Blog21 Aug 2020

Në kërkim të bibliotekës së re dhe kinemasë së munguar

Në 30 vitet e fundit në Durrës janë ndërtuar dhjetëra mijëra metër katrorë banesa të reja dhe godina gjithëfarësh, por askush nuk ka menduar për ndërtimin e një biblioteke të re –ndërsa qytetit i mungon edhe kinemaja.

Autor: Gëzim Kabashi BIRN Durrës
Printo

Kinema “Gloria” në vitet ’30 në qytetin e Durrësit.

Biblioteka publike e qytetit të Durrësit po bëhet gati të festojë 75-vjetorin e vet, në të njëjtën godinë ku i hapi dyert për herë të parë. Prej shtatorit 1945, Durrësi ka një popullsi gati 30 herë më të madhe, por “shtëpia e dijes” –siç e quajnë me përkëdheli punonjësit e bibliotekës vazhdon të jetë e njëjta.

Biblioteka ndodhet pas godinës së Prefekturës dhe ka një hapësirë prej 375 metra katrorë gjithsej. E pamjaftueshme për një qytet me rreth 240 mijë banorë, ku nxënësit, studentët, pensionistët dhe intelektualët kanë në dispozicion vetëm një sallë leximi me 18 vende ulur gjithsej.

Gjendja e bibliotekës është në kontrast të thellë me të shkuarën e lavdishme të qytetit antik. Një mbishkrim i zbuluar kohë më parë dhe që i përket periudhës së perandorit Trajan (shek. I pas Krishtit) tregon se me rastin e përurimit të Bibliotekës, në amfiteatrin antik u zhvilluan lojëra me 12 çifte gladiatorësh.

Nëntëmbëdhjetë shekuj më parë, u ndërtua një bibliotekë e madhe për një qytet ende të vogël, ndërsa sot Durrësi ka një bibliotekë të vogël për një qytet të madh.

Qyteti ku në 30 vitet e fundit janë ndërtuar dhjetëra mijëra metër katrorë banesa të reja dhe godina gjithëfarësh, vendin më të rëndësishëm të dijes ka preferuar ta lenë në dy katet e një vile gati 100-vjeçare, pronë private, pjesën më të madhe të së cilës e zenë librat dhe tekstet e pafundë.

Megjithë premtimet e pushtetarëve lokalë që kanë zëvëndësuar njeri-tjetrin, ende qytetarët shërbehen në sipërfaqet e ngushta, ku vijon të punojë edhe personeli i Bibliotekës Publike.

Në kërkim për një godinë të re nuk është vetëm biblioteka e Durrësit, por edhe artdashësit e kinemasë.

Në vitin 2005, dy qytetarë të pasionuar të kinemasë ngritën në qytet një sallë me të gjithë parametrat teknikë të nevojshëm, bashkë me ajrin e kondicionuar për një hapësirë me 400 spektatorë. Gjithçka zgjati vetëm disa muaj, dhe qyteti nuk mundi ta ruajë raportin me njerëzit e kulturës, që sakrifikuan për të mbajtur hapur një kinema.

Në vitet 1930, qytetarë të moshave të ndryshme ndiqnin edhe filma të Hollivudit në 4 kinema të ndryshme në Durrës, ndërsa pas daljes nga komunizmi, qyteti trashëgoi dy salla projektimi të hershme.

Që nga viti 2008, për shtatë edicione radhazi në Durrës u organizua Festivali Ndërkombëtar Veror i filmit “Gladiatori i artë”. Regjisori Italian Marco Bellocchio, një nga mysafirët më të rëndësishëm të kësaj veprimtarie, u tha mediave në atë kohë se  i duket “i çuditshëm organizimi i një festivali filmi, në një qytet që nuk ka kinema”.

Veprimtaria e rëndësishme e filmit është ndërprerë prej disa vitesh, megjithatë asnjë ndryshim nuk ka ndodhur për ngritjen e një kinemaje të re në qytetin bregdetar. Bashkia e Durrësit nuk ka asnjë plan të afërt për ndërtimin e godinave që mund të mikpresin bibliotekën e re dhe kinemanë e munguar.