Lajm20 Nov 2020

Krerët e UÇK-së akuzohen për manipulim të dëshmitarëve para gjyqit

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë pretendon se ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe shokët e tij të akuzuar për krime lufte janë përfshirë në manipulim të dëshmitarëve të mundshëm të prokurorisë para gjykimit të tyre.

Autor: Serbeze Haxhiaj BIRN Prishtinë
Printo

Gjykata e re do të sistemohet në ish-ndërtesën e Europolit në Hagë. Foto: Wikimedia Commons/DennisHH.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë publikoi këtë javë dokumente që akuzojnë ish-shefat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët tani janë politikanë të lartë, duke përfshirë presidentin e dorëhequr kohët e fundit Hashim Thaçi, për përpjekje për të ndërhyrë te dëshmitarët e mundshëm të prokurorisë përpara gjyqit të tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dokumentet e redaktuara, të cilat datojnë nga maji i këtij viti, përbëjnë një kërkesë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar drejtuar Dhomave të Specializuara të Kosovës për të arrestuar katër të dyshuarit, transferimin e tyre në Hagë dhe kontrollimin e pronës së tyre, e cila përfundimisht ndodhi në fillim të këtij muaji.

Kërkesa për arrestim argumenton se katër ish-burrat e UÇK-së – Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Jakup Krasniqin, një figurë e hershme në partinë Nisma Socialdemokrate (NISMA) dhe Rexhep Selimin, kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje – “ushtrojnë ndikim të madh mbi ish-anëtarët e UÇK-së dhe Kosovën në përgjithësi”.

Ajo i akuzon të dyshuarit se kanë “lehtësuar dhe inkurajuar në mënyrë aktive një klimë pandëshkueshmërie dhe kanosjeje” dhe pretendon se ” tashmë ka prova për përpjekjet e tyre për të ndërhyrë në aktivitetet hetimore të Zyrës së Prokurorit të Specializuar”.

Ajo pretendon se “zyrtarët qeveritarë besnikë të Thaçit dhe Veselit kanë kryesuar pagesa korrupsioni nga qeveria për dëshmitarët e mundshëm të SPO-së (prokurorisë)”. Thaçi gjithashtu akuzohet se në mënyrë indirekte i ka ofruar “përfitime të ndryshme” një dëshmitari të mundshëm në këtë çështje.

Përpjekjet për të ndikuar te dëshmitarët e mundshëm “kanë përfshirë edhe punësimin e tyre në poste qeveritare”, pretendon ajo më tej.

“Në periudhën kohore të aktakuzës, të dyshuarit ishin eprorë të shumë dëshmitarëve të mundshëm të SPO-së. Ata vazhdojnë të mbajnë poste të larta autoriteti dhe/ose ndikimi. Ata kanë mjetet, motivin dhe mundësinë për të ndërhyrë te dëshmitarët, viktimat ose bashkëpunëtorët dhe përndryshe kërkojnë të pengojnë procedurat”, paralajmëron ajo.

“Të gjithë kanë qasje në fonde të konsiderueshme dhe mund të mobilizojnë lehtësisht një rrjet të gjerë mbështetësish dhe zyrtarësh qeveritarë, duke përfshirë persona me ekspertizë në siguri, polici dhe shërbime inteligjence”, vazhdon ajo, duke shtuar se ata janë “të aftë të provokojnë prishje të rendit publik, nëse e shohin këtë në interesin e tyre”.

“Individualisht dhe kolektivisht, ata kanë aftësinë të manipulojnë organet qeveritare, të shmangin dhe prishin procedurat kundër tyre, dhe të mobilizojnë baza shtesë mbështetjeje, përfshirë ata që dikur ishin nën komandën e tyre në UÇK dhe grupe si Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK”, thotë ajo.

Të katër burrat janë akuzuar për një sërë krimesh lufte dhe krimesh kundër njerëzimit duke përfshirë ndalime të paligjshme, tortura, vrasje, zhdukje me forcë dhe persekutim nga të paktën marsi 1998 deri në shtator 1999.

Aktakuza pretendon se ata ishin pjesë e një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” që kishte për qëllim të merrte kontrollin mbi Kosovën “duke përfshirë kanosjen, keqtrajtimin, kryerjen e dhunës kundër dhe në mënyrë të paligjshme ndaj atyre që konsideroheshin si kundërshtarë”.

Shumica e krimeve në aktakuzë janë kryer në qendrat e paraburgimit të UÇK-së në Kosovë dhe Shqipëri.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi të gjithë janë vetëdeklaruar të pafajshëm dhe kanë kërkuar të lirohen me kusht. Askush prej tyre nuk ka reaguar publikisht deri më tani për pretendimet e prokurorisë në kërkesën e redaktuar të arrestit.

Kërkesa për arrestimin e tyre vazhdon të detajojë përfshirjen e pretenduar të të dyshuarve në kanosjen e dëshmitarëve në gjykimet e mëparshme në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ.

Dokumenti i redaktuar pretendon se ish-anëtarët e Shërbimit të Inteligjencës së Kosovës (SHIK) besnikë të Veselit ishin “të implikuar në mbikëqyrjen, kanosjen dhe dhënien ryshfet të dëshmitarëve që dëshmonin kundër ish-anëtarëve të UÇK-së në GJPNJ”.

Ai pretendon gjithashtu se “individë që punonin për Rexhep Selimin u implikuan” në një përpjekje për të vrarë një dëshmitar dhe më tej vëren se Selimi është “në listën e zezë nga qeveria e Shteteve të Bashkuara” dhe sanksionuar nga Thesari i SHBA.

“Siç duket nga ndjekjet penale të mëparshme, duke përfshirë ato që përfshijnë anëtarë të një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe bashkëpunëtorë të tjerë të ngushtë të të dyshuarve, ekziston një klimë endemike e ndërhyrjes dhe kanosjes së dëshmitarëve në gjykimet që përfshijnë ish-anëtarët e UÇK-së”, argumenton ai.

Prokuroria tregon se gjatë gjykimit të tyre, të pandehurit do të mësojnë në mënyrë të pashmangshme identitetin e dëshmitarëve prokurorisë, “gjë e cila do t’i ekspozojë dëshmitarë të tillë ndaj një rreziku të shtuar kanosjeje”.

Disa nga dëshmitarët janë zhvendosur jashtë Kosovës për mbrojtjen e tyre, por jo të gjithë ranë dakord të zhvendoseshin jashtë vendit, shpjegon ajo.

“Në rrethanat e një gjykimi kundër anëtarëve të lartë të UÇK-së, masat mbrojtëse nuk do të adresojnë plotësisht rreziqet e ndërhyrjes dhe kanosjes”, thotë ajo, duke argumentuar se ndalimi i të dyshuarve do të reduktojë aftësinë e tyre për të ndërhyrë te dëshmitarët.

Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan për të gjykuar krime të dyshuara se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë nga 1998 në 2000. Ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por të vendosura në Holandë dhe përbëhen nga staf ndërkombëtar.

Ato u krijuan nën presion nga aleatët perëndimorë të Kosovës, të cilët druheshin se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk ishte aq i fuqishëm sa të gjykonte çështjet e UÇK-së dhe të mbronte dëshmitarët nga ndërhyrjet.

E ashtuquajtura “Gjykatë Speciale” nuk shihet me sy të mirë nga shqiptarët e Kosovës që e shohin atë si një fyerje për luftën e UÇK-së për çlirim nga sundimi serb.