Lajm3 Nov 2018

Meta refuzon Sandër Lleshin për ministër të Brendshëm

Presidenti i Republikës, në kufi të afatit që i njeh Kushtetuta vendosi të mos dekretojë Sandër Lleshin në postin e Ministrit të Brendshëm, me argumentin se “nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besim”.

Autor: BIRN BIRN Tirane
Printo

Gjenerali Sandër Lleshi, i propozuar nga kryeministri Edi Rama për postin e Ministrit të Brendshëm.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta refuzoi të dekretojë Sandër Lleshin në postin e ministrit të Brendshëm të shtunën. Zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi njoftoi se presidenti “nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Sandër Lleshit për ministër të Brendshëm”.

Lleshi, gjeneral i Forcave të Armatosura dhe këshilltar për mbrojtjen i kryeministrit Edi Rama u propozua më 27 tetor për të zëvendësuar Fatmir Xhafajn në krye të Ministrisë së Brendshme, menjëherë pas publikimit të dorëheqjes së këtij të fundit.

Meta dekretoi pa vonesë dorëheqjen e Fatmir Xhafajt, ndërkohë që për emërimin e Lleshit konsumoi 7 ditët që i jep Kushtetuta, duke mos hedhur në fund firmën për emërimin e tij.

Neni 98 i Kushtetutës thotë se “ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të kryeministrit, brenda 7 ditëve”. Një përcaktim i tillë kushtetues u ka dhënë presidentëve vetëm rol certifikues në të shkuarën me kandidaturat e ministrave, të cilët janë parë gjerësisht si atribut i kryeministrave.

Presidenti Meta nuk dha arsye për refuzimin e kandidaturës së Sandër Lleshit. Në mungesë të qëndrimit të kryeministrit, mbetet gjithashtu e paqartë se si do të zgjidhet vakuumi i krijuar në Ministrinë e Brendshme.

Lleshi nuk është kandidatura e vetme e Ramës që u bllokua nga Meta. Thuajse një vit më parë, presidenti refuzoi të dekretonte kandidaturën e Helidon Bendos në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, institucion i cili drejtohet prej tij si kryetar i komanduar.