Është shumë e vështirë të imagjinohet se si në Shqipëri, kur po afrohet përvjetori i tridhjetë i rënies së qeverisë së fundit komuniste, ne kemi ende nevojë t'u shpjegojmë të njëjtëve njerëz që ishin në pushtet edhe tridhjetë vjet më parë se çfarë është shteti i së drejtës.
Disa kohë më parë, gjyqtari Gentjan Medja doli para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, një degë e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, për të mbrojtur veten nën dyshimin se ishte si jurist i paaftë. Medja, i cili kishte kaluar procesin e rivlerësimit kalimtar në shkallë të parë pa probleme në lidhje me pasurinë apo pastërtinë e figurës, përballej me një kërkesë nga Komisioneri Publik për rivlerësim, në bazë të një metodologjie të re të aftësive të tij profesionale.
Në përgjigje të kësaj, Medja mbajti një fjalim të gjatë dhe shterrues mbi parimet e shtetit të së drejtës, në të cilin shpjegoi diçka që në fakt shpjegohet në shkollat e drejtësisë që në vitin e parë të studimit: Shteti është i autorizuar të bëjë ligje vetëm për atë qëKushtetuta e lejon shtetin të bëjë ligje. Institucionet ligjzbatuese bëjnë ato punë të cilat ligji i ka autorizuar dhe ngarkuar të bëjnë në mënyrë eksplicite. Agjencitë ligjzbatuese nuk kanë të drejtë të bëjnë gjëra që ligji nuk i autorizon të bëjnë dhe po kështu, Kuvendi i Shqipërisë nuk bën dot ligje që kushtetuta nuk i lejon.
Dhe në rast se Kushtetuta e Shqipërisë ka ndonjë përcaktim që bie ndesh me ligjin ndërkombëtar, apo me konventat ndërkombëtare apo rajonale, të tilla si Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, është kushtetuta shqiptare ajo që rrëzohet si jo në përputhje me këtë konventë.
Në fund të fjalimit të Medjas mbi limitet e shtetit, Komisioneri Publik e falënderoi dhe theksoi se e kishte dëgjuar me shumë vëmendje. [Link] Në seancën pasardhëse, Komisioneri Publik pranoi argumentimin se institucionet e shtetit nuk mund të bëjnë diçka për të cilën nuk janë autorizuar dhe e tërhoqi kërkesën. [Link]
Kjo seancë në KPA ishte një rikthim në njohuritë elementare të shtetit të së drejtës dhe hierarkisë së ligjeve, gjë që u duk e tepruar edhe në atë rast. Në fund fare, Shqipëria duhet të shohë përpara drejt gjërave më të komplikuara dhe të mos vijojë të merret me gjërat që dihen.
Për fat të keq, Shqipëria ka mbetur ende në kapërcyellin mes dy regjimeve. Kjo u bë e qartë nga votimi i socialistëve në parlament tësë ashtuquajturës paketë – antishpifje si dhe nga një fjalim që kryetari i parlamentit, Gramoz Ruçi mbajti në konferencën e Avokatit të Popullit për lirinë e shprehjes të premten më 20 dhjetor.
Sipas Ruçit, “demokratizimi i medias mbart farën e rreziqeve”, ndërsa lexuesit mund të “ndjehen të kërcënuar nga liria e medias”.
Dhe më tej, Ruçi u përpoq të mbrojë paketën antishpifje duke argumentuar si një babaxhan: “Vetërregullimi nuk mund të garantojë mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe dinjitetit të qytetarëve pa plotësimin prej rregullimit prej shtetit”. [Link]
Pikërisht ky është ai momenti kur të duhet të vrasësh një mizë bezdisëse në fytyrën tënde duke goditur veten me shpullë për t'u rikujtuar edhe një herë për leksionin themeltar të Shtetit të së Drejtës. Shteti është i kufizuar të veprojë vetëm brenda kuadrit të kushtetutës dhe ligjeve, qytetari është i pakufizuar të veprojë me përjashtim të asaj që ndalohet specifikisht në ligj.
Dhe sa i përket paketës anti-shpifje, a është shteti i lejuar të kufizojë lirinë e shprehjes përmes organeve rregullatore?
Përgjigja më e mirë që jepet ndaj kësaj pyetjeje gjendet te neni 22 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 10 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta thotë: “1. Liria e shprehjes është e garantuar. 2. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar. 3. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet. 4. Ligji mund të kërkojë dhënien e autorizimit për funksionimin e stacioneve të radios ose të televizionit.”
Ndërsa neni 10 i Konventës thotë: “Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë duhet të përfshijë të drejtën për të pasur opinione dhe për të marrë dhe ndarë informacion dhe ide pa ndërhyrje nga autoriteti i shtetit dhe pavarësisht kufijve. Ky nen nuk mund të ndalojë Shtetet nga kërkesa për licencim të sipërmarrjeve të radiove, televizioneve apo kinemasë”. (Fjalët me bold janë theksuar nga unë).
Kjo është edhe arsyeja se pse Komisioni Europian dhe Komisionerja e Lartë e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç, në dy deklaratat e tyre 24 orë para miratimit të paketës anti-shpifje nga parlamenti e bënë të qartë këtë kufizim. Sipas Komisionit Europian, rekomandimet e saj për Shqipërinë janë ” kufizimi i qëllimit të rregullimit vetëm në shërbimet e mediave audio-vizive online.” [Link deklarata] Dhe sipas znj, Mijatoviç, e cila është një nga ekspertet më të njohura të lirisë së medias aktualisht në kontinent, “ka rëndësi vendimtare që të sigurohemi që interneti të mbetet i hapur dhe forum publik dhe që vetërregullimi nga media, përfshirë median online, të triumfojë.” [Link]
Siç bëhet e qartë nga ky lexim nga ana e Komisionit të nenit 10 të konventës, nga ku rrjedh edhe neni 22 i Kushtetutës së Shqipërisë, shteti nuk ka të drejtë të rregullojë median me përjashtim të televizioneve, radiove dhe kinemave. Por edhe në këto të fundit, kushtetuta jonë thotë “mund t'i” ndërsa konventa thotë “nuk ndalohet të”, gjë që do të thotë se: në rastin e gazetave, revistave apo medias ne internet, shteti nuk ka të drejtë të ndërhyjë ndërsa te televizionet mundet të zgjedhë, në bazë të zhvillimeve specifike të një vendi, të ndërhyjë ose jo.
Pra, që të kthehemi te fjalimi i Ruçit, rregullimi nuk është një alternativë ndaj vetërregullimit. Parlamenti nuk autorizohet nga kushtetuta dhe nga konventa të bëjë ligje për këtë punë. Nxitja e vetërregullimit është i vetmi opsion në politikëbërje.
Kjo është edhe përgjigjja e nevojshme ndaj ankesave të kryeministrit se kundërshtarët e ligjeve në fjalë “nuk duan fare ligje”. Kundërshtarët nuk pranojnë që Shqipëria të këtë diçka më pak se sa të drejtat e caktuara në Kushtetutë dhe në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Dhe, po, kjo do të thotë se parlamenti nuk bën dot ligj për të mbikëqyrur median.
Kryetari i Kuvendit, i cili më herët është ankuar se Europa na ka sjellë drogën në Shqipëri, shprehu në fjalimin e tij edhe disa ide mbi botëkuptimin e tij se çfarëështë liria, shumë të ngjashme me kohën për të cilën Ruçi nuk e fsheh nostalgjinë, pra kohën e komunizmit. Sipas Ruçit, lexuesi mund të “ndjehet i kërcënuar nga liria e medias” apo se “liria e medias nuk mund të zhvillohet jashtë etikës së saj.” Akoma më tutje, Ruçi konsideron median “degë e kartërt e qeverisjes”, ndërsa duket se shpreh keqardhje se ajo është “e pavotuar”.
Këto maksima duket se janë shumë të medituara dhe të tilla që nuk vihen në diskutim. Vetëm ka ca gjëra që stonojnë.
Media nuk është dega e katërt e qeverisjes. Në teorinë e përgjithshme politike, medias i është vënë si një tip nofke “pushteti i katërt”, shtesë ndaj pushtetit ekzekutiv, atij ligjvënës dhe atij gjyqësor. Kjo nofkë nuk e bën median pjesë të qeverisjes, as pjesë të kuadrit të përgjithshëm kushtetues të vendit. Është vetëm një nofkë për të shpjeguar rolin e saj në demokraci si kërkues llogarie ndaj këtyre pushteteve të mësipërme. Po kështu, biznesit, psh, në disa teori politike, për shkak të ndikimit që mund të ushtrojë në tre kolonat e qeverisjes, i është vënë nofka “pushteti i pestë” apo shoqërisë civile i është vënë nofka “pushteti i gjashtë”. Kjo nuk do të thotë, që larg qoftë, ne të krijojmë një zyrë të ekzekutivit për të mbikëqyrur politikëbërjen që vjen nga biznesi apo nga shoqëria civile. Sepse po ta bënim këtë, nuk do të kishim nevojë as për biznes, as për shoqëri civile e aq më pak, për media të pavarur nga pushteti politik.
Dhe përsa i përket etikës, pa të cilën nuk ka liri, etika është saktësisht ajo normë shoqërore që imponohet nga shoqëria përmes ndërveprimit të saj. Etika nuk mund të bëhet ligj. Kur një media shkel normën etike të shoqërisë, nuk është shteti ai që e mban përgjegjëse, është shoqëria. Përndryshe, vetëm një hap e ndan shtetin e së drejtës nga shteti totalitar.
Në shtetin e së drejtës, është pushteti teorikisht i pavarur i gjyqësorit ai që zgjidh mosmarrëveshjet mes qytetarëve dhe pushtetit politik, ndërsa në shtetin totalitar nuk ka nevojë për gjykata, i zgjidh të gjitha problemet shteti me urdhër nga pushteti politik.