Analize5 Nov 2021

KPK: Lindita Sinanaj kreu transaksione fiktive dhe fshehu pasurinë

Në vendimin e arsyetuar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ngrihen dyshime se gjyqtarja e Apelit Administrativ, Lindita Sinanaj kreu shitje fiktive të një apartamenti në Fier me qëllim justifikimin e blerjes së një banese tjetër e një garazhi në Tiranë, si dhe deklaroi çmim fiktiv në blerjen e një automjeti duke rezultuar me balancë negative në vlerë të madhe.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja Lindita Sinanaj e Gjykatës Administrative të Apelit para seancës në KPK. Foto: LSA

Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Apelit, Lindita Sinanaj u shkarkua nga deytyra më 8 korrik 2021, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ngriti dyshime për kryerjen e transaksione fiktive me qëllim justifikimin e burimeve dhe fshehjen e pasurive, si dhe u konkludua një balancë negative në vlerën 10.1 milionë lekë. Ndërkohë, KPK nuk gjeti probleme në pastërtinë e figurës, profesionalizmin dhe në 22 denoncimet e publikut ndaj Sinanajt.

Procesi për vetingun e gjyqtares Lindita Sinanaj u krye nga trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Suela Zhegun dhe anëtar Lulzim Hamitajn.

Lindita Sinanaj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë si gjyqtare në Gjykatën e Fierit. Prej vitit 2013 dhe deri në shkarkimin nga detyra, ajo e ushtroi funksionin në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë.

Transaksione fiktive dhe balanca negative

Nga analiza financiare, subjekti ka rezultuar në pamundësi për të blerë apartamentin me sipërfaqe 83.3 m2 në Fier në vitin 2000, kundrejt çmimit 3.9 milionë lekë, vlera e shitjes së të cilit në shumën 55 mijë euro dhe çmimi i shitjes së mobiljeve të përdorura për 18 mijë euro, janë deklaruar si burim për një apartament në Tiranë.

Gjithashtu janë konstatuar pasaktësi në deklarimin e burimeve financiare që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit në Fier. Në deklaratën periodike të vitit 2003 dhe në atë veting, Sinanaj ka deklaruar si burim të kësaj pasurie kursimet familjare. Ndërsa gjatë procesit të rivlerësimit ajo ka ndryshuar qëndrim duke shpjeguar se kursimet familjare kanë qenë në shumën 1.5 milionë lekë dhe pjesa tjetër është mbuluar nga vlera 1.9 milionë lekë e prindërve të saj nga shitja e një apartamenti në Fier në vitin 2000, si dhe 600 mijë lekë nga prindërit e bashkëshortit të krijuara nga aktiviteti bujqësor.

Komisioni vëren se subjekti nuk i ka deklaruar asnjëherë këto të ardhura dhe konstaton se prindërit e kanë shitur apartamentin 2 muaj pasi gjyqtarja Sinanaj ka blerë apartamentin në vitin 2000. Si rrjedhojë është konkluduar se kjo vlerë nuk mund të ketë shërbyer si burim krijimi. Pasi Sinanaj nuk ka arritur të provojë as të ardhurat e prindërve të bashkëshortit nga bujqësia, KPK nuk e ka përfshirë shumën 600 mijë lekë në analizën financiare, prej nga ka rezultuar balancë negative në shumën 2 milionë lekë për blerjen e apartamentit në Fier.

Sinanaj ka deklaruar se ka shpenzuar edhe 2.6 milionë lekë për mobilimin e apartamentit në Fier gjatë periudhës 2006-2010. Nisur nga fakti se mobiliet janë përdorur për disa vite, KPK e cilëson të lartë çmimin e shitjes së tyre 18 mijë euro, krahasuar me atë të blerjes.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se apartamenti në Fier nuk është banuar nga momenti i shitjes për vite me radhë. “Blerja e apartamentit dhe e mobilieve të përdorura me një çmim të konsiderueshëm, duke mos u përdorur për rreth 4 vjet, ngre dyshime për të gjithë procesin e shitjes”, vlerëson trupi gjykues.

Nisur nga këto dyshime, Komisioni ka hetuar edhe mbi çmimin e shitjes së apartamentit pa përfshirë atë të mobilimit, prej nga ka rezultuar se është afërsisht dyfishi i çmimit të referencës në tregun e lirë sipas Entit Kombëtar të Banesave, EKB. Po ashtu, KPK vëren se mobilimi i apartamentit në Tiranë është deklaruar në shumën 900 mijë lekë, ndërkohë që çmimi i mobiljeve të përdorura të banesës në Fier është deklaruar disa herë më i lartë.

Një tjetër indicie që ka forcuar dyshimet e Komisionit se transaksioni për shitjen e apartamentit në Fier mund të ketë qenë fiktiv, është edhe fakti se blerësit kanë lidhje të afërta familjare me subjektin, pasi rezulton se është familja motra e bashkëshortit që jeton në fshatin Mbyet, në Fier.

Komisioni ka hetuar për mundësinë e blerësve për kursimin e shumës 73 mijë euro, të cilët kanë rezultuar me balancë negative. Në vendim thuhet se subjekti nuk ka arritur të provojë as pretendimin tjetër se blerësi de facto ishte vëllai i kunatit, shtetasi A.B.. “[…]subjekti nuk ka depozituar asnjë provë për të provuar këtë fakt, asnjë dokumentacion provues mbi të ardhurat e ligjshme për një vlerësim të situatës financiare, si dhe mundësitë e këtij shtetasi për të blerë apartamentin në vlerën 73.000 euro”, vëren trupi gjykues.

Në vendim konstatohet se pagesat për blerjen e apartamentit nga shtetasit i dhe D.B, nuk mbështeten me ndonjë dokument apo provë indirekte, ku të tregohej mundësia financiare e blerësve. Fakti se ata kanë figuruar si banorë të fshatit Mbyet edhe pas blerjes së apartamentit; pamundësia e subjektit për të vërtetuar se prona është blerë për llogari të një personi të tretë; fakti se gjyqtarja Sinanaj ka  vijuar likujdimin e detyrimeve me OSHEE-në edhe pas shitjes deri në vitin 2016; si dhe mos konsumimi i energjisë për apartamentin në Tiranë deri në dhjetor të vitit 2013, kanë ngritur dyshime tek trupi gjykues se shitja e apartamentit në Fier mund të jetë fiktive, për të justifikuar blerjen e pasurisë apartament me sipërfaqe 111 m2 në Tiranë, për çmimin 8.5 milionë lekë.

Në seksionin e të “dhënave konfidenciale” të deklaratës së vitit 2012 subjekti ka sqaruar se, “duke qenë se apartamenti në Fier nuk ishte shitur ende, për blerjen e banesës në Sauk të Tiranës, në janar të vitit 2012, bashkëshorti ka marrë hua në shumën prej 80 mijë euro nga daja i saj, shtetasi A. C..

Por, Komisioni konstaton se nga aktet e administruara nuk ka asnjë dokument ku të provohet marrja e huas apo pagesa e kryer në favor të shitësit si mandatpagesë, apo transfertë bankare për blerjen e pasurisë. Gjithashtu, nuk është provuar mundësia financiare e huadhënësit për shumën 80 mijë euro në janar të vitit 2012.

Për pasojë, Komisioni konkludon se gjyqtarja Sinanaj nuk ka pasur mundësi për blerjen e apartamentit në Tiranë, me burime të ligjshme. KPK konstaton pamundësi edhe për blerjen e një garazhi me sipërfaqe 30 m2 në Tiranë, për të cilin Sinanaj ka deklaruar se është blerë nga të njëjtat burime që kanë shërbyer për apartamentin.

Sinanaj është gjendur në situatë të njëjtë edhe në blerjen e një automjeti tip “Volkswagen Golf”, vit prodhimi 2014, për çmimin 5000 euro. Nga hetimi ka rezultuar se shitësja e ka blerë këtë makinë të re në vitin 2014, kundrejt shumës 23 mijë euro.

Sinanaj ka deklaruar se shitësja kishte pësuar aksident në vitin 2016 dhe si pasojë kishte pasur tronditje psikologjike e nuk donte ta përdorte më atë makinë. Sipas subjektit, në këto kushte është dakordësuar çmimi 5000 euro.

Nga verifikimi i akteve të depozituara nga subjekti gjatë hetimit paraprak nuk ka rezultuar asnjë dokument që të provonte se automjeti ka pësuar aksident, që mund të ketë sjellë uljen e vlerës së makinës. Nisur nga këto të dhëna, trupi gjykues ka ngritur dyshime se çmimi i blerjes së këtij automjeti është fiktiv.

Megjithëse Sinanaj ka dorëzuar pas kalimit të barrës së provës një raport vlerësimi të kryer nga një ekspert privat në vitin 2021, bazuar në disa foto që sipas saj ishin të aksidentit të vitit 2016, në vendim theksohet se ky pretendim nuk mund të merret për bazë pasi nuk konfirmohet nga asnjë institucion zyrtar.

“Duke qenë se subjekti nuk arriti të provojë pretendimet e saj, në lidhje me aksidentin e pësuar në automjet, rezultoi se çmimi i blerjes së automjetit nuk paraqet vlerën reale të tij”, konkludon Komisioni.

Pasi subjekti ka deklaruar si burim për blerjen e automjetit shumën 5000 euro të këstit të fundit të paguar nga blerësi i apartamentit në Fier në vitin 2016, trupi gjykues konstaton mungesë të burimeve të ligjshme për të justifikuar blerjen e këtij automjeti.

Nga analiza financiare e përgjithshme për periudhën 2003 – 2016 gjyqtarja Lindita Sinanaj ka rezultuar në pamundësi finaciare për krijimin e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve në shumën 10.1 milionë lekë.

“Nga vlerësimi në tërësi i pasurisë së subjektit të rivlerësimit vërehet se subjekti nuk ka deklaruar saktë pasurinë dhe janë konstatuar elemente, që mund të ngrenë dyshime për fshehje të pasurisë”, përfundon trupi gjykues.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *