Analize27 Jan 2019

Miqësia Franko-Gjermane nuk mjafton

Duke nënshkruar Traktatin e Ahenit, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Francës Emmanuel Macron ndërmorrën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit franko-gjerman në zemër të projektit për Europën. Por deri tani ky pakt përjashton vendet e tjera anëtare të BE-së dhe rrezikon të thellojë më tutje ndasitë në Europë.

Autor: Sigmar Gabriel Project Syndicate Berlin
Printo

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel duke folur me presidentin e Francës Emmanuel Macron gjatë samitit në Bruksel të enjten më 28 qershor 2018. (Stephanie Lecocq, Pool Photo via AP)

Nënshkrimi i Traktatit të Ahenit pak kohë më parë na fton ne të reflektojmë mbi rolin e partneritetit franko-gjerman në Europë dhe si ka evoluar ky rol që kur të dy vendet miratuan për herë të parë një pakt miqësie, Traktatin e Elizesë më 1963.

Në zemër të Traktatit të Ahenit është plani për të formuar një Bashkim Europian të Mbrojtjes. Kjo nuk është ide e re. Propozime të ngjashme janë diskutuar që nga vitet 1950, kur Shtetet e Bashkuara ishin zhytur në Luftën e Koresë. SHBA bëri thirrje që Gjermania Perëndimore të pranohej në Bashkësinë Europiane të Mbrojtjes në atë kohë. Por më 1954, krijimi i bashkimit të mbrojtjes sipas Planit Pleven dhe Traktatit të Parisit – u hodh poshtë nga Parlamenti i Francës, u cili kishte frikë se do të bëhej tepër i varur nga SHBA.

Megjithatë gjatë negociatave për Traktatin e Elizesë më pak se një dekadë më vonë, presidenti i Francës Charles de Gaulle pa mundësinë për të shtyrë për më shumë pavarësi për Europën Perëndimore nga SHBA. Për rrjedhojë, teksti origjinal i traktatit nuk përmendi marrëdhëniet e Francës apo Gjermanisë me SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, NATO-n, apo ndonjë marrëveshje tjetër të rëndësishme ndërkombëtare. Por ky përjashtim nuk kaloi pa u vënë re. Duke iu nënshtruar presionit nga presidenti John f. Kennedy, Bundestagu i Gjermanisë shtoi një preambulë ku bënte thirrje që Franca dhe Gjermania të bashkëpunonin ngushtësisht me SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo gjuhë e re shkoi ndesh me planet e de Gaulle për krijimin e një Europe Perëndimore si kundërpeshë ndaj SHBA dhe në fund solli mosmarrëveshje mes Francës dhe Gjermanisë.

Sipas të besuarit të de Gaulle, Alain Peyrefitte, presidenti i Francës u ankua se gjermanët po “silleshin si derra. Ata iu nënshtruan veten tërësisht pushtetit të SHBA. Ata tradhëtuan grymën e Traktatit Franko-Gjerman. Dhe ata tradhëtuan Europën.” Më vonë, de Gaulle e përshkroi sjelljen e Gjermanisë në këtë episod si “zhgënjimi i tij më i madh.”

Koncepti i “autonomisë strategjike” Europiane ishte përbërës thelbësor i Golizmit. Sot ai shfaqet shumë në debatet mbi integrimin Europian dhe ka pozicion qëndror në vizionin e presidentit të Francës Emmanuel Macron për reformën në BE. Objektivi i Francës sot është i njëjtë me atë që ishte në vitet 1960, kur fillimisht vendi fitoi kontrollin mbi armët atomike: Për të çliruar Gjermaninë dhe Bashkimin Europian nga ndikimi dominues amerikan.

Në dekadat që pasuan, farat e mosbesimit golist ndaj gjermanëve janë mbuluar përmes festimit të Traktatit të Elizesë. Ai pakt ka arritur atë që dukej e pabesueshme. Miqësi me erbfeind – armikun e përjetshëm – vetëm pak vite pasi të dy vendet ishin gjendur në luftën më të egër që kishte parë ndonjëherë njerëzimi.

Si një akt pasues për Traktatin e Elizesë, Traktati i Ahenit mund të trajtohet si simbol i miqësisë Franko-Gjermane. Por gjermanët nuk duhet të anashkalojnë faktin se të dyja traktatet përmbajnë një strategji politike që bie ndesh me përqasjen e vjetër gjermane të balancimit të miqësisë me Francën me marrëdhëniet e fuqishme transatlantike me SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo nuk duhet të sugjerojë se marrëveshjet e miqësisë mes Francës dhe Gjermanisë janë pa vlerë. Por nëse vendos shumë peshë në konceptin idealist se “ne mund t’ia dalim sëbashku,” Franca dhe Gjermania mund ta gjejnë veten duke realizuar një fitore si ajo e Pirros në projektin Europian.

Në fund të fundit, ka arsye për t’u shqetësuar mbi atë se si do të përceptohet marrëveshja në kryeqytetet e tjera të Europës. Çdo polak, italian, grek, zviceran apo spanjoll që lexon tekstin e saj mund ta gjejë të çuditshme që dy vendet simbol të multilateralizmit Europian kanë nënshkruar një marrëveshje dypalëshe, që përjashton të gjithë të tjerët. Çfarë ndodhi me parimin e sovranitetit dhe barazisë mes të gjitha vendeve anëtare të BE-së?

Për më tepër, Franca dhe Gjermania e shohin botën ndryshe. Ndërsa integrimi në rendin liberal PErëndimor është i shenjtëtuar në kushtetutën gjermane, (Grundgesetz), politika e jashtme franceze udhëhiqet nga interesat kombëtare të vendit në kohë të ndryshme. Traktati i Ahenit, njësoj si pararendësi i tij, i vë në hije këto këndvështrime të ndryshme me shumë mjegull qëllimesh të mira.

Traktati i Elizesë simbolizoi fundin e armiqësisë mes Gjermanisë dhe Francës. Por me traktatin e Ahenit të dyja vendet kanë shkuar përtej saj. Ata deklaruan se qëllimi tani është që të ndalohet ndarja e brendshme e BE-së.

Që të jemi të qartë, ka ndasi në rritje mbi çështjet e politikëbërjes financiare dhe ekonomike mes veriut dhe jugut (dhe gjithashtu mes Francës dhe Gjermanisë). Anëtarët perëndimorë janë të shqetësuar për sundimin e ligjit në vendet anëtare lindore dhe ata në veriperëndim duan të luftohet korrupsioni, krimi i organizuar dhe qeversja e dobët te vendet në juglindje. Megjithatë eksaktësisht në këto sfida mbarëeuropiane Traktati i Ahenit nuk ka specifikime konkrete.

Megjithëse projekti Europian pa dyshim varet nga Franca dhe Gjermania, kjo nuk do të thotë se vetëm këto dy vende mund ta ruajnë atë. Pa një përqasje më të ndjeshme ndaj partnerëve të tyre europianë, të dt vendet rrezikojnë të krijojnë përshtypjen se thjeshtë nënshtrimi ndaj aksit Franko-Gjerman është ajo që pritet apo kërkohet.

Por Franca dhe Gjermania kanë interesa të ndryshme. Ndërsa Gjermania mund të mbështesë tërësisht anulimin e Brexit për të ruajtur balancat e brendshme në BE, Franca mund ta shohë tërheqjen e Britanisë si një mundësi për të rritur ndikimin e saj relativ politik, ekonomik dhe ushtarak brenda bllokut. Nuk ka rëndësi që një “Europë më shumë franceze” pa Britaninë e Madhe mund të jetë më e dobët në arenën ndërkombëtare. Edhe tani që dy vende europiane kanë arsenale bërthamore, BE-ja konsiderohet sakaq nga fuqitë e tjera si politikisht e parëndësishme.

Në një botë mishngrënësisht gjeopolitikë, ne Europianët jemi vegjetarianët e fundit. Pa Mbretërinë e Bashkuar ne do të bëhemi veganë, e me gjasa, do të jemi gjahu. Ajo që ka me të vërtetë rëndësi është, jo “autonomia strategjike” por ruajtja e sovranitetit Europian në një kontekst ndërkombëtar që ndryshon me shpejtësi. Franca dhe Gjermania duhet të angazhojne veten për të arritur këtë objektiv. Miqësia franko-gjermane është e nevojshme për Europën; por ajo nuk do të mjaftojë për të garantuar vendin tonë në botë.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Franco-German Friendship Is Not Enough