Lajm26 May 2020

Organizatat dënojnë dhunën e policisë bashkiake ndaj ricikluesit

Pas publikimit të një videoje në Facebook në të cilën dy policë të Bashkisë Tiranë shfaqen duke dhunuar një rom riciklues mbeturinash, njëmbëdhjetë organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kërkuan hetim dhe dënim të dhunuesve.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Njëmbëdhjetë organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dënuan në një deklaratë të përbashkët atë që duket se është një dhunim i një shtetasi grumbullues mbeturinash të riciklueshme nga ana e dy personave të policisë bashkiake të Tiranës.

Videoja e publikuar në rrjetin social Facebook paraqet dy policët që dhunojnë qytetarin i cili nuk i përgjigjet me dhunë por përpiqet vetëm t’i shpëtojë nga duart ndërkohë që kalimtarët ndalojnë për t’i qetësuar.

“…jemi njohur nëpërmjet mediave online me dhunën e policëve të bashkisë Tiranë ndaj një anëtari të minoritetit rom, i cili i gjendur në kushte të vështira ekonomike për shkak të dështimit të programeve të punësimit si dhe masave të ndërmarra ndaj Covid-19, ka zgjedhur si zgjidhje për të ushqyer familjen mbledhjen e mbetjeve të riciklueshme. Por, siç shihet nga video, kjo gjë nuk është pranuar nga punonjësit e policisë bashkiake Tiranë, duke e dhunuar në shkelje të çdo ligji apo rregulli,” shkruhet në deklaratën e organizatave.

“…këto janë sjellje të paligjshme dhe kryhen në mënyrë të përsëritur nga ana e policisë së bashkisë Tiranë.  Shprehemi  të paligjshme, pasi në 2017, institucioni i Avokatit të Popullit nëpërmjet trajtimit të një ankese ka konstatuar se, policia bashkiake Tiranë vepron në tejkalim të kompetencave të saj përsa i përket  masave dhe veprimeve të kryera ndaj ricikluesve si dhe ka rekomanduar mos përsëritjen e veprimeve tilla,” vijon më tej deklarata.

“Lidhur me situatën e ndodhur, kërkojmë nga ana e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, të kërkojë falje publike për dhunën e kryer nga ana e punonjësve të tij ndaj anëtarit të minoritetit rom si dhe të marrë masa për pezullimin, hetimin e ngjarjes dhe vendosjen e tyre para drejtësisë,” thonë ata.

Dhuna ndaj ricikluesve dhe ndaj shitësve ambulantë ka qenë e përsëritur dhe mbi baza të paqarta ligjore nga ana e Policisë Bashkiake të Tiranës.

Një zëdhënës i Bashkisë së Tiranës nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN për koment mbi këtë video deri në publikimin e këtij shkrimi.