Opinion8 Aug 2018

Ndarja e Kosovës është një zgjidhje e rrezikshme

Ndarja e Kosovës ose rregullimi i kufijve midis Kosovës dhe Serbisë do të destabilizonte rajonin dhe me shumë gjasa do të shkaktonte dhunë, shprehet një ish-këshilltar në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Autor: David L. Phillips BIRN
Printo

Presidenti i Serbisë dhe ai i Kosovës gjatë takimit më 24 qershor. Foto: Twitter/Maja Kocijancic.

Ndarja do të paralajmërojë braktisjen e Kosovës si një shoqëri multietnike dhe do të shënonte dështimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë që ka për qëllim njohjen reciproke brenda kufijve aktual të Kosovës.

Ndarja nuk është një ide e re. Ajo u ngrit fillimisht në mesin e viteve 1990 nga shkrimtari dhe politikani Dobrica Cosiç,i ashtuquajturi “Kumbari i nacionalizmit serb” dhe të tjerë në Akademinë Serbe të Arteve dhe Shkencave.

Ambasadori i Gjermanisë Wolfgang Ischinger e diskutoi ndarjen në verën e vitit 2007, kur negociatorët e OKB-së nga Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe Rusia, të njohur si “Trojka”, u përpoqën pa sukses të ndërmjetësonin një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës.

Vitin e kaluar, zv/kryeministri dhe ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç u shpreh se “të gjithë kanë nevojë për një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit serbo-shqiptar, gjë e cila mund të arrihet vetëm nëpërmjet një marrëveshje ku secili do të fitojë diçka dhe do të humbasë diçka”.

Daçiç dhe kryeministrja Ana Brnabiç diskutuan së fundmi ndarjen me këshilltarin presidencial të Shteteve të Bashkuara  Jared Kushner. Pas takimit, Daçiç theksoi: “Të gjitha kartat janë në tryezë.”

Vlerësimi i ndarjes fillon me një kuptim të qartë të asaj që Serbia dëshiron.

Daçiç propozon që Serbia të heqë dorë nga pretendimi i saj për të gjithë Kosovën në shkëmbim të tokave në veri të lumit Ibër. Enklavat serbe në pjesë të tjera të Kosovës do të kishin autonomi dhe do të ushtronin kompetenca ekzekutive. Manastiri ortodoks serb i Visoki Deçanit dhe manastire të tjera ortodokse në Kosovë do të fitonin status të posaçëm të mbrojtur.

Serbia kërkon kompensim financiar për pronat që pretendon në Kosovë, përfshirë ndërtesat industriale dhe ato energjetike. Serbia do të sistemonte refugjatët e Serbisë që aktualisht banojnë në Serbi në vendet që fiton nëpërmjet ndarjes.

Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç. Foto: Darko Vojinovic AP

Propozimi për ndarje ngre shumë pyetje.

A është Partia Progresive Serbe në pushtet e përgatitur të ndryshojë kushtetutën e Serbisë për të njohur Kosovën? A do të braktisë Serbia përpjekjet e saj për të penguar vendet nga njohja e Kosovës si edhe t pengojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet multilaterale? A është i Përgatitur Komisioni Europian të fillojë negociatat me Kosovën lidhur me anëtarësimin e saj në BE?

Cilat janë masat e parashikuara nga mos-njohësit e BE-së – Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia? A do të sillte njohjen e Kosovës një marrëveshje mbi ndarjen?

Anëtarësimi në OKB duhet të jetë gjithashtu pjesë e paketës. Megjithatë, pranimi nga Rusia ose Kina nuk është e garantuar.

Demarkacioni është një pengesë. Shkëmbimi i tokave në veri të lumit Ibër me tokat etnike shqiptare në Serbi si Presheva, Medvegja dhe Bujanoci është një procedurë e komplikuar. A do të ishte shkëmbimi simetrik apo bazuar në vlerën e vlerësuar të territoreve në fjalë?

Transferimet e popullsisë do të ishin të çrregullta. Çfarë do të ndodhte me shqiptarët etnikë që jetojnë aktualisht në veri të lumit Ibër? A do të qëndronin ata apo do të kishte një proces të menaxhuar për emigrimin dhe kompensimin e tyre?

Lumi Ibër në Mitrovicë. Foto: Wikimedia.

Do të kishin serbët e Kosovës në jug mundësi për të emigruar në tokat në veri të lumit Ibër? Çfarë mekanizmi do të krijohej për të menaxhuar lëvizjet e popullsisë?

Çfarë do të ndodhte me marrëveshjen ekzistuese për një Asociacion të Komunave Serbe, një nga marrëveshjet midis Beogradit dhe Prishtinës që synonte të siguronte një farë pushteti për serbët e Kosovës? A do të kërkonte Beogradi ende një Asociacion të Komunave Serbe për komunitetet serbe në jug të Kosovës?

Kompensimi është gjithashtu i ndërlikuar. Do të nevojitej një Komision Kompensimi Prone për të riparë titujt, për të përcaktuar pronësinë, të përcaktojë vlerën e pronave dhe të rregullojë kompensimin.

Një tjetër çështje është pronësia e minierave të Trepçës, një kompleks i rëndësishëm minerar dhe metalurgjik në Kosovën veriore që pretendohet nga Beogradi dhe Prishtina. Minierat aktualisht ndahen përgjatë vijave etnike, me serbët që drejtojnë pjesë që ndodhen në veriun e kontrolluar nga serbët e Kosovës dhe Prishtinën që drejton pjesë në jug.

A janë minierat e Trepçës të pasura me ar apo janë varfëruar? Kush do t’i kishte në pronësi minierat e Trepçës? A do të lihej Trepça ë pronësi të Kosovës? Kush do të ishte përgjegjës për vazhdimin e zhvillimit të burimeve minerare të Trepçës, menaxhimin dhe shpërndarjen e fondeve?

Duhet të trajtohen çështje të tjera burimesh natyrore, si Liqeni i Gazivodës, një rezervuar i madh që furnizon me ujë dhe energji elektrike në Kosovën qendrore.

Ndarja do të hapte plagë nga lufta. Ka ende mijëra njerëz të zhdukur. Viktimat kërkojnë llogaridhënie. Si do ta trajtonte llogaridhënien një marrëveshje për ndarjen?

Ndarje të tjera etnike kanë çuar në dhunë dhe migrim masiv, për shembull, ndarja e Indisë në Indi dhe Pakistan. Ndarja mund të nxisë një fazë të re konflikti etnik në Kosovë dhe në rajon, duke destabilizuar shtetet e brishta multietnike.

A do të kërkonte Republika Srpska në Bosnje t’i bashkohej Serbisë? A do të kërkonin shqiptarët etnikë në Maqedoni pas kësaj të bashkonin territoret shqiptare?

Shumë njerëz vdiqën për të ruajtur idealin e shteteve demokratike dhe etnikisht të ndryshme në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i Sllobodan Millosheviçit ishte gjithmonë që të bashkonte kombin serb dhe të krijonte “Serbinë e Madhe”. Ndarja e Kosovës do të arrinte në tryezën e negociatave atë që Millosheviçi nuk arriti dot nëpërmjet spastrimit etnik.

Ndarja kërkon lëshime të mëdha simbolike dhe substanciale me pasoja politike, ekonomike dhe sigurie. Transparenca është kritike. Ndarja nuk mund të negociohet me dyer të mbyllura.

Ndarja do të ishte ngjarja përcaktuese në historinë e Kosovës. Ajo kërkon debat në qarqet politike dhe me shoqërinë civile, si edhe garanci nga komuniteti ndërkombëtar.

Opinionet e shprehura në sektorin e Komenteve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.