Lajm7 Oct 2019

Maqedonia e Veriut shpreson që plani i shpëtimit të Ohrit do të kënaqë UNESCO-n

Përpara një inspektimi tepër të rëndësishëm të UNESCO-s që pritet të kryhet muajin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut ka hartuar një plan që synon të mbrojë zonën e Ohrit dhe të parandalojë futjen e tij në listën e trashëgimive botërore në rrezik.

Autor: Sinisa Jakov Marusic BIRN Shkup
Printo

Kisha e Shën Gjonit në Kaneo, Ohër. Foto: BIRN.

Përpara një inspektimi të planifikuar të UNESCO-s që pritet të kryhet në nëntor, i ngarkuar me vlerësimin e progresit në mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit, Maqedonia e Veriut ka hartuar një plan për të mbrojtur zonën dhe për të parandaluar që ajo të vihet në listën e “Vendeve të trashëgimive botërore në rrezik”.

Plani, i cili së shpejti do të parashtrohet për debat publik, pret që të miratohet deri në fund të këtij viti. Deri atëherë, autoritetet thonë se do të mbetet në fuqi një moratorium për të gjitha ndërtesat e reja në Ohër i imponuar gushtin e kaluar.

Plani përfshin një ndalim të rreptë për ndërtimin përgjatë bregut të liqenit të Ohrit, ndërtesa më të ulëta në zonat urbane pranë liqenit dhe ruajtjen e pamjes autentike të ndërtesave në qytetin e vjetër dhe gjetkë.

Nëse gjërat shkojnë si duhet, rajoni do të ndahet në tri zona të mbrojtura. E para do të mbulojë bregun e liqenit dhe deri në 50 metra largësi nga ai në drejtim të tokës, ku do të ndalohen të gjitha ndërtimet e reja.

Zona e dytë përfshin ato zona ku tashmë ekziston infrastruktura turistike; të katër bashkitë që përbëjnë këtë rajon do të jenë të detyruara të paraqesin një listë të ndërtimeve pa leje atje – dhe nëse dhe sa nga këto struktura do të hiqen do të varet nga një studim i hartuar nga Ministria e Transportit.

Zona e tretë përfshin qytetet e vjetra të Ohrit dhe Strugën aty pranë, ku numri dhe lartësia e ndërtesave të reja do të jetë tepër e kufizuar dhe do të monitorohet nga afër.

Plani parashikon gjithashtu një ndalim të ndërtimit të infrastrukturës në zonat e mbrojtura. Kjo nënkupton ngarkimin e autoriteteve me rishikimin e rrugës së planifikuar për një linje të re hekurudhore që duhet të lidhë rajonin me Shqipërinë, një pjesë autostrade që duhet të lidhë Ohrin dhe Strugën, si edhe ndryshimin e planeve për tubacionet lokale të gazit dhe linjat e energjisë. Plani gjithashtu parashikon mbylljen e landfilleve ekzistuese të mbeturinave pranë Ohrit dhe Strugës.

Në seancën e tij të fundit në korrik në Baku, Azerbajxhan, krahu shkencor dhe kulturor i Kombeve të Bashkuara i dha Maqedonisë së Veriut një afat deri në vitin e ardhshëm për të filluar mbrojtjen e duhur të trashëgimisë së Ohrit, në të kundërt kjo e fundit do ta shohë qytetin dhe rrethinat e tij në listën e “Vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik”.

Kjo u ra dakord pasi një raport fillestar më i ashpër u ndryshua nga disa vende. Raporti fillestar kërcënoi ta fuste Ohrin menjëherë në listën e tij të vendeve të rrezikuara, duke përmendur probleme të vazhdueshme me urbanizim të pakontrolluar dhe ndërtime të paligjshme, për të cilat thoshte se “kishin gërryer vërtetësinë dhe integritetin” e vendit.

Ohri është një nga vetëm 28 vendet në botë që UNESCO e ka emëruar trashëgimi botërore, si në kategorinë e kulturës ashtu edhe në atë të natyrës.

Së bashku me bukurinë e tij natyrore, aty gjenden shumë specie endemike, siç është trofta e Ohrit, ai krenohet edhe me një trashëgimi të pasur kulturore. Qyteti i vjetër është plot me kisha të vjetra, shtëpi piktoreske dhe monumente shekullore.

megjithatë, Ohri është deri tani pika më e madhe turistike në Maqedoninë e Veriut, e cila e ka bërë shumë më të komplikuar mbrojtjen e tij.