Lajm24 Jun 2020

Minatori 50 vjeçar humb jetën në galeritë e Martaneshit

Astrit Xhafa, baba i pesë fëmijëve mbeti i vdekur pas një aksidenti në galeri të mërkurën, duke rënduar bilancin e viktimave në minierat e kromit.

Autor: Hysen Likdisha BIRN Bulqizë
Printo

Stoqet e kromit në qytetin e Bulqizës. Foto ilustruese: Vladimir Karaj/ Arkiv

Astrit Xhafa, baba i 5 fëmijëve mbeti i vdekur nga një aksident në një galeri kromi të mërkurën në Martanesh, ndërsa po punonte për një subjekt minerar.

Sipas njoftimit paraprak të policisë, minatori është dërguar në spitalin e Bulqizës pa shenja jete. Ngjarja është raportuar rreth orës 10.45 minuta në polici, pas aksidentit të ndodhur në një galeri kromi në vendin e quajtur Lug i Gjatë. Policia nuk bëri me dije se cila ishte kompania që menaxhonte galerinë ku ndodhi aksidenti.

Policia tha se një grup hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. BIRN mësoi se viktima ishte nga fshati Okshatinë e njësisë Shupenzë dhe punonte në galeri si vagonist.

Në pesë vitet e fundit, galeritë e kromit në Bulqizë kanë shkaktuar vdekjen e 27 minatorëve si dhe plagosjen e dhjetra të tjerëve. Menjëherë pas ngjarjes, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës i shprehu ngushëllimet familjes dhe kërkoi hetim të ndershëm të aksidentit dhe vënien e fajtorëve para përgjegjësisë.

“Ky rast na sjell në vëmendje kushtet e rrezikshme të punës, që ne minatorët durojmë ditë pas dite. Jeta dhe shëndeti i minatorëve janë të rrezikuar nga mungesa e investimeve në sigurinë në punë dhe indiferenca e institucioneve shtetërore,” deklaroi Sindikata.