Lajm30 Aug 2015

Kriza e të ardhurave doganore vështirëson jetën e kultivuesve të duhanit

Sektori i Antikontrabandës doganore ka “sulmuar” kultivuesit e duhanit në zonën e Gurit të Zi në Shkodër, duke synuar të bllokojë problemin drejtpërsëdrejti te prodhimi dhe duke shkaktuar telashe për fermerët që kanë kultivuar këtë bimë prej shekujsh.

Autor: Elvis Nabolli BIRN Guri i Zi, Shkodër
Printo

Fermeri Shuk Marku në shtëpinë e tij. Foto: Elvis Nabolli

Fermeri Shuk Marku në shtëpinë e tij. Foto: Elvis Nabolli

Përgjatë të 30 viteve të fundit, Ndoc Gjoni, 60 vjeç, nga fshati Gajtan i komunës Gur i Zi në Shkodër ka kultivuar duhan dhe e ka tregtuar atë duke e shitur te pikat e grumbullimit ose drejtpërsëdrejti në treg. Tregtimi i duhanit të hapur është i zakonshëm në Shqipëri dhe përgjatë dekadave të fundit ka qenë i toleruar, pavarësisht se është një aktivitet i paligjshëm. Por jo më. Pak ditë në parë, Gjoni humbi një sasi duhani që po e çonte në treg bashkë me peshoren. Atij i erdhi surprizë kur punonjës të antikontrabandës doganore, i konfiskuan duhanin që po shiste.

“Kanë ardhë dhe më kanë marrë kandarin, duhanin që kisha, dhe kur i kërkova llogari se ku po e çojnë, më bërtitën duke thanë se është i shtetit”- thotë Lazër Paloka, një kultivues tjetër duhani nga kjo zonë. Palokës i konfiskuan pak ditë më parë 50 kilogramë duhan.

“Asht ba e frikshme me shit duhan,” tha Gjoni.

Qeveria shqiptare është në vështirësi për shkak se të ardhurat e saj buxhetore janë shumë më të ulëta se sa pritshmëritë ndërsa rritja e akcizës së cigareve nga 90 në 110 lekë për paketë ka sjellë rënie të importeve të ligjshme dhe rrjedhimisht, rënie të të ardhurave në vend që të sillte rritje.

Kompanitë e importit të cigareve thonë se pjesa e tregut që disponohej prej tyre më herët është zvogëluar pasi gjithnjë e më shumë shqiptarë i drejtohen duhanit të hapur të pataksuar në vend që të shpenzojnë 200 apo 300 lekë për një paketë importi.

Duhani i hapur i prodhuar nga fermerët vlerësohet se mbulon 20 deri në 30 për qind të të gjithë konsumit. Teorikisht, ky duhan duhet t’i nënshtrohet taksimit të rëndë në masën 4500 lekë për kile akcizë dhe 20 për qind TVSH mbi çmimin final. Por në fakt, ky duhan tregtohet për 1,500-2000 lekë për kile nëpër tregjet e fshatarëve në të gjithë Shqipërinë. Qeveria ka ndërmarrë më herët hapa për të kontrolluar importin e letrës së gatshme që shërben për prodhimin e cigareve me shpresë se do të ulë konsumin e pataksueshëm të duhanit.

Gjatë ditëve të fundit, antikontrabanda doganore ka shënjestruar pikërisht prodhuesit dhe tregtuesit e vegjël të duhanit ndërkohë që pak ditë më parë, në Shkodër u zbuluan punishte të mirëfillta për grirjen, prodhimin e cigareve si dhe të paketave të plota. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njoftoi se “në zonën e Shkodrës, janë identifikuar dhe janë kryer procedurat përkatëse për 10 pika grirësish industrialë të duhanit, 2 baza mekanike të cilat prodhojnë makineri industriale për grirjen e duhanit, linja prodhimi duhani të paketuar të falsifikuar dhe 1 linjë prodhimi cigaresh të falsifikuara”.

Ndërkohë, për fshatarët e zonës së Gurit të ZI në Shkodër, situata është bërë e rëndë. Për këtë zonë të varfër të Shqipërisë, duhani është i vetmi produkt i vlefshëm për shitje në treg.

Shuk Marku nga fshati Sheldi thotë se fushata e qeverisë e ka zënë në befasi.

“Ne s’na ka paralajmëru kush mos më mbjedh duhan përkundrazi në fushatë na kanë thanë me rrit sipërfaqen edhe më shumë, ndërsa tash na e sekuestrojnë, kur ne i bëjmë gjithë atë mund.  E në fund na e grabisin”, tha ai.

Partitë politike shqiptare kanë folur shpesh gjatë fushatave elektorale për duhanin duke premtuar ndihmë për standardizimin e prodhimit dhe shitjen e rregullt të tij te grumbulluesit për prodhim cigaresh apo për eksport, por fshatarët shpesh mbeten pa blerës me shumicë dhe rrjedhimisht i drejtohen shitjes te konsumatorët.

Banorët e Gurit të Zi shprehen se duhani është e vetmja kulturë që toka e tyre prodhon, ndërsa shteti me këto aksione po merr edhe kafshatën e fundit.

“Gajtani prodhon vetëm duhanin nuk ka asnjë kulturë tjetër me të cilën mund të jetojnë. Kjo qeveri po na zhvesh krejt, po na grin ekonomikisht, s’po na len me jetu. Qeveria t’na gjej pikën e grumbullimit që duhanin ta shesim dhe t’mos na e grabisin.”- thotë Ndoc Gjoni.

Gjatë vitit të kaluar, çmimi i shitjes së duhanit ra ndjeshëm, aludohet për shkak se fshatarët e rritën prodhimin në pritje të blerësve nga jashtë të premtuar gjatë fushatës elektorale të vitit 2013.

Gjatë vitit 2013, vlerësohet se në Shqipëri u prodhua rreth 2,800 tonë duhan, nga i cili, 1,200 tonë u eksportuan ndërsa pjesa tjetër u konsumua në vend. Çmimi mesatar i eksportit të duhanit për vitin 2003 qe 400 lekë për kilogramë nga 447 lekë për kg që qe në vitin 2012, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë.

Familjet në zonën e Gurit të Zi arrijnë të marrin deri në 6 kilogramë duhan të tharë për dynym tokë ndërsa çmimi i shitjes me pakicë mund të arrijë në 1,500-2 mijë lekë për kilogramë.

DUHANI3

Fermë duhani në zonën Gur i Zi, Shkodër, fotografuar më 29 gusht 2015. Foto: Elvis Nabolli

Fermë duhani në zonën Gur i Zi, Shkodër, fotografuar më 29 gusht 2015. Foto: Elvis Nabolli

Fermë duhani në zonën Gur i Zi, Shkodër, fotografuar më 29 gusht 2015. Foto: Elvis Nabolli

Fermë duhani në zonën Gur i Zi, Shkodër, fotografuar më 29 gusht 2015. Foto: Elvis Nabolli

Fermë duhani në zonën Gur i Zi, Shkodër, fotografuar më 29 gusht 2015. Foto: Elvis Nabolli

Fermë duhani në zonën Gur i Zi, Shkodër, fotografuar më 29 gusht 2015. Foto: Elvis Nabolli

Fermë duhani në zonën Gur i Zi, Shkodër, fotografuar më 29 gusht 2015. Foto: Elvis Nabolli