Kuvendi i Shqipërisë votoi sot me 81 votat e maxhorancës zgjatjen e afatit të plotësimit të dokumentacionit nga aplikantët për komisionin e Vetingut, procedurë që menaxhohet nga zyra e Avokatit të Popullit.
Procedura për krijimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit, njohur ndryshe si “Komisioni i Vetingut” për gjykatësit dhe prokurorët, mori një kthesë tjetër sot në mbrëmje, pasi Kuvendi i Shqipërisë vendosi të ndjekë pjesërisht këshillën e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) duke rikthyer dokumentacionin e kandidatëve në zyrën e Avokatit të Popullit për plotësim dokumentacioni si dhe duke lejuar një afat shtesë shtatëditor për aplikime të reja, gjë që nuk përfshihej në rekomandimet e ONM-së.
Kuvendi i Shqipërisë qe mbledhur sot në seancë plenare për të shqyrtuar procedurën e krijimit të komisionit të shumëpërfolur, i cili duhet të gjykojë cilësitë profesionale dhe pastërtinë e figurës së gjykatësve dhe prokurorëve, procedurë që aktualisht është e bllokuar për shkak se Partia Demokratike në opozitë, e cila duhet të luajë rolin e saj në krijimin e këtij komisioni, ka vendosur prej dy javësh bojkotimin e punimeve të parlamentit.
Kuvendi vendosi me votat e maxhorancës për të kthyer dosjet e aplikimeve në zyrën e Avokatit të Popullit, duke krijuar mundësinë që kandidatët që janë skualifikuar për shkak të mangësive në dokumentacion, të mund të plotësojnë dokumentet e kërkuara. Ata do të kenë shtatë ditë kohë. Njëkohësisht, Kuvendi vendosi që përgjatë këtyre shtatë ditëve, kandidatë të tjerë të mund të aplikojnë për postet e komisionit.
Javën e kaluar, Avokati i Popullit bëri të ditur se nga 192 kandidatë për postet e komisionit të Vetingut, 29 prej tyre plotësonin kriteret formale të përcaktuara në ligj ndërsa 163 të tjerë nuk i plotësonin kriteret. Lista e kandidatëve kaloi për shqyrtim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, strukturës që do të mbikëqyrë procesin. OMN bëri publike rezultatet e monitorimit të saj dhe theksoi se nga të 29 kandidatët që plotësonin kriteret formale, tetë kanë marrë vlerësim negativ. Nga lista e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret formale, 85 kanë marrë vlerësime negative dhe 79 të tjerë jo. Në fund, OMN pati rekomanduar që komisioni parlamentar që duhet të shqyrtojë kandidaturat, mund të lejojë plotësimin e dokumentacionit të munguar, të tillë si ndonjë nga certifikatat e kërkuara gjatë aplikimit.
Gjithsej duhet të zgjidhen 27 anëtarë për komisionet e vetingut dhe rihapja e afatit për plotësimin e dokumentacionit synon të zgjidhë ngërçin e krijuar deri tani, ku vetëm 21 aplikantë rezultonin njëkohësisht me dokumente të rregullta dhe pa vlerësim negativ nga ONM.
Dhe ndërsa ngërçi procedural duket se u zgjidh, ngërçi tjetër, mungesa e opozitës në punimet e Kuvendit të Shqipërisë duket se nuk është zgjidhur ende.
Vetingu i gjykatësve dhe prokurorëve është një hallkë kyçe e Reformës në Drejtësi, pasi synon të pastrojë sistemin nga elementët e paaftë, të korruptuar apo me lidhje të dukshme kriminale para se sistemi i ri i drejtësisë të fillojë të funksionojë.