Lajm29 Oct 2020

Mbyllen universitetet, paralajmërohet mbyllja e ish-Bllokut në Tiranë

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se përkeqësimi i situatës së pandemisë së koronavirusit të ri detyron urdhërimin e mbylljes së konvikteve dhe universiteteve ndërsa paralajmëroi mbylljen e lokaleve dhe restoranteve te ish-blloku në Tiranë në orët e vona të natës për shkak të rrezikut.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Mira Rakacolli. Printscreen nga video e publikuar nga Edi Rama në Facebook

Shqipëria filloi të ndërmarrë masa shtesë shtrënguese të enjten duke urdhëruar mbylljen e universiteteve ndërsa vendi shënoi gjatë ditëve të fundit rekorde të reja negative në lidhje me numrin e infeksioneve dhe të vdekjeve nga sëmundja COVID-19.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, e cila është edhe drejtuese e Komitetit të Ekspertëve që merren me menaxhimin e pandemisë deklaroi se në vend gjenden aktualisht 500 vatra aktive të përhapjes së infeksionit SARS CoV-2, nga të cilat, 35% janë në Tiranë.

“Nisur nga vlerëismi i situatës, Komiteti Teknik mendon se kemi nevojë për masa shtesë,” deklaroi Rakacolli.

“Kemi vendosur unanimisht të propozojmë që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online për të paktën një muaj. Universitetet dhe konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë,” shtoi ajo duke theksuar se numri i infektimeve aktive në vend 130 raste për 100 mijë banorë.

Rakacolli bëri gjithashtu të ditur se Komiteti Teknik po vlerëson mbylljen e bareve dhe kafeneve në zonën e bllokut në Tiranë pas orës 22 “duke qenë se konstatohet një vatër rreziku nga grumbullimet në atë zonë gjatë orëve të natës.”

Aktualisht në Shqipëri ka 8654 raste aktive të njohura të SARS CoV-2 nga të cilët gjysma janë në Tiranë.