Lajm13 Dec 2018

Kreu i Gjykatës Kushtetuese përplaset me Komisionerin Publik në Kolegjin e Apelimit

Bashkimin Dedja e cilësoi ankimin e Komisionerit Publik, Darjel Sina kundër konfirmimit të tij në detyrë si ‘dashakeq’ me standarde të dyfishta dhe në ‘konflikt interesi’, duke aluduar se vinte si pasojë e kandidaturës së tij të dështuar për gjyqtar në Gjykatën e Strasburgut, për të cilën kreu i Gjykatës Kushtetuese u shpreh se kishte votuar kundër.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Foto nga : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit i udhëhequr nga Ardian Hajrdari si kryesues, Luan Daci relator dhe gjyqtaret Albana Shtylla, Rezarta Schuez dhe Natasha Mulaj mbajti të mërkurën seancën dëgjimore, për ankimin e Komisionerit Publik kundër konfirmimit në detyrë të kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Gjatë parashtrimit të mbrojtjes përpara Kolegjit, Dedja dhe avokati i tij Maksim Haxhia kundërshtuan ankimin dhe  akuzuan Komisionerin Publik, Darjel Sina se ishte në konflikt interesi, kishte përdorur standarde të dyfishte dhe ishte treguar dashakeq.

“Zotëria është skualifikuar nga gara si kandidat për Gjykatën e Strasburgut në vitin 2016 dhe unë kam votuar kundër tij,” tha Dedja, pasi shpjegoi se kishte qenë pjesë e komisionit përzgjedhës të kandidaturave.

Sina e kundërshtoi akuzën e gjyqtarit duke thënë se aktiviteti i tij profesional ishte përqendruar jashtë vendit, ndërsa nënvizoi se procesi i përzgjedhjes së gjyqtarëve për në Gjykatën e Strasbugut në vitin 2016 është anuluar.

“Nuk kam konflikt interesi, procesi është anuluar dhe me kaq po e mbyll,” tha Sina shkurtimisht në përgjigje të akuzës.

Bashkim Dedja, i cili drejton prej vitit 2012 Gjykatën Kushtetuese, u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me datë 13 qershor me shumicë votash nga kryesuesja e trupës gjykuese Valbona Sanxhaktari dhe anëtarit i trupit gjykues Roland Ilia, ndërkohë relatorja e çështjes Xhensila Pine votoi kundër konfirmimit të tij në detyrë.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM, i rekomandoi Komisionerit Publik ankimin e vendimit të KPK-së për kriterin e pasurisë. Komisioneri Publik ndërmori ankimin e vendimit, pasi arriti në përfundimin se për sa i përket kriterit të pasurisë vendimi i KPK-së nuk ka qenë i bazuar në prova, duke nënvizuar se subjekti kishte probleme me deklarimin e pasurisë së tij, pasurisë së personave të lidhur dhe pasurinë në përdorim.

Dyshime për fshehje pasurie

Sipas Komisionerit Publik problemet në vendimin e KPK-së për konfirmimin në detyrë të subjektit lidhen me vlerësimin e provave për deklarimin e tij dhe burimin e ligjshëm të pasurisë dhe burimin e pasurisë së personave të lidhur për tre asete, ku përfshihet një apartament 98m2 në Tiranë i blerë në vitin 1997, një apartament 146 m2 dhe një garazh në kompleksin ‘Nobis’ në Tiranë dhe një apartament në përdorim në Golem me sipërfaqe 60 m2.

Për së i përket apartamentit 98 m2 në Tiranë, subjekti ka deklaruar në deklaratën veting se është blerë në vitin 1997 me vlerë 1.8 milionë lekë, ose 19,600 USD – me burim të ardhurat dhe kursimet e gjyqtarit dhe pjesë takuese 100 %. Ndërkohë, në deklaratën periodike pranë ILDKPKI në vitin 2003, subjekti ka deklaruar se burim për këtë pasuri kanë qenë të ardhurat, kursimet si dhe kontributi i vëllait nga emigracion nga viti 1993 dhe në vazhdim, i cili ka një pjesë takuese 50%. Në lidhje me këtë pasuri Komisioneri Publik shprehet se gjyqtari ka mospërputhje të deklaratës periodike me deklaratën veting dhe ka bërë deklarim të pasaktë pasurie, pasi në deklaratën e vitit 2003 ka dhënë vlerën 1.7 milionë lekë, ndërkohë që vlera sipas kontratës e apartamentit është 1.8 milionë lekë.

Gjithashtu, Komisioneri Publik Darjel Sina nënvizoi se për këtë pasuri subjekti ka mungesë burimesh të ligjshme për krijimin e saj dhe e njëjta gjë vlen për të vëllain e gjyqtarit, shtetasin Mensur Dedja. Sipas kontratës së blerjes të kësaj pasurie të vitit 2007, thuhet që shuma prej 1.8 milionë lekë është likuiduar në afatet e porosisë individuale duke filluar nga viti 1997. Kjo shumë është ndarë në katër këste: kësti i parë në datën 20 janar 1997 që i përket 30 % e çmimit të përgjithshëm në shumën prej 588 mijë lekë, kësti i dytë me arritjen e punimeve në katin e katërt në shumën 5.880 USD, kësti i tretë me fillimin e punimeve të rifiniturës në shumën 5.880 USD dhe kësti i fundit në shumën 1.960 USD në momentin e dorëzimit të apartamentit me çelësa në dorë. Ky pallat ka qenë pjesë e një konflikti gjyqësor dhe në fashikujt e konfliktit përfshihet dhe akti i kolaudimit që i përket muajit korrik 1997 – periudhë që sipas marrëveshjes subjekti duhet të kishte bërë pagesën e 90 % të kontratës, të barabartë me 17 mijë USD.

Sipas Komisionerit Publik, subjekti nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme për pagesën e këstit të parë të apartamentit prej 588 mijë lekë, sepse të ardhurat e tij nga Gjykata e Tiranës dhe Gjykata e Apelit për periudhën 1994-1996, kanë qenë 510 mijë lekë. Komisioneri arrin në përfundimin se subjekti ka pasur pamjaftueshmëri financiare për blerjen e këtij aseti dhe si rrjedhim ka bërë deklarim të pasaktë në deklaratën periodike të vitit 2003. Komisioneri gjithashtu shprehet se për sa i përket kontributit financiar të personit të lidhur Mensur Dedja për këtë aset, ato nuk mund të justifikohen me dokumente të ligjshme.

Aseti i dytë për të cilin Komisioneri Sina ka ngritur dyshime është apartamenti 146 m2 dhe 15 m2 garazh, në kompleksin ‘Nobis’ në Tiranë, të blerë për 180,000 euro. Blerja e këtij apartamenti është financuar me 120,000 euro kredi bankare nga BKT, kursime familjare dhe të ardhurat nga paga, si dhe hua pa interes nga kunati Edmond Cani dhe vëllai i subjektit Mensur Dedja, në vlerat respektive 10,000 euro dhe 15,000 euro. Sipas Komisionerit të dy personat e lidhur – vëllai i gjyqtarit dhe kunati, nuk i justifikojnë huatë e dhëna ndaj subjektit me të ardhura të ligjshme.

Aseti i tretë problematik është një apartament 1+1, 60 m2 në Golem, Ky apartament është i regjistrua në emër të vëllait të subjektit, Latif Dedja me banim në Dibër. Por për këtë aset që nga viti 2003, subjekti ka një kontratë energjie elektrike me OSHEE dhe ka bërë pagesat e energjisë elektrike, çfarë sipas Komisionerit Publik krijon dyshime të arsyeshme se është një pasuri e fshehur e subjektit. Në përgjigje të pyetësorëve të KPK-së subjekti ka deklaruar se e ka përdorur këtë aset për periudha të shkurtra gjatë verës.

Në përfundim të parashtrimeve të tij, Komisioneri Sina u shpreh se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk ka qenë i drejtë. Ai i kërkoi trupës gjykuese ‘ndryshimin e vendimit dhe shkarkimin e gjyqtarit Dedja nga detyra.”

3 vendime me vdekje brenda ditës

Përgjigja e gjyqtarit Dedja ndaj akuzave të Komisionerit ishte e gjatë dhe e detajuar. Ai lexoi përpara trupit gjykues një material të përgatitur me shkrim prej disa dhjetëra faqesh, herë me tone monotone dhe herë me shpërthime emocionale, që kulmonin me goditje të tavolinës me grusht.

Dedja e filloi mbrojtjen e tij me një përllogaritje të të ardhurave dhe shpenzimeve totale gjatë karrierës së tij, duke u shprehur se ato rezultonin sipas modelit të përdorur nga ILDKPKI – si institucion i specializuar, në 51.4 milionë lekë të ardhura dhe 39.1 milionë lekë shpenzime, me një bilanc pozitiv prej 12 milionë lekësh.

“E gjithë pasuria ime është apartamenti 98 m2 dhe një makinë e vitit 2006, pasi apartamenti te ‘Nobis’ është në pronësi të bankës BKT deri në vitin 2033 kur të paguhet kredia,” tha kryegjyqtari.

Dedja tha që pretendimet e Komisionerit Publik ishin interpretime të deformuara të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke dhënë si shembull përllogaritjet e kostove të udhëtimeve zyrtare jashtë shtetit të paguara nga gjykata si shpenzim personal.

Më tej gjyqtari u ndal te justifikimi i burimeve financiare të apartamentit 98 m2 të blerë në vitin 1997. Ai shpjegoi që ky apartament ishte produkt i një kontrate të Gjykatës së Tiranës me Entin e Banesave për të strehuar gjyqtarët, i cili me ndryshim e ligjit i kishte kaluar kompanisë private Ademi Sh.p.k. Kjo kontratë ishte bërë pjesë e një konflikti gjyqësor kur qeveria e kishte shfuqizuar vendimin dhe kishte vendosur t’ia kalonte këto apartamente për strehim deputetëve të dalë nga zgjedhjet parlamentare të vitit 1997. Pas një padie civile për shfuqizimin e VKM-së, gjyqtarët kishin triumfuar mbi deputetët, duke e kthyer marrëveshjen në gjendjen fillestare me firmën ‘Ademi.’ Dedja deklaroi se pallati nuk ka përfunduar në vitin 1997 por në vitin 1999. Sipas tij akti i kolaudimit i bërë për përfundimin e punimeve në korrik 1997 është fiktiv dhe ishte produkt i konfliktit gjyqësor midis qeverisë dhe Gjykatës së Tiranës.

“Ashtu bëheshin gjerat në atë kohë,” tha kryegjyqtari, duke relativizuar faktin që në një konflikt gjyqësor midis gjykatës më të madhe në vend dhe qeverisë ishte përdorur një dokument i falsifikuar.

Gjyqtari gjithashtu kontestoi vlerësimin e të ardhurave të tij deri në janar 1997, kohë kur sipas Komisionerit është paguar kësti i parë i shtëpisë, duke u shprehur se për një periudhë punësimi në Gjykatën e Tiranës mungonte dokumentacioni, por punësimi i tij vërtetohej nga vendimet e marra në emër të Republikës. Dedja gjithashtu deklaroi se kishte punuar në vitet 88-89, pas shkolle në një ndërmarrje në Martanesh, për një periudhë këshilltar i ish Ministrit të Punës, Dashamir Shehi dhe pedagog i jashtëm në Fakultetin e Ekonomik dhe Fakultetin e Drejtësisë. Por edhe për këtë periudha të shkurtra punësimi i mungonin dokumentet.

Ai kontestoi periudhat e sakta kohore kur ishte bërë pagesa e këstit të parë në favor të firmës Ademi sh.p.k, por nënvizoi se nuk i kishte dokumentet e pagesave sepse në atë kohë nuk ishte detyrim ligjor që ti ruante. Për sa i përket të ardhurave të vëllait të tij Mensur Dedja nga emigrimi në Greqi, subjekti u shpreh që ato konfirmoheshin nga deklarata noteriale e dhënë nga punëdhënësi. Ai shtoi se edhe pse këto të ardhura mund të ishin informale, remitancat janë njohur si burim të ardhurash për familjet shqiptare nga Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Në lidhje me huatë e marra nga i vëllai dhe kunati për apartamentin 146 m2 në kompleksin ‘Nobis’ gjyqtari u shpreh se ato ishin hua pa interes.

“Unë i kam marrë borxh, nuk mi ka dhuruar njeri,” tha gjyqtari me tone emocionale. “Është më e ndershme të marrësh para borxh se të bësh veprime të paligjshme,” shtoi ai.

Gjyqtari u ndaluar gjatë te dokumentet e dorëzuara për të ardhurat në Itali të kunatit Edmond Cani, duke lexuar rrogat e tij vjetore. Sipas deklaratës noteriale të vjehrrit, në vitet 2002-2013, kunati sillte në Shqipëri 6000 euro deri 7000 euro në vit.

Më pas ai sulmoi atë që e quajti një aludim dashakeq të relatores së KPK-së Xhensila Pine, që sipas tij gjatë seancës dëgjimore në KPK kishte aluduar se i vëllai, Mensur Dedja kishte marrë një kredi 42,000 euro nga banka.

“Mensuri nuk ka marrë kredi nga banka,” tha Dedja, duke nënvizuar se ky aludim i pabazuar në prova ishte ricikluar nga Komisioneri Publik.

Sa i përket apartamentit në Golem, Dedja kontestoi konsiderimin e vëllait të tij Latifit si person të lidhur, duke u shprehur se nuk ishte në kushtet e huadhënies siç parashikon ligji.

“Latifi nuk mund të jetë person i lidhur,” deklaroi ai, duke shtuar “se ligji është ezaurues dhe shterues se kush konsiderohet person i lidhur.”

Megjithatë, ai insistoi se i vëllai Latifi kishte pasur të ardhura të mjaftueshme nga puna në shtet, të ardhura nga bujqësia, pemëtaria dhe bletaria për blerjen e apartamentit.

Ai shprehu indinjatë të thellë ndaj akuzës se apartamenti në Golem ishte një pasuri e fshehur, duke nënvizuar se pagesat e energjisë elektrike ishin bërë nga ai për shkak se vëllai jetonte në Dibër dhe ai punonte në Durrës.

“Puna ime ishte afër dhe kjo ka vazhduar kështu për shkak në neglizhencës,” tha Dedja. “Nuk e kisha menduar që një gjë e tillë do kishte shkaktuar keqkuptim,” nënvizoi ai, duke shtuar se “mbase ka qenë gabim, por kjo nuk të bën pronar.”

Më tej gjyqtari u ndal tek analiza financiare e bërë nga Komisioneri Publik, duke nënvizuar se i kishte nxjerrë disa vite me diferenca negative, për të cilat nuk i ishte dhënë barra e provës në KPK. Ai shtoi se këto diferenca vinin për shkak të llogaritjes si shpenzime të udhëtimeve zyrtare të paguara nga organizatorët e konferencave jashtë vendit ose të paguara nga Gjykata Kushtetuese.

Gjithashtu, Dedja pretendoi se vlera e aseteve të tij, sidomos e apartamentit 98 m2 tek Vasil Shanto, që ishte në kat të parë dhe në gjendje të keqe, ishte mbivlerësuar nga Komisioneri Publik duke u bazuar në të dhënat e rivlerësimit të pasurisë.

“Është manipuluar dhe keqinterpretuar me faktet dhe provat,” akuzoi ai.

Dedja gjithashtu tha se Komisioneri Publik i referohej në ankim një denoncimi për të cilin KPK-ja nuk është shprehur në vendim, duke shtuar se në gjyq ka gjithmonë dy palë dhe njëra mbetet e pakënaqur.

“Kam 25-vjet që punoj gjyqtar, kam gjykuar krimin e organizuar, kam dhënë tre vendime me vdekje brenda ditës,” tha Dedja. “I kam shërbyer dhe do t’i shërbej drejtësisë deri në fund,” përfundoi ai.

Nga kapter në gjeneral

Pasi subjekti lexoi parashtrimet e tij dhe i dorëzoi kopjen e shkruar trupës gjykuese, fjalën e mori avokati mbrojtës Maksim Haxhia – njëherazi kreu i Dhomës së Avokatisë. Haxhia u shpreh se pala mbrojtëse ishin ‘ndjerë keq’ nga mënyra se si ishte interpretuar ligji dhe provat nga Komisioneri Publik dhe relatorja e KPK-së Xhensila Pine

Ai solli në vëmendje përsëri kredinë e aluduar të Mensur Dedjas prej 42,000 euro, duke thënë që ajo nuk ishte kredi e marrë nga vëllai i subjektit por një garanci e dhënë për një kredi të marrë nga nipi i tij.

“Relatorja ose ato persona që kanë bërë hetimin kanë pasur ngarkesa,” tha Haxhia. “Tjetër gjë është kredia dhe tjetër gjë është kolaterali,” shtoi ai.

Haxhia tha se ishte gjithashtu i zhgënjyer nga Komisioneri që kishte ngritur çështjen e udhëtimeve dhe të remitancave. Sipas tij gjatë periudhës në fjalë, kur një person sillte për të depozituar remitanca në banka, i kërkohej vetëm që të konfirmonte se ishte emigrant.

“Ne bëmë prapësimet tona në detaje dhe subjekti ka një figurë të pastër financiare,” tha ai.

Më tej ai shtoi se Komisioneri ka përdorur standarde të ndryshme me një ankim të mëparshëm, dhe shtoi se ‘Zoti Sina nuk duhet të ishte në këtë sallë,” për shkak të konflikti të interesit.

Dedja ndërhyri dhe sqaroi se në vitin 2016 ai kishte marrë pjesë në komisionin përzgjedhës të gjyqtarëve kandidat për Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Sina ishte një nga kandidatët por nuk ishte përzgjedhur dhe paraqiti një artikull gazete si provë.

Haxhia e cilësoi klientin e tij si një gjyqtar që i kishte ngjitur shkallët e sistemit me qëndrueshmëri dhe kishte arritur në majë të piramidës.

“Ai nuk u transferua nga Gjykata e Shkallës së Parë në Gjykatë Kushtetuese, pra nga kapter u bë gjeneral,” tha avokati mbrojtës.

Sina i kundërshtoi aludimet për konflikt interesi duke nënvizuar se artikulli i dorëzuar si provë fliste për garën e Strasburgut të vitit 2018, ndërsa ai kishte kandiduar në vitin 2016. Më tej ai shtoi se udhëtimet jashtë shteti që i referohej në ankim ishin udhëtime private dhe jo ato të paguara nga Gjykata Kushtetuese.

Dedja ju përgjigj se i referohej garës së vitit 2016 dhe artikulli i gazetës ‘Panorama’ shërbente për të treguar që Komisioneri kishte qenë kandidat.

Pas fjalës së avokatit Haxhia, përfaqësuesja e ONM-së Mia Roessingh-Bakels, e ngacmoi përsëri subjektin në lidhje me apartamentin në Golem, duke vënë në pah se të paguaje energjinë elektrike ishte një gjë, por kontrata në emër të tij me OSHEE ishte diçka tjetër – fakt ky që ishte zbuluar nga KPK gjatë hetimit dhe nuk ishte deklaruar në deklaratën veting nga gjyqtari.

Dedja tha se nuk e mbante mend nëse kishte firmosur kontratë apo thjesht kishte hapur librezë, po i dorëzuar pranoi “që ishte gabim, por jo shkelje e ligjit.”

Më tej pala mbrojtëse i kërkoi trupës gjykuese të administronte një seri provash. Me vendim të ndërmjetëm Kolegji vendosi që administrimi i provave të reja nuk ishte i nevojshëm.

Në përfundim  të seancës palët shprehën qëndrimin e tyre për vendimin e Kolegjit. Komisioneri kërkoi shkarkimin e gjyqtarit Dedja, ndërsa pala mbrojtëse konfirmimin e vendimit të KPK-së dhe rrëzimin e kërkesës së Komisionerit.

Kolegji u tërhoq për vendim që do të shpallet ditën e enjte, 13 dhjetor, ora 15:00.