Historia e një vajze 6-vjeçare, e cila ka kaluar nga Shtëpia e Fëmijës te një familje kujdestare në Shkodër nxjerr në pah avantazhet e sistemit të ri për mirëqënien e fëmijëve, por edhe burokracitë dhe sistemin jo-funksional të kontrollit.
Lulja* mban emrin e gjyshes. Nuk do ta ndërrojë, edhe pse nuk është modern. Vajza 6 vjeçare ëndërron të ketë një qen që flet, fustanin e Frozenit, shkopin magjik dhe kurorën. Kur të rritet, do të bëhet doktoreshë.
“Edhe balerinë, po nuk më lë babi,” thotë ajo.
Në kopsht e çon Nana me biçikletë. Nana Nikolina. Sikur mbante emrin e gjyshes?
Nikolina, 56 vjeç, nënë e dy vajzave të rritura është gjyshja e saj kujdestare.
Nikolina thotë se vendimi për të marrë Lulen në shtëpi erdhi rastësisht. Ajo kishte shkuar bashkë me një shoqen e saj në Shtëpinë e Fëmijës Parashkollor në Shkodër për të marrë një vajzë për fundjavë, por fëmija i paracaktuar kishte nisur të qante.
“Ndërkohë, shoh kyt vocërrake që m’u var te kambët e thoshte: A t’li unë… Domethënë, a të vij unë”?
Që prej asaj dite, më shumë qanin vajzat e Nikolinës kur e kthenin Lulen mbrapsht, sesa ajo vetë.
Nikolina jeton me bashkëshortin e saj pensionist, Palokën dhe vajzat Ori dhe Xhulia në një shtëpi të thjeshtë të blerë me kredi, një dhomë e guzhinë, në një pallat të vjetër në Shkodër. Ajo ka punuar për 20 vjet në ndërmarrjen artistike “Migjeni”, më pas në disa klinika dentare, ndërsa aktualisht kujdeset për dy familje-paradite me një fëmijë dhe pasdite për një të moshuar.
Për një vit e gjysmë, Lulja vizitoi shtëpinë e tyre çdo fundjavë. Derisa ata vendosën ta merrnin në kujdestari. Paloka, i cili bashkohet më vonë në bisedë kujton se një ditë e gjeti vajzën në divan.
“Ma shumë ishte dëshira e Orit që ta mbanim,” tregon ai.
Familja u përfshi në një projekt të Ministrisë së Mirëqënies, i financuar nga programi i kthimit të borxhit me qeverinë italiane, IADSA, që nxiste shërbimet alternative për fëmijët e institucioneve rezidenciale. Ishin gjithsej 4 familje në Shkodër.
Katër anëtarët e familjes plotësuan formularët , kryen testet e ndryshme shëndetësore dhe paraqitën kërkesën në gjykatë për marrjen në kujdestari të Lules. Nikolina mori pjesë edhe në një trajnim nga ministria për mirërritjen e fëmijës.
Në korrik 2015, doli vendimi i gjykatës për marrjen në kujdestari ligjore të Lules. Që prej asaj dite, Lulja jeton në familjen e re, të cilën e ka zgjedhur vetë.
Drejt familjeve kujdestare
Para se të përfundonte në Shtëpinë e Fëmijës Parashkollor në Shkodër , Lulja u rrit deri në 3 vjeç e gjysmë nga familja e saj biologjike, Më pas, prindërit e saj u divorcuan, ndërsa nëna i kishte dërguar të dyja vajzat në Shtëpinë e Fëmijës.
Nikolina tregon se vajza e madhe është rimarrë nga nëna e saj, ndërsa për Lulen, po bëhen përpjekje që ta marrë i ati, i cili ka krijuar një familje të re.
Vogëlushja ka ndjenja të përziera lidhur me prindërit e saj. Njëherë thotë se e ka marrë malli për mamin, më pas tregon se babai po i bën gati “dhomën ngjyrë rozë te shtëpia e re”. Më shumë, Lulja përmend motrën e saj.
Nëna e saj biologjike ka ardhur vetëm njëherë në shtëpinë e Nikolinës për të takuar të bijën. “Nana kujdestare” thotë se ka këmbëngulur vazhdimisht që ajo ta shohë më shpesh të bijën ose të jetë e pranishme në festën e saj të ditëlindjes.
“I vjen turp,” thotë Nikolina.
Lulja nuk duket se ka kujtime të mira edhe nga “kopshti i madh”. Me sytë nga televizori ku ndjek filmin e saj, ajo thotë se i pëlqen të rrijë më shumë këtu se në kopsht, pasi atje “i rrehin”.
Anila Sulstarova, psikologe e njohur dhe drejtuese e qendrës Bethany në Tiranë shpjegon se për të kuptuar qetësinë e fëmijës në familjen kujdestare, duhet të shikosh si reagon ajo: dallohet nga shkëlqimi i syve, nga mënyra sesi i referohet nënës (kujdestare), nga vizatimet…..
Në vend të vizatimeve, Lulja na tregoi fotot e saj të ditëlindjes, e veshur me fustan të bardhë si dhe fotot me Orin, ku pozojnë me syze si modele.
Nikolina tregon se vajza shqetësohet kur i kujton shtëpinë e fëmijës.
“Kur i thashë se po vjen Valbona (drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror që për pak kohë ka drejtuar shtëpinë e fëmijës parashkollor) kishte frikë se po e merr prapë,” thotë ajo.
Ndërsa Nikolina tregon për rrugëtimin e saj, vajza i afrohet dhe i thotë diçka në vesh. Do të flasë me të atin. E merr në telefon dhe i thotë: A do t’i flasësh drejtoreshë Valbonës?
“Kur të martoj Lulen, Nana Niko do jetë në krye të tavolinës,” dëgjohet zëri nga ana tjetër e telefonit. “Shumë faleminderit për gjithçka po bëni!“
Të çarat e sistemit
Shërbimi i kujdestarisë ka një historik të shkurtër në Shqipëri. Në vitin 2012, një vendim i Këshillit të Ministrave përcakton procedurën e marrjes në kujdestari të fëmijëve. Në vitin 2013, u përcaktuan 99 familjet e para kujdestare, ndërsa në vitin 2015, Shërbimi Social Shtetëror raporton se janë 247 familje kujdestare, nga të cilët 22 kanë në kujdestari fëmijë me aftësi të kufizuar.
Anila Sulstarova mendon megjithatë se shifrat e Shërbimit Social janë të fryra. Shumica e familjeve kujdestare, sipas saj kanë lidhje gjaku me fëmijët, ndërkohë që të tjerët duhet të përballojnë një sërë burokracish në procedura të gjata dhe të kushtueshme.
“Përveçse nuk ka informacion, sistemi të vonon, është shumë i lodhshëm në hyrje. Procedurat janë të gjata dhe të kushtueshme, – duhen dëshmi penaliteti, teste për HIV, test shëndeti mendor, kartela e vaksinave- kostoja shkon deri 5000 lekë për një familje kujdestare që të sigurojë dokumentacionin dhe kjo nuk është e drejtë,” thotë Sulstarova.
Megjithëse të gjithë bien dakord për mbylljen e qendrave rezidenciale për fëmijë, shumë njerëz, përfshirë dhe ato që e kanë nxitur shërbimin e kujdestarisë, janë dyshues për suksesin e tyre. Dhe kjo për shkak të mekanizmave të kontrollit, që nuk janë të përcaktuar mirë në ligj dhe mungesës së profesionistëve në nivel lokal.
Nikolina i tha BIRN se ajo është e shqetësuar për mungesën e kujdesit të Bashkisë ndaj fëmijëve që lihen në kujdestari. Prej kohës që Lulja banon në shtëpinë e tyre, bashkia nuk ka kryer asnjë vizitë.
“U nxeha një ditë, edhe kur po vononin pagesën dhe thashë t’ua çoja në zyrë e t’u thosha: a e dini ku e keni këtë fëmijë?” thotë Nikolina. “Letrat i do bashkia, masanej nuk interesohet,” thotë e pakënaqur ajo.
Valbona Tula, drejtoreshë e Shërbimit Social për qarkun e Shkodrës e quan këtë “një problem të madh”.
“Bashkia nuk është mësuar me këtë shërbim. Janë shumë neglizhentë, janë mësuar të rrinë në zyrë, të shpërndajnë vetëm ndihmë eknomike dhe pagesat e aftësisë së kufizuar,” thotë Tula.
Ligji ngarkon njësitë e qeverisjes vendore dhe posaçërisht administratorët shoqërorë që të identifikojnë familjet kujdestare, të ndihmojnë në procesin e aplikimit në gjykatë, të bëjnë vlerësimin e familjes kujdestare dhe fëmijës dhe të përgatisin raport përputhshmërie.
Nga ana tjetër, Bashkitë ankohen se nuk kanë personel për të mbuluar këto shërbime. Aktualisht ka vetëm 30 punonjës të mbrojtjes së fëmijëve me kohë të plotë në të gjithë Shqipërinë, ndërsa të tjerët janë futur brenda detyrave të administratorit shoqëror.
Projektligji i ri për mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve premton ta zgjidhë këtë çështje delikate, duke vendosur si objektiv ngritjen e NJMF-ve në çdo bashki dhe standartin 1 punonjës social për 3000 fëmijë. Megjithatë, projektligji nuk përcakton afate kohore.
Pagesa është një faktor tjetër frenues për kujdestarinë. Vende të ndryshme ofrojnë eksperienca të ndryshme në këtë drejtim. Sulstarova shpjegon se në disa vende është falas, në vende të tjera paguhet nga 12-35 dollarë në ditë. Në Shqipëri, pagesa është lënë fikse, si për foshnjet ashtu edhe për fëmijët deri në 15 vjeç, edhe pse nevojat janë të ndryshme.
Nikolina merr një pagesë prej 9000 lekësh në muaj për Lulen, por as ajo nuk ka qenë e rregullt. Ajo mendon se nëse pagesa do të ishte 20 mijë lekë në muaj-gjithsesi më pak sesa kostoja e kujdesit për fëmijë në institucion, njerëzit do të ishin më të interesuar që të aplikonin për familje kujdestare, ndërsa fëmijët do të rriteshin më mirë.
Mungesa e informacionit është një tjetër problem që identifikohet nga Valbona Tula. Ajo mendon se bashkia duhet të shkundet, “të dalim derë më derë, të bëjmë emisione, se njerëzit nuk e dinë”.
Ori bie dakord me Tulën, ndërsa pohon se njerëzit janë kureshtarë dhe e pyesin shpesh për Lulen.
“A e keni birësuar-na thonë. Kur u themi që e kemi marrë në kujdestari, na pyesin çfarë është kjo. Nuk e dinë se ekziston kjo formë,” thotë ajo.
Në Tiranë, qendra Bethany është duke përgatitur 5 familje kujdestare dhe megjithëse kërkesat janë të mëdha, Anila Sulstarova mendon se është më mirë të ecet me hapa të vegjël, por të sigurt. Sulstarova tregon se dita më e bukur për të ishte kur një grua telefonoi në qendër dhe u ofrua të merrte në kujdestari një vajzë 2 vjeç, rasti i së cilës u bë publik në media.
“Por më pas nuk mori më në telefon,” tregon Anila. “Tërhiqen, pasi e dinë se nëse lidhen shumë me fëmijën, nuk shkëputen dot më”.
Si Nikolina me Lulen, që pasi iu var të këmbët një vit e gjysmë më parë, e kuptoi që s’kishte kthim mbrapa.
*Emri i vërtetë i vajzës 6-vjeçare është ndërruar për arsye etike.