Kreu i Misionit të OKB-së në Kosovë i tha Këshillit të Sigurimit të hënën se autoritetet e Kosovës kishin shkelur të drejtat e personelit të tyre kur i arrestuan ata më 28 maj.
Kreu i UNMIK Zahir Tanin tha në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën se policia e Kosovës kishte shkelur të drejtat e dy prej anëtarëve të personelit tij, të arrestuar më 28 maj në një operacion kundër krimit të organizuar në veriun e Kosovës të drejtuar nga serbët.
“Të dy anëtarët e stafit tonë iu nënshtruan dukshëm përdorimit të forcës dhe u keqtrajtuan pasi u arrestuan nga policia e Kosovës, gjë që solli dëmtime dhe trajtimin më pas të tyre në spital,” tha Tanin në takimin ku u diskutua raporti i fundit i UNMIK-ut mbi Kosovën.
Tanin tha se policia e Kosovës kishte shkelur të drejtat dhe imunitetin e stafit të OKB-së duke i arrestuar ata. “Prona e shtetasve të Kombeve të Bashkuara u konfiskua dhe kontrollua në mënyrë të paligjshme,” shtoi Tanin.
Ai tha gjithashtu se autoritetet e Kosovës nuk e informuan OKB-në për arrestimet e anëtarëve të stafit të saj në kohën e duhur dhe shtoi se Kosova nuk kishte të drejtë të deklaronte një personel të OKB-së persona non grata.
Policia arrestoi liderin e ekipit rus në një zyre të UNMIK-ut në Kosovën e veriut, Mikhail Krasnoshchenkov, dhe Dejan Dimiç më 28 maj gjatë një operacioni të policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës pretendoi se Krasnoshchenkovi ishte përpjekur të pengonte operacionin, duke përdorur mjetin e tij për të formuar një barrikadë që pengonte hyrjen e policisë në një fshat.
Krahas dy anëtarëve të OKB-së, 19 policë u arrestuan gjatë bastisjes nën dyshimin për krim të organizuar dhe kontrabandë.
Krasnoshchenkov u lëndua gjatë arrestimit dhe është dërguar në spital në Serbi për trajtim. Ai është ende atje. Dimiç doli nga një spital lokal më 3 qershor.
Ndërkohë, autoritetet e Kosovës i kërkuan UNMIK-ut t’i heqë imunitetin Krasnoshchenkovit dhe e shpallën atë të padëshiruar – persona non grata.
Tanin të hënën tha se OKB-ja kishte nisur një hetim të brendshëm për të shqyrtuar akuzat kundër stafit të saj të bëra nga autoritetet e Kosovës.