Indeksi i Çmimeve të Konsumit pësoi një rritje minimale prej 1.4% gjatë muajit gusht, duke sugjeruar se sezoni turistik i trumpetuar si sukses nga ana e qeverisë nuk arriti të sjellë ndonjë gjallërim të konsumit.
Në datën 20 gusht, në një kronikë të transmetuar në një numër mediash, Ministri i Turizmit Blendi Klosi u shfaq në Sarandë duke përshëndetur atë që ai e quajti “turistja e njëmiliontë”. Kjo, sipas kronikës, qëlloi që ishte një vajzë bjonde nga Austria e cila kishte mbërritur në Shqipëri bashkë me familjen e saj përmes portit të Sarandës.
Turistja e vogël u përshëndet edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili shpalli se në njëzet ditët e para të gushtit, në Shqipëri kanë hyrë 16.5% më shumë turistë se sa “i gjithë muaji gusht i vitit të kaluar”.
Metodologjia e ndjekur nga autoritetet për të identifikuar “turisten e njëmiliontë” apo për të matur numrin e përgjithshëm të turistëve të huaj është e paqartë. Por ajo që është e qartë është se ky fluks shumë i lartë “turistësh të huaj” duket se nuk ka lënë gjurmë në konsumin e përgjithshëm të vendit gjatë muajit gusht dhe nuk ka shkaktuar ndonjë rritje të pritshme të çmimeve, gjë që supozohet se ndodh kur ka rritje të konsumit.
Sipas Institutit të Statistikave, Indeksi i Çmimeve të Konsumit pësoi një rritje minimale prej 1.4% në bazë vjetore gjatë muajit gusht, rritje kjo më e ulët e sa në korrik, 1.5% dhe shumë më e ulët se sa objektivi i inflacionit të vendosur nga Banka e Shqipërisë në masën 3% me bandë luhatjeje plus/minus 1%.
Sipas INSTAT, shërbimet në hotele, kafene dhe restorante, të cilat janë sektori që hamendësohet se do të përjetonte bum biznesi për shkak të rritjes së fortë të turizmit, pësuan një rritje minimale prej 1.1% në krahasim me gushtin e një viti më parë. Kjo kontradiktë mes rritjes së numrit të turistëve dhe mosrritjes së çmimeve mbetet për momentin e pashpjeguar.
Ajo çfarë mbetet e shpjeguar është që inflacioni në Shqipëri mbetet në nivele shumë të ulëta, të cilat sugjerojnë për stanjacion të vazhdueshëm të konsumit. Sipas të dhënave të INSTAT, IÇK është rritur me më pak se 1.5% që nga marsi i këtij viti. Por inflacioni i ulët i gushtit është ndryshe nga ajo e muajve të mëparshëm. Përgjatë gjysmës së parë të vitit, çmimet e ulëta reflektuan jo vetëm mosrritjen e konsumit, por edhe efektet e forcimit të lekut në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018. Në muajt korrik dhe gusht ky efekt nuk ishte më i pranishëm sepse forcimi i lekut u ndal në qershor 2018 përmes ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë. Rrjedhimisht, inflacioni shumë i ulët i këtyre muajve është drejtpërsëdrejti pasojë e konsumit të ulët.
Shqipëria gjendet në një krizë tashmë prej vitesh, ku konsumi dhe rritja ekonomike janë të dobëta, shoqëruar me interesa të ulëta të borxhit publik apo kredive si dhe interesa thuajse inekzistente për depozitat.