Lajm17 Jul 2018

KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin Tom Ndreca

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi të martën nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Tom Ndreca, pasi hemtimi administrativ nxorri në dritë pasuri të fshehura dhe problemet e kunatit me ligjin.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë Tom Ndreca, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto : LSA

Trupa gjykuese drejtohej nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shuli dhe anëtar Roland Ilia vendosi largimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Tom Ndreca, pasi konstatoi probleme me pasurinë dhe “kontakte të papërshtatshme” për anëtarin e Gjykatës së Lartë.

Ndreca, i cili ka punuar për dy dekada në Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe prej vitit 2013 ushtron detyrën në Gjykatën e Lartë, është anëtari i parë i kësaj gjykatë që dështon testin e vetingut.

Hetimi administrativ për gjyqtarin Ndreca u bazua në dy kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë dhe të pastërtisë së figurës.

Hetimi administrativ për kriterin e pasurisë përfshiu një apartament 120 metra katrorë me vlerë 2.4 milionë lekë dhe një garazh 18 metra katrorë me vlerë 468 mijë lekë dhe me burim shitjen e një apartamenti në Rrëshen, kursimet nga paga dhe hua nga të afërmit. Gjithashtu, hetimi përfshiu një apartament 74 metra katrorë në Golem, i blerë për 31 mijë euro në vitin 2009, një apartament 92 metra katrorë, i blerë për 6 milionë lekë, një automjet Golf me vlerë 200 mijë lekë, kursimet  në cash në vlerën e 1.5 milionë lekëve si dhe llogaritë bankare në emër të Ndrecës, bashkëshortes dhe djalit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar deklarata kontradiktore për vlerën e apartamentit 120 metra katrorë, mosdeklarimin e një garazhi dhe të një automjeti të blerë nga i biri në vitin 2005 si dhe mosjustifikimin e kursimeve në cash në vlerën e 1.3 milionë lekëve. Sipas relatores së çështjes, subjekti ka mospërputhje, mosdeklarim dhe mungesë burimesh të ligjshme për 1.3 milionë euro.

Sa i përket kriterit të pastërtisë së figurës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka verifikuar përtej raportit të bardhë të dorëzuar nga DSIK dhe ka zbuluar se gjyqtari Ndreca nuk ka deklaruar në formularin përkatës precedentin penal të kunatit të tij-i cili merr cilësinë e personit të lidhur për shkak të një kontrate për blerjen e një makine.

Sipas relatores së çështjes, kunati me inicialet N.GJ ishte proceduar në vitin 2011 pasi ishte kapur me një sasi të vogël kanabisi. Më pas, gjatë një kontrolli të ushtruar në shtëpinë e tij policia kishte sekuestruar 6 kilogramë kanabis, por nuk ishte çuar për ndjekje penale pasi Prokuroria e Shkodrës nuk ka arritur të provojë se kush e kishte futur drogën në shtëpi.

I pyetur nëse kishte qenë në dijeni të nisjes së procedimit për kunatin, gjyqtari Ndreca e pohoi, por shtoi se nuk e dinte si kishte përfunduar çështja në Prokurori. Ndërsa avokatja e tij Mine Progonati argumentoi se KPK po bënte interpretim të gabuar të ligjit, pasi mbajtja e lëndëve narkotike për posedim vetjak nuk hyn te veprat e krimit të organizuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *