Prokuroria e krimit të organizuar po heton eksportuesin kryesor të Malit të Zi mbi dyshimet se armët e shitura në Arabinë Saudite kanë përfunduar në destinacion të padeklaruar, pas një investigimi të BIRN për këtë çështje.
Prokuroria speciale e Malit të Zi për krimin e organizuar dhe korrupsionin po heton eksportet e Industrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi, MDI, fokusuar te marrëveshjet kryesore të armëve në vend që nga viti 2011, përfshirë tregtinë e dyshuar me Libinë, Ukrainën dhe Arabinë Saudite, sipas informacioneve të BIRN.
Prokuroria po kontrollon besueshmërinë e certifikatat të përdoruesve përfundimtarë, dokumentet që duhet të provvojnë se armatimet kanë mbërritur te blerësi i caktuar, dhe jo në një vend apo subjekt tjetër, që mund të jetë nën një embargo ndërkombëtare armësh.
Drejtori i MDI-së, Zoran Damjanoviç, mohoi çdo shkelje në marrëveshjet e eksportit të armëve.
“Ne nuk bëjmë asgjë të paligjshme dhe nuk jemi në dijeni të ndonjë hetimi. Askush nuk na ka kontaktuar deri më tani,” tha Damjanoviç.
Ai tha se MDI do të vazhdojë të eksportojë armë në Arabinë Saudite, duke theksuar gjithashtu se ka pasur miliarda euro eksporte armësh drejt Gjirit nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.
Kur BIRN pyeti prokurorinë rreth hetimit që po kryen, nuk u mohua dhe as u pohua hetimi ndaj MDI, pasi prokuroria tha se nuk mund të komentonte për hetime që janë në vazhdimësi.
Dy burime nga qeveria i konfirmuan BIRN se hetimi për eksportin e armëve të MDI u lançua pasi një deputet i opozitës, Nebojsa Medojeviç në tetor 2016 akuzoi qeverinë dhe MDI se kishin eksportuar armë në Libi dhe Siri në shkelje të embargos së OKB.
Qeveria i refuzoi pretendimet. Në tetorin e shkuar, ajo ngriti një padi penale kundër Medojeviç, për akuzime false.
Megjithatë, më 13 janar, Medojeviç dëshmoi para prokurorisë për krimin e organizuar në lidhje me informacionin e tij rreth eksporteve të armëve si qytetar dhe jo si i dyshuar.
Medojeviç pretendoi se Mali i Zi po përdorej për të trafikuar armë te organizatat militante në Lindjen e Mesme.
“Jam i lumtur që prokuroria më në fund lançoi një procedim të cilin media investigative e ka theksuar prej vitesh,” tha ai.
Dyshimet rreth shitjeve nga Industria e Mbrojtjes së Malit të Zi, MDI, qenë më të forta në verën 2016 pas një investigimi të BIRN që zbuloi se MDI kishte shitur 300 ton armatime dhe municione të vjetra të epokës jugosllave te Arabia Saudite.
Këto dyshime përqendroheshin në faktin se mbretëria e pasur e Gjirit nuk kishte ndonjë nevojë ushtarake në vetvete për tepricat e armëve dhe municioneve të Malit të Zi.
Ekspertët e armëve i thanë BIRN se armatimet që MDI po shiste nuk kishin gjasa të përdoreshin nga vetë Arabia Saudite dhe me gjasa po çoheshin në Siri dhe më tej në Libi ose në Jemen [ ku Irani dhe faksionet saudite po bëjnë një luftë civile].
Ndërkohë të dhënat më të fundit tregonin se MDI bleu 1.3 milionë euro municione të tjera nën një tender të Ministrisë së Mbrojtjes gjatë 2016, tre herë më pak krahasuar me një vit më parë.
Një raport i ministrisë së mbrojtjes që BIRN e ka parë, tregoi se MDI bleu 872 copë mina TMRP-6, 40,000 copë predha 82 mm dhe 270 copë raketa 9M14P1.
MDI mbetet eksportuesi më i madh i armëve në Malin e Zi dhe kryesisht është përfshirë në shitjen e stoqeve ushtarake të vendit te blerësit ndërkombëtar.