi këtë rast, duke pretenduar se ai ishte kthyer në vendngjarje dhe se kishte qenë ai që kishte njoftuar policinë rrugore. Ai shprehet se “vlerësoj se i kam bërë të gjitha veprimet sipas ligjit dhe duke ruajtur etikën për detyrën që unë mbaj”.

KPK në fund ka vlerësuar pozitivisht Nakuçin sa i përket pasurisë dhe po ashtu figurës, ndërsa ka vënë në dukje se ai arrinte “nivel minimal kualifikues”.