Lajm1 Nov 2021

KPK ndërpret vetingun për ndihmësen ligjore, Elona Shehu

Pasi është njohur me fillimin e procesit të vetingut ndaj saj, oficerja e policisë gjyqësore, Elona Shehu ka njoftuar se nuk është subjekt rivlerësimi prej vitit 2017 dhe ka dhënë dorëheqjen nga statusi i magjistratit.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Nga një seancë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 13 tetor 2021 të ndërpresë procesin e rivlerësimit për ndihmësen ligjore pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Elona Shehu për shkak të dorëheqjes së saj, si dhe t’i ndalojë emërimin në pozicione në sistemin e drejtësisë që kërkojnë statusin e magjistratit, për 15 vitet e ardhshme.

Në vendimin e arsyetuar të KPK sqarohet se hetimi administrativ për Shehun ka filluar në qershor të vitit 2021, por kur subjekti është njoftuar më 14 shtator për procesin e rivlerësimit të ndërmarrë prej saj, ka sqaruar se nuk duhej t’i nënshtrohej vetingut pasi nuk bën pjesë në kategorinë e subjekteve të rivlerësimit.

Gjithashtu, ajo ka informuar se nuk e ushtron më funksionin e ndihmëses ligjore pranë Prokurorisë së Përgjithshme që prej dhjetorit të vitit 2017, pasi në atë kohë është emëruar me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm si oficere e policisë gjyqësore pranë Prokurorisë Kavajë.

Shehu ka dorëzuar kërkesë për dorëheqje pranë Komisionit, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, duke kërkuar pranimin e vullnetit të saj për t’u dorëhequr sipas parashikimeve në Aneksin e Kushtetutës lidhur me dorëheqjet gjatë procesit të rivlerësimit. Në të njëjtën kohë ka kërkuar edhe ndëprerje të ventingut ndaj saj, si dhe të përjashtohet nga mundësia e emërimit në organet e drejtësisë.

Komisioni çmon se subjekti i rivlerësimit ka shfrytëzuar të drejtën që i njeh Kushtetuta dhe ligji për dorëheqje, duke marrë parasysh edhe pasojën ligjore që sjell dorëheqja nga detyra në ecurinë e procesit të rivlerësimit. Shehu ka njoftuar KPK se nuk dëshiron të dëgjohet në seancë dëgjimore dhe bazuar në këto fakte, trupi gjykues i kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Brunilda Bekteshin ka vendosur të ndëpresë procesin e rivlerësimit për Elona Shehun.

Gjithashtu, është vendosur sanksioni që i ndalon emërimin si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15-vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *