Analize16 May 2017

Ndjenja e tërbuar anti-shqiptare përfshin mediat serbe pranë pushtetit

Tensionet etnike dhe politike në rritje në Ballkan kanë nxitur kryeartikuj luftënxitës në mediat serbe pranë pushtetit, ndërsa ekspertët vendas paralajmërojnë kundër gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Autor: Filip Rudic BIRN Beograd
Printo

Faqet e para të gazetave serbe kundër shqiptarëve. Foto: BIRN

“Do t’i therim fëmijët serbë”, bërtiste titulli mbi një foto të ish-guerilasit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kthyer në politikan Ramush Haradinaj, botuar më 11 maj në tabloidin serb Informer, i cili konsiderohet si i afërt me kryeministrin serb dhe të zgjedhurin president së fundmi, Aleksandër Vuçiç.

Artikulli polemik ishte vetëm një nga disa prej shembujve të kohëve të fundit të kryefaqeve nxitëse, që sipas gazetarit serb Perica Gunjiç, i ngjajnë gjithnjë e më shumë propagandës së viteve 1990.

“Kjo nxitje për luftë, aq e çmendur dhe e pamundur që mund të duket, është diçka shumë e rrezikshme,” tha Gunjic për BIRN, duke shtuar se së fundmi ka gjithnjë një shpërthim urrejtjeje në median serbe pas çdo incidenti apo zhvillimi politik që nuk shkon në linjë me interesat kombëtare serbe në vend apo rajon.

Fakti është se ka pasur disa deklarata të bëra nga zyrtarë ndërkombëtarë apo rajonalë që haptazi kanë sfiduar pozicionet kyçe politike serbe apo kombëtare, megjithatë ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk mund të përdoret si justifikim për median që të nxisë luftë.

Si fillim, në prill, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe më pas presidenti i Kosovës Hashim Thaçi paralajmëruan në deklarata të veçanta se nëse Shqipëria dhe Kosova humbin perspektivën e anëtarësimit në BE në të ardhmen e afërt, të gjithë shqiptarët do të vendosin të jetojnë në një vend.

Kjo deklaratë shkaktoi reagime të nxituara nga mediat dhe politikanët serbë.

Së fundmi, ish-shefi i misionit të OSBE në Kosovë, Ëilliam Ëalker, nxiti një valë të re zemërimi në media, pasi i tha shtypit javën e kaluar se ai po punonte në një projekt për të bashkuar shqiptarët.

Kryeministri serb Vuçiç reagoi shpejt, duke e akuzuar Ëalker se po lobon për një “Shqipëri të Madhe”.

Ëalker ka punuar në Kosovë në vitin 1999, kur 45 shqiptarë u masakruan në fshatin Racak, ndaj mediat serbe nisën një fushatë propagandistike duke pretenduar se krimi, i cili shkaktoi ndërhyrjen e NATO-s kundër Jugosllavisë, ishte i stisur.

Një tjetër pikë e dobët është kriza politike në Maqedoni, ku partia VMRO-DPMNE po refuzon të heqë dorë nga pushteti përballë koalicionit nga socialdemokratët e Zoran Zaev dhe partive shqiptare etnike.

Shumica e mediave serbe i kanë portretizuar këto ngjarje si një përpjekje e shqiptarëve të mbështetur nga SHBA për marrjen e Maqedonisë.

“Amerika ia jep Maqedoninë Shiptarëve [një term përçmues për shqiptarët] dhe [Zoran] Zaevit me forcë”, shkruante një artikull i botuar së fundmi në faqen e parë, përsëri në tabloid Informer.

Dy javë më parë, tabloidi Blic njoftoi se inteligjenca ushtarake serbe kishte konfiskuar armë që dërgoheshin kontrabandë prej shqiptarëve nga Kosova drejt Maqedonisë, gjoja për t’u përdorur për një konflikt të armatosur.

Me vetëm një burim anonim nga inteligjenca ushtarake dhe pa konfirmim zyrtar, disa gazetarë përdorën mediat sociale për të vënë në dyshim besueshmërinë e lajmit.

Uebsajti Cenzolovka, që monitoron lirinë e shtypit dhe ku Gunjiç është rekdator, regjistroi 12 faqe të para mes 20 shkurtit dhe 10 majit nga Informeri vetëm, të cilat ngjallnin idenë e luftës në Ballkan.

Tetë prej tyre i referoheshin komplotit për të krijuar një “Shqipëri të Madhe” nga territoret në vendet fqinje, ndërsa të tjerat akuzonin opozitën serbe se donte të rrëzonte qeverinë e Vuçiç.

Kërcënimi i “Shqipërisë së Madhe” mbetet një taktikë popullore për ngjalljen e frikës në politikën serbe, ku disa media vazhdojnë lojën e deklaratave të politikanëve për këtë çështje.

Qendra për Studimet Euro-Atlantike, CEAS, një OJQ, shprehu shqetësim për “abuzimin me tensionet rajonale për përhapjen e urrejtjes ndaj shqiptarëve në Serbi dhe në rajon”.

“Kërkojmë që autoritetet të reagojnë ndaj gjuhës së urrejtjes kundër shqiptarëve[…] të cilat mund të kenë pasoja të paparashikueshme mes tensionit të krijuar nga lajmi i qindrave shqiptarëve të armatosur dhe mijëra armëve [të konfiskuara]”, tha CEAS në një deklaratë më 8 maj.

Një tjetër shënjestër e gazetave serbe është ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka qenë vazhdimisht në faqet e para që kur një gjykatë në Francë refuzoi ta ekstradonte atë në Serbi, ku akuzohet për krime lufte.

Faqja e parë e Srpski Telegraf e 14 majit kishte një foto të Haradinaj me nëntitull 14 “Do të marr Nishin nga Serbia”.

Tabloidët kanë shkruar rreth planit të pretenduar shqiptar për të marrë Serbinë jugore që nga prilli kur Jonuz Musliu, një politikan shqiptar në Serbi bëri deklaratën provokuese se presidenti i tij ishte lideri shqiptar Edi Rama, jo Vuçiç.

Pavarësisht tabloidëve që nxisin tensionet etnike dhe urrejtje, Idro Seferi, një gazetar shqiptar me bazë në Beograd, thotë se ai nuk ndihet më pak i sigurt në Serbi.

Megjithatë, ai thotë se atmosfera e krijuar nga gazetat nxit mosbesim te serbët dhe shqiptarët.

“Nëse shqiptarët do të shihnin veç median pa pasur kontakt me serbët, ata me siguri që nuk do të ndiheshin rehat,” tha ai, duke shtuar se barriera e gjuhës është një pjesë e madhe e problemit.

Seferi e vë në dyshim hiperbolën e politikanëve dhe medias, duke thënë se mes njerëzve të zakonshëm të dy vendeve ka fare pak incidente të dhunshme ndëretnike.