Lajmet e mira në Ballkanin Perëndimor duhet ta frymëzojnë shefen e politikës së jashtme të Bashkimi Europian ta shtojë ndikimin e BE në rajon si mënyra më e mirë për ta mbajtur atë larg telasheve etnike dhe përsëritjes së krizave të viteve ’90.
Nxitur nga zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe Maqedoni, por ende e shqetësuar nga problemet etnike, politike dhe ekonomike në të gjithë Ballkanin, shefja e politikës së jashtme dhe sigurisë për BE-në Federica Mogherini organizoi të mërkurën një darkë joformale për gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel.
Në takimin e parë gjerësisht si një përpjekje tjetër për të stabilizuar një rajon të paqëndrueshëm, pa pjesëmarrjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama, homologut të tij boshnjak Denis Zvizdiç, kryeministrit në largim të Kosovës, Isa Mustafa, kryeministri të caktuar të Maqedonisë, Zoran Zaev, si dhe të kryeministrit Dusko Markoviç dhe kryeministrit aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i zgjedhur së fundmi president.
Takimi u zhvillua pasi krerët e Ballkanit – përfshirë ata që darkuan me Mogherinin – kërkuan për një rinovim të procesit të pranimit në BE dhe madje paralajmëruan për ndryshim të kufijve të Ballkanit në të kundërt.
Gjithashtu takimi pason thirrjet e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë që zyrtarët e BE-së të braktisin tonet e buta, dhe deklaratat optimiste, të paqarta dhe jorealiste dhe të përballen me realitetin e shëmtuar të krizave të ndryshme ballkanike me fjalë të ashpra dhe veprime më të ashpra, nëse është e nevojshme.
Darka gjithashtu pason shenjat se SHBA-ja dhe BE-ja momentalisht “po fitojnë” në Ballkan.
Duke iu dorëzuar presionit të BE-së dhe SHBA-së, presidenti maqedonas Gjorge Ivanov më 17 maj, i ofroi më në fund liderit social-demokrat Zoran Zaev mandatin për të formuar një qeveri të re.
Ivanov e ka mbajtur dhënien e mandatit që nga marsi, pavarësisht se Zaev siguroi shumicë në parlamentin e Maqedonisë me mbështetje të partive etnike shqiptare.
Lufta e gjatë për pushtet e la Maqedoninë pa një qeveri të re që nga zgjedhjet e parakohshme të 11 dhjetorit.
Të nesërmen, duke iu dorëzuar gjithashtu presionit ndërkombëtar, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe lideri i opozitës Lulzim Basha arritën një marrëveshje për të mbajtur zgjedhje ku do të përfshihen të gjitha partitë.
Nëse zbatohet, marrëveshja do t’i japë fund ngërçit politik prej disa muajsh dhe do të qetësojë situatën në vend.
Këto dy zhvillime paraqesin lajme të mira në krizat e vështira dhe me mundësi rreziku në Shqipëri dhe në Maqedoni – dhe shënojnë një fitore të vogël për BE-në dhe SHBA-në.
Ndërsa këto marrëveshje mbeten ende për t’u zbatuar, Ballkani, BE-ja dhe SHBA-ja përballen me kriza të tjera.
Përveç Maqedonisë, Bosnje-Hercegovina duket se është në situatë më të keqe. Mosmarrëveshjet politike aty mes partive kryesore kanë bllokuar plotësisht punën e parlamentit në nivele të ndryshme, duke penguar reformat dhe duke bllokuar rrugën e vendit në BE.
Me një program të FMN gjithashtu të bllokuar për shkak se Bosnja ka dështuar të kryejë reformat kyçe, vendi me gjasa do të përballet me një krizë likuiditeti këtë vit dhe vitin e ardhshëm, gjë që do të çojë në trazira të reja, me gjasa të dhunshme, të ngjashme me ato të vitit 2014.
Në vitin 2018, Bosnja duhet të mbajë zgjedhjet e përgjithshme. Por pa reformë në ligjin e zgjedhjeve – gjë që duket se nuk ka gjasa të ndodhë – vendi mund të mos arrijë të krijojë qeveri as në nivelet shtetëror dhe as në entitetin e federatës. Ky mund të jetë edhe fillimi i ndarjes së vendit, i cili ka potencialin të shoqërohet me dhunë etnike.
Ndërkohë, pas rënies së qeverisë në Kosovë dhe shpërbërjes së parlamentit në fillim të majit, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka kërkuar zgjedhje të parakohshme më 11 qershor.
Kriza politike në Kosovë po mblidhet prej muajsh, pasi dy partitë kryesore në koalicionin qeverisës – Partia Demokratike e Kosovës, PDK dhe LDK-ja e Kadri Veselit po largohen nga njëra-tjetra duke u pozicionuar në zgjedhjet e reja.
Si rezultat, Kosova po përgatitet për një tjetër fushatë të tensionuar zgjedhore, që pritet të shtyjë ose të ndalojë reformat kyçe.
Ndërkohë kryeministri shqiptar Rama dhe presidenti i Kosovës, Thaçi, kanë tronditur rajonin duke kërcënuar bashkimin e Shqipërisë me Kosovën nëse gjykojnë se BE-ja ka mbyllur dyert për zgjerimin e mëtejshëm në Ballkan.
Edhe Mali i Zi, ndonëse në prag të anëtarësimit në NATO dhe më afër anëtarësimit në BE krahasuar me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, është i përçarë politikisht, si dhe vuan nga politika jodemokratike dhe shpesh e korruptuar e elitës drejtuese.
Prej ndarjes së fortë midis forcave pro-perëndimore dhe atyre pro-ruse, bashkimi me NATO-n duket një rrezik shumë i madh. Ai ose mund ta qetësojë vendin ose të përkeqësojë ndarjet e brendshme.
Situata në Serbi nuk është aspak e këndshme, edhe pse lideri Vuçiç, është sjellë mirë me BE-në për vite me radhë. Pavarësisht se ai ka luajtur një rol relativisht stabilizues në rajon në vitet e fundit, politikat e tij autoritare po anashkalojnë procedurat demokratike dhe po shtypin të drejtat e njeriut dhe lirinë e medias në vend.
Mijëra njerëz në Serbi kanë protestuar kundër Vuçiç që nga fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale në prill.
Gjatë kësaj kohe, Vuçiç vazhdon të vonojë emërimin e një kryeministri të ri, duke pritur për kandidatin e përsosur të cilit mund t’i besojë dhe ta mbajë nën kontroll.
Ndërsa përgjegjësia më e madhe për të gjitha këto kriza paralele të Ballkanit i takon vetë vendeve dhe drejtuesve e popujve të tyre, BE dhe SHBA kanë kontribuar gjithashtu në këtë situatë.
Prej një dekade, Perëndimi u përball me politikën e Ballkanit, duke eksperimentuar me reforma dhe duke imponuar standarde që edhe vetë vendet perëndimore kanë filluar t’i shpërfillin apo shkelin.
Pastaj BE-ja dhe SHBA-ja e braktisën Ballkanin dhe pakësuan praninë e tyre politike dhe ekonomike aty, të detyruar nga probleme më të mëdha të brendshme dhe të jashtme – gjë që i dha ndërkohë mundësi Turqisë, Rusisë dhe të tjerëve të forconin ndikimin.
Rritja e tensioneve globale kërcënuan nxitjen e mosmarrëveshje të vjetra etnike dhe politike në Ballkan.
Në darkën e saj të të mërkurës, mes këtyre telasheve lokale, rajonale dhe globale, Mogherini – si dhe zyrtarët e tjerë të lartë të BE-së – duhet ta bëjnë të qartë synimin e tyre për t’u angazhuar më shumë në Ballkan.
Përndryshe, ata rrezikojnë të humbin fitoret e tyre diplomatike të fundit dhe të arritura me mund.
Mendimet e shprehura në rubrikën e opinioneve i përkasin autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht me ato të BIRN.