Analize4 Jan 2021

Mungesë ndërgjegjësimi; dhjetëra gjoba për COVID-19 në Shkodër

Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka vendosur dhjetëra gjoba për shkelje të rregullave që synojnë parandalimin e përhapjes së pandemisë së COVID-19 gjatë vitit 2020 në Shkodër, por qytetarët ankohen se jo të gjithë zonat monitorohen njëlloj.  

Autor: Anila Dushi BIRN Shkodër
Printo

Pedonalja e qytetit të Shkodrës | Foto : Besar Likmeta

Nga shpërthimi i pandemisë në mars e deri me 24 dhjetor 2020, Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror, ISHSH, në Shkodër ka vendosur 50 masa administrative gjobë ndaj bizneseve për shkelje të akteve normative që synojnë parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

“Një biznes bar- kafe është gjobitur me 1 milion lekë të reja dhe kjo ka qenë masa më e rëndë ndëshkimore që kemi vendosur,” tha Arsida Tyli, kryeinspektore e ISHSH-së në Shkodër.

“Të tjerat kanë qenë masa administrative prej 100.000 lekësh, kryesisht në biznese tregtare si marketet e mëdha apo lokalet bar- kafe, por ka patur dhe masa administrative individuale për moszbatim të protokollit të sigurisë,” shtoi Tyli, ndërsa theksoi se “biznesi i vogël është më i disiplinuar dhe i zbaton masat mbrojtëse të vendosura.”

Sipas Tylit, vetëm gjatë muajit dhjetor në Shkodër janë kryer 473 inspektime për zbatimin e masave që synojnë parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Që nga shpërthimi i pandemisë së Shqipëri në mars, mbi 59 mijë persona janë infektuar nga virusi nga të cilët 1193 qytetarë kanë humbur jetën.

Për të parandaluar shpërndarjen e virusit, qeveria ka ndërmarrë disa herë masa shtrënguese nëpërmjet akteve normative, përfshirë mbylljen e bizneseve të bareve dhe restoranteve në muajt mars-prill dhe më pas lejimin e aktivitetit të tyre nëpërmjet një protokolli strikt, ku përfshihet rregulla përsa i përket higjienës, distancimit fizik, muzikës, orarit të operimit, etj. Shkelja e këtyre rregullave është shoqëruar me masa administrative ndëshkuese.

Administrator i një lokali në Shkodër i gjobitur nga ISHSH për shkeljen e masave kundër COVID-19, i tha BIRN se masa administrative ishte e drejtë por ai edhe mund të ishte toleruar.

“Nuk them se nuk kishin të drejtë por kisha një festë të të afërmve,” u justifikuar I.K, i cili preferoi të fliste në kushtet e anonimatit.

“Këtë vit kemi patur anulime dasmash e aktivitetesh festive  dhe nuk kemi punuar, por në rastin konkret i kisha të afërm dhe ato nuk e shtynin dot festën për arsye objektive,” shtoi ai.

Administratori u ankua se inspektimet nuk kanë qenë njësoj rigoroze në të gjithë zonën e Shkodrës.

“Por duhet thënë se jo të gjithë që kanë shkelur ligjin janë penalizuar dhe kjo jo vetëm në Shkodër,” tha ai. “Në lokale në fshatra janë bërë festa dhe nuk ka patur masa administrative,” shtoi administratori.

Ndërsa një qytetar që ishte ndëshkuar me masë administrative për mos mbajtje maske, i tha BIRN se kontrollet duhet të orientohen më shumë tek bizneset.

”Unë u gjobita se nuk isha maskë, se nuk e duroja dot, më merrte frymën,” tha D.U., i cili preferoi të mbetej anonim.

Ai shtoi se kontrollet duhen bërë më së shumti tek njësitë ekonomike dhe theksoi se mjafton të shohësh furrat e bukës se ka mjaft raste kur shitësit nuk i respektojnë rregullat.

“Maskat dhe kur i kanë ato janë të ulura, ndërsa pagesa për produktin merret nga i njëjti person që dhe të jep mallin, dhe pse buka është specifike dhe nuk lahet dot kur blihet,” theksoi D.U.

ISSH i tha BIRN se për shkak të shtrirjes së madhe gjeografike që ka bashkia e Shkodrës, monitorimi i të gjithë aktiviteteve përbën një sfidë për inspektoriatin. Edhe pse ky institucion punëson një staf prej 17 punonjësish, Tyli i tha BIRN se monitorimi nëpërmjet aplikacionit Google Forms ka mundësuar rritjen e kontrollit të territorit. Ajo theksoi se jo çdo biznes kur janë konstatuar shkelje të protokollit është gjobitur.

“Monitorimet bëhen në vazhdimësi dhe nuk kemi konstatuar përsëritje të shkeljeve tek i njëjti subjekt,” tha Tyli. “Ka patur dhe raste këshillimi nisur nga fakti se disa biznese, sidomos ato të vogla, kaluan një situatë të vështirë ekonomike këtë vit, shoqëruar dhe me ngarkesa psikologjike,” shtoi ajo.

Inspektorët janë përballur dhe me raste kundërshtimesh dhe kanë kërkuar ndihmën e policisë. Kjo në rastet kur janë dhënë masa administrative me vlerë të lartë, siç është rasti i gjobitjes me 1 milion lekë të një biznesi, ku dhe policia ka qenë e pranishme.

Arsida Tyli tha se gjatë sezonit veror ka patur denoncime për  moszbatim të masave mbrojtëse nga COVID-19 në pikat turistike, më së shumti ato të turizmit malor që janë dhe më të vështira për tu kontrolluar, por nuk kanë munguar as rastet e denoncimeve në plazhe.

E pyetur për kontrollet në lokalet me muzikë natën, Tyli theksoi se në to probleme mbetet mungesa e distancimit fizik nga klientët ndërsa personeli shërben me maska.

”Mund të ndodhin që nuk i kanë funksionale por kur shfaqen inspektorët ato reagojnë shpejt dhe është e pamundur ti identifikosh nëse e patën maskën të vënë sipas protokollit apo jo,” tha ajo.

“Por mosrespektimi i distancimit mbetet problemi kryesor,” shtoi Tyle.

Ajo theksoi se për këtë institucion indiferenca e qytetarëve në zbatimin e masave mbrojtëse ndaj COVID-19 mbetet shqetësim.