Lajm21 Jan 2020

“Nënat e Srebrenicës” kallëzojnë Holandën në GJEDNJ

Shoqata “Nënat e Srebrenicës” paraqiti një kallëzim kundër Holandës në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke pretenduar se paqeruajtësit holandezë të Kombeve të Bashkuara dështuan në mbrojtjen e boshnjakëve që u vranë në masakrat e vitit 1995.

Autor: Dzana Brkanic BIRN Sarajevë
Printo

Vajtues në një përkujtimore të masakrave të Srebrenicës. Foto: Anadolu.

Shoqata “Nënat e Srebrenicës”, e cila përfaqëson më shumë se 6,000 anëtarë të familjeve së viktimave të gjenocidit të Srebrenicës, ka paraqitur një kallëzim kundër Holandës në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, njoftoi të hënën firma juridike holandeze “Van Diepen Van der Kroef”.

Shoqata pretendon se një batalion holandez i paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara nuk arriti të mbronte boshnjakët nga forcat serbe të Bosnjës në Srebrenicë, e cila ishte shpallur “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara. Rreth 8,000 boshnjakë u vranë më pas.

“Kallëzimi kundër shtetit holandez është se në korrik 1995 Holanda nuk arriti të merrte masat brenda kompetencave të saj për të mbrojtur burrat dhe djemtë në zonën e sigurt të Srebrenicës”, tha “Van Diepen Van der Kroef” në një deklaratë.

Gjykata e Lartë Holandeze vendosi në korrik 2019 se Holanda veproi në mënyrë të paligjshme sepse batalioni holandez nxori 350 boshnjakë nga kompleksi i Kombeve të Bashkuara pranë Srebrenicës, pavarësisht faktit se ekzistonte rreziku që ata të vriteshin.

Gjykata megjithatë vendosi se Holanda kishte një përgjegjësi të kufizuar sepse ekzistonte një mundësi e lartë që boshnjakët të ishin vrarë gjithsesi edhe nëse ata do të kishin qëndruar në kompleks.

“Megjithatë, nuk ka pasur asnjë debat faktik në gjyq në lidhje me shanset e burrave. Vendimi i Gjykatës së Lartë në këtë drejtim është plotësisht arbitrar”, thuhet në deklaratën e “Van Diepen Van der Kroef”.

Firma juridike u shpreh se kjo përbën një shkelje të nenit në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut që garanton të drejtën për një gjykim të drejtë.

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, qeveria holandeze e pranoi përgjegjësinë.

“Pavarësisht kësaj, shteti i Holandës deri më tani nuk ka shprehur gatishmërinë për të diskutuar një zgjidhje që do të ishte në përputhje me vendimin e Gjykatës së Lartë, por shoqata ‘Nënat e Srebrenicës’ do të vazhdojë betejën e saj për drejtësi”, tha “Van Diepen Van der Kroef”.