Lajm1 Oct 2019

Opozita kërcënon bankat kundër financimit të koncesioneve

Kryetari i opozitës Lulzim Basha dërgoi një letër të pazakontë publike te institucionet bankare në vend duke i kërkuar të mos financojnë disa kontrata koncesionare të shumëdebatuara të qeverisë "Rama" si dhe duke kërcënuar me anulimin e kontratave në rast se opozita vjen në pushtet.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i PD Lulzim Basha duke folur me gazetarët më 25 shtator 2019. Foto: Malton Dibra/LSA

Duke dhënë si shembuj dy kontrata të shumëdebatuara koncesionare, atë të rrugës Orikum – Dukat dhe të autostradës Milot – Balldre, kreu i opozitës Lulzim Basha kërcënoi bankat shqiptare se rrezikojnë të humbasin shuma më mëdha parash në rast se pranojnë të kreditojnë këto biznese si dhe disa sipërmarrje të tjera në sektorin e ndërtimit rezidencial, për të cilat opozita akuzon se po i shërbejnë qeverisë për të pastruar paratë e drogës.

Përmes një lete publike, Basha thotë se sektori bankar është “i ekspozuar” ndaj rrezikut të asaj që ai e quajti “bashkëpunim i qeverisë me krimin”.

Basha përmendi veçmas kontratat koncesionare të rrugëve Orikum – Dukat dhe Milot – Balldre, të cilat janë fituar përmes kontratave të miratuara në parlament nga kompani shqiptare.

Skemat e financimit të këtyre kontratave mbështeten gjerësisht në gjetjen e kredive nga sektori bankar. Orikum-Dukat, e cila është fituar nga kompania Gjikuria pas një kërkese për koncesion të pakërkuar te qeveria “Rama”, ka nevojë për 25.5 milionë euro kredi ndërsa Milot – Balldre, e fituar nga kompanitë ANK dhe Bardh, gjithashtu pas një propozimi për koncesion të pakërkuar, ka nevojë për 70 milionë euro kredi.

“Të dyja kontratat publike, haptazi, cënojnë interesin publik dhe dëmtojnë në mënyrë të rëndë interesat financiare të shtetit shqiptar, duke u siguruar përfitime të padrejta zyrtarëve të korruptuar dhe kompanive private,” shkroi Basha në letrën e tij.

Shoqata Shqiptare e Bankave, e cila përfaqëson interesat e sektorit bankar në vend, i tha BIRN se nuk mund të komentojë mbi deklarata të karakterit politik.

Qeveria nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së BIRN për komente.

Kontratat koncesionare të qeverisë Rama janë veçanërisht kontroverse dhe të shumëkritikuara jo vetëm nga opozita, por edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Këto kontrata janë cilësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si të dyshuara për korrupsion.

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka kërcënuar edhe më herët me anulim dhe konfiskim të koncesioneve të qeverisë aktuale, por kjo është hera e parë që opozita kërcënon bankat për të mos i financuar ato.

Aktualisht financimi i kontratave të tilla të mëdha nga sistemi bankar është sakaq i vështirë për shkak se shumave domethënëse të kërkuara. Bankat i nënshtrohen kufizimit të rrezikut, një rregull i vendosur nga banka qëndrore në të cilin sanksionohet se asnjë kredi nuk mund të jetë më e madhe se sa 15% e kapitalit aksioner të vetë bankës.

Aktualisht koncesioni i rrugës së Arbrit, fituar nga kompania Gjoka Konstruksion, është financuar në masën 9.5 miliardë lekë nga një kredi nga BKT. Kjo shumë duket se është fare pranë limitit prej 15% të kapitalit aksioner të kësaj banke.