Investigim18 Sep 2015

Pacientët paguajnë kostot e reformës në tregun e ilaçeve

Një vit pas reformës në tregun farmaceutik, Ministria e Shëndetësisë ka dështuar të sigurojë ilaçe të mjaftueshme për skemën e rimbursimit dhe të mbyllë kanalet e favorizimit për importuesit e mëdhenj, ndërkohë që mjekët japin alarmin se shqiptarët po kurohen më keq.

Autor: Esmeralda Keta BIRN Tiranë
Printo

Ministri i Shëndetesisë Ilir Beqaj dhe Drejtoresha e QSUT Ogerta Manastirliu, gjatë një vizite në shërbimin e Hemodinamikës në QSUT, ku është përuruar një pajisje e re e angiografisë që monitoron enët e gjakut që furnizojnë zemrën. | Foto nga : LSA

Ministri i Shëndetesisë Ilir Beqaj dhe Drejtoresha e QSUT Ogerta Manastirliu, gjatë një vizite në shërbimin e Hemodinamikës në QSUT, ku është përuruar një pajisje e re e angiografisë që monitoron enët e gjakut që furnizojnë zemrën. | Foto nga : LSA

Shëndeti i Hamide Pashës, një pensioniste 73-vjeçare varet nga një kapsulë 5 mg warfarinë; e moshuara duhet të pijë çdo ditë ilaçin e hollimit të gjakut për të shmangur rrezikun nga tensioni. Por medikamenti i rekomanduar nga mjeku nuk gjendet në treg.

Përgjatë një viti, ajo e ka gjetur vetëm një herë në farmaci ilaçin që i nevojitet. Në mungesë të tij, kura zëvendësohet me dy medikamente të tjera, të cilat nuk japin efektin e duhur.

“Marr çfarë gjej. Gjithsesi është më mirë se të mbetem pa ilaç fare,” thotë e moshuara për BIRN.

Si të gjithë pensionistët shqiptarë, edhe Hamide Pasha është një përfituese e skemës së ilaçeve të rimbursueshme. Për vitin 2015, kjo skemë u mbulua nga buxheti i shtetit me një fond prej 63.5 milionë eurosh.

Prej dekadash, sistemi shëndetësor në Shqipëri vuan nga mungesa e medikamenteve, e aparaturave të avancuara dhe nga korrupsioni endemik. Për këto arsye, shëndetësia u kthye në një kalë beteje të Partisë Socialiste, në fushatën zgjedhore të vitit 2013 që e ngjiti në pushtet.

Asokohe u premtua një reformë, që do të ulte çmimin e ilaçeve, do të garantonte furnizimin e rregullt të spitaleve dhe do të çlironte tregun nga monopolet. Në verën e vitit 2014, një ligj i ri për barnat u miratua në Parlament.

Rregullat e lojës u ndryshuan përmes zëvendësimit të barnave të patentës me ato xhenerike, duke synuar uljen e kostos dhe rritjen e numrit të përfituesve nga skema e ilaçeve të rimbursueshme. Por një vit më pas, reforma ka dështuar të sigurojë ilaçe për të gjithë pacientët që mbulohen nga skema e rimbursimit.

BIRN ka vëzhguar një numër të konsiderueshëm farmacish në zona të ndryshme të Tiranës, të cilat kanë kontratë me Fondin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor nga ku rezultojnë mungesa të shumta të ilaçeve bazike. Farmacistët e intervistuar nga BIRN flasin për një treg në kaos, ku një pjesë e mirë e pacientëve ambulator nuk kurohen me mjekimet e duhura.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë gjithashtu se praktikat e mëparshme të favorizimit apo të shkeljes së ligjit për llogari të importuesve të mëdhenj të barnave nuk janë ndalur në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH.

Reforma ka dështuar gjithashtu të adresojë një shqetësim të hershëm për cilësinë e barnave dhe të terapive kuruese për pjesën dërrmuese të popullatës, për të cilën mjekët thonë se ka shkuar drejt përkeqësimit.

E kontaktuar nga BIRN për të gjitha këto pikëpyetje, Ministria e Shëndetësisë refuzoi të përgjigjej.

Kaosi i tregut të ilaçeve

Sipas një raporti të Bankës Botërore, shpenzimet publike të Shqipërisë për shëndetësinë janë 2.6 për qind e GDP, shifër kjo më e ulëta në rajon. Në anën tjetër, shpenzimet private të qytetarëve shqiptarë për shëndetësinë janë më të lartat në rajon; ato zënë rreth 3.4 për qind të GDP-së.

Letra e GlaxoSmith Kline për Ministrinë për pushimin e stafit.

Letra e GlaxoSmith Kline për Ministrinë për pushimin e stafit.

Sipas Bankës Botërore, shëndeti i 61 për qind të popullatës së Shqipërisë varet tek skema e rimbursimit, përmes së cilës përfitojnë pensionistët, të punësuarit e siguruar, fëmijët dhe të sëmurët kronikë.

Banka Botërore e ka mbështetur reformën e Ministrisë së Shëndetësisë për uljen e çmimit të barnave, ndërsa ka ngritur pikëpyetje të rëndësishme mbi skemën aktuale të rimbursimit. Në raportin e vitit 2014 mbi reformën, BB thekson se “është paqartë nëse ilaçet e listës janë në të vërtetë në treg për pacientët apo jo”.

Warfarina 5 mg është një prej shumë ilaçeve të munguara në farmacitë e Tiranës. Në treg nuk gjenden gjithashtu medikamente që kurojnë zemrën, diabetin, depresionin apo sëmundje të tjera që mbulohen nga lista e rimbursimit.

“Puna më është kthyer në makth. Ngela duke i kthyer duarbosh pacientët,” thotë Neda, një farmaciste 26 vjeçare në Tiranë.

Diana Toma, presidente e Urdhrit të Farmacistëve i tha BIRN se nëse kontrollon nëpër farmaci arrin në përfundimin se ekzistojnë dy lista për ilaçet e rimbursueshme; një e parë virtuale me barna që s’gjendet në farmaci dhe një e dytë reale, por që nuk përfshin alternativat e para dhe të dyta.

“Për këto 20 vjet që unë jam në sistemin farmaceutik, muajt e fundit kanë qenë më të dobëtit e furnizimit me barna dhe më të parregulluarit sa i përket kuadrit ligjor,” thotë Toma.

Paralelisht me farmacitë, edhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk ka ilaçe të mjaftueshme për kurimin e të sëmurëve. Sipas FSDKSH, kjo qendër qarkullon sasinë më të madhe të fondit të rimbursueshëm në vit.

Petrit Vargu, mjek kardiolog i urgjencës së Kardiologjisë i tha BIRN se në repartin ku ai punon ka ende gropa të mëdha në ilaçet e linjës së parë, aq të domosdoshme për trajtimin e pacientëve në urgjencë.

“…Në mënyrë absulote vazhdojmë të kemi mungesa medikamentesh. Nuk është bërë ajo që do të ishte revolucioni i vërtetë në furnizimin me ilaçe të spitalit,” tha Vargu.

Formula e re e qeverisë për blerjen e barnave bazohet tek çmimi i referencës, që medikamenti ka në Maqedoni, Greqi dhe Itali. Më pas, përmes një procedure negocimi me kompanitë prodhuese përcaktohet edhe çmimi që do të aplikohet në Shqipëri, zakonisht më i ulëti i tre shteteve.

Ekspertët e intervistuar nga BIRN pranojnë se kjo skemë ka sjellë ulje të çmimit për një numër të madh ilaçesh. Megjithatë, efektet anësore të reformës janë shfaqur tanimë me largimin nga Shqipëria të disa prej kompanive ndërkombëtare me emër në prodhimin e barnave, ç’ka duket se ka sjellë edhe boshllëqet në furnizimin me ilaçe.

Në shkurt të vitit 2015, kompania GlaxoSmith Kline njoftoi Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe atë të Shëndetësisë se po bëhej gati për pushime kolektive të stafit të vet në Tiranë. Në dy emaile të siguruara nga BIRN, kjo kompani njoftonte pushimin nga puna për 14 nga 18 punonjësit e vet, për shkak të krizës në tregun lokal.

Kompani të tjera ndërkombëtare si AstraZeneca, Pfizer apo Activis po tërheqin ilaçet e tyre nga skema e rimbursimit dhe po bëhen gati të largojnë përfaqësitë nga Shqipëria, pasi po gjejnë gjithnjë e më pak hapësirë në listën e rimbursueshme.

Përmes një përfaqësuesi të saj, Activis e tregon me shifra rrudhjen e aktivitetit të saj në Shqipëri. Në vitin 2014, ajo ka pasur në listën e barnave të rimbursueshme 78 medikamente, ndërsa në 2015 vetëm 31.

“Atyre që përdorin ilaçin e parë të listës së rimbursimit, sëmundja u zgjat më shumë. Asnjë i sëmurë në Shqipëri nuk mjekohet si duhet. Nuk mungojnë vetëm ilaçet, por mungojnë edhe elementët e tjërë për të plotësuar teknikën e trajtimit,” thotë hematologu Arben Ivanaj. | Foto nga : Esmeralda Keta

“Atyre që përdorin ilaçin e parë të listës së rimbursimit, sëmundja u zgjat më shumë. Asnjë i sëmurë në Shqipëri nuk mjekohet si duhet. Nuk mungojnë vetëm ilaçet, por mungojnë edhe elementët e tjërë për të plotësuar teknikën e trajtimit,” thotë hematologu Arben Ivanaj. | Foto nga : Esmeralda Keta

“Ministria kërkon që ne të ulim çmimet nën kosto, e në këto kushte, prodhuesit ndërkombëtarë kanë vendosur të tërheqin ilaçet nga tregu. Ne nuk bëjnë kompromis me cilësinë,” i tha BIRN një punonjës i Activis në kushtet e anonimatit.

Paralelisht me prodhuesit ndërkombëtarë, nga tregu shqiptar janë larguar edhe kompanitë farmaceutike të rajonit. Ligji i ri i barnave i kushtëzon ato të operojnë në tregun shqiptar, vetëm nëse tregtojnë barna në një vend të Bashkimit Europian.

Hapësira e lënë bosh nga kompanitë ndërkombëtare dhe ato rajonale po zihet nga prodhuesi shqiptar i barnave, Profarma. Në vitin 2015, Profarma kishte si altenativë të parë në listën e rimbursueshme 101 ilaçe dhe 28 të tjera si alternativë të dytë. Pesha që zinte kjo kompani në vitin 2013 ishte disa herë më e vogël.

Paralelisht me rritjen e numrit të ilaçeve në listë, Profarma ka rritur edhe çmimet për rreth 40 produkte. Prodhuesi vendas i barnave i tha BIRN se kjo gjë ka ardhur si pasojë e ndryshimit të sistemit fiskal, por edhe nga një investim i ri prej 30 milionë eurosh i realizuar në kompani.

“Gjithsesi, ne përfaqësojmë vetëm 10 për qind të tregut farmaceutik në vend. 90 për qind përfaqësohet nga konkurrentët tanë të shumtë,” u përgjigj zëdhënësja e Profarmës, Aurela Shota.

Largimi nga Shqipëria i kompanive të njohura ndërkombëtare të barnave ka lënë shije të hidhur tek njohësit e farmaceutikës.

“Fakti që ne po largojmë kompanitë prestigjoze nuk të çon drejt idesë që këtu po vijnë barna më të mira,” thotë ajo.

Akuza për favorizime

Akti kontrollit njësia anti-korrupsion në Këshillin e Ministrave

Akti kontrollit njësia anti-korrupsion në Këshillin e Ministrave

Ndërrimi i duarve në tregun farmaceutik në Shqipëri ka ngritur pikëpyetje të mëdha për favorizime mes kompanive importuese dhe atyre shpërndarëse nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH.

Një rrjet prej nëntë zyrtarësh të FSDKSH dhe farmacistësh u arrestuan më 5 qershor 2015 nga Prokuroria e Tiranës, me akuzën se kishin krijuar një skemë mashtrimi me receta fiktive, duke krijuar një dëm prej rreth 150 milionë lekësh në buxhetin e Fondit.

Por dokumentet e siguruara nga BIRN zbulojnë se skema e abuzimit ngjitet deri tek importuesit dhe distributorët e mëdhenj të barnave, të cilët kanë kontratë me FSDKSH.

Një grup i Njësisë së Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit në kryeministri ka kaluar në sitë kontratat që FSDKSH lidhi me impotuesit e mëdhenj të barnave dhe ka arritur në përfundimin se një pjesë e madhe e tyre janë firmosur në kundërshtim me ligjin.

Kontrolli ka përfshirë kontratat e lidhura gjatë vitit 2014 dhe ato të periudhës janar-maj të vitit 2015. Njësia e Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit thekson se Fondi ka shkelur ligjin në 24 kontrata të lidhura në 2014 dhe 28 të tilla, që i përkasin pesë muajve të parë të vitit 2015.

Sipas raportit, një kopje e së cilit disponohet nga BIRN, depot farmaceutike shesin barna pa autorizimin e prodhuesit, ndërsa kontratat disa-milionëshe nuk mbajnë as datat e nënshkrimit. Një tjetër shkelje e gjetur nga NJKBA është mungesa e listës së barnave që do të importohen, çka duket se ka sjellë si pasojë boshllëqet e shumta në ilaçe nëpër farmacitë e vendit.

Paralelisht me shkeljet në dokumentacion, Njësia e Kontrollit të Brendshëm të kryeministrisë ka evidentuar edhe probleme në mënyrën se si kontrollohen depot e mëdha farmaceutike. Raporti thekson se gjatë vitit 2014 janë kryer vetëm 9 kontrolle në depot farmaceutike, përmes një procedurë të paqartë dhe jotransparente.

Sipas NJKBA, depot e kontrolluara hedhin në treg një numër të vogël ilaçesh, ndërsa “nuk rezulton të jenë kontrolluar depot që sjellin numrin më të madh të barnave të rimbursueshme në Shqipëri”.

Arjan Jaupllari, ish-drejtues i farmacistëve në Ministrinë e Shëndetësisë thotë për BIRN se e gjithë lista e rimbursimit është një farsë, që lë vend për abuzime.

“Ka vite që flasim për abuzimet, favorizimet që bëhen me barnat e listës së rimbursimit. I dinë të gjithë, por të gjithë bëjnë sikur s’dëgjojnë,” thotë Jaupllari.

Ai ngulmon se teoria e të kursyerit në shëndetësi shkon në dëm të pacientëve dhe argumenton se skema e ilaçeve të rimbursueshme është hartuar në mënyrë të tillë, që lë vend për abuzime.

Jaupllari sugjeron një formulë tjetër; atë të rimbursimit të diagnozave si të duhurën për të mbyllur hapësirat për korrupsion mes zyrtarëve të Fondit dhe për të rritur cilësinë e kurimit të qytetarëve shqiptarë.

“Të rimbursojnë diagnozat, jo medikamentet. Fondi të japë një sasi parash për të sëmurët dhe ata vetë të zgjedhin medikamentet që do të blejnë,” sugjeron Jaupaj.

Të varur nga skema e rimbursimit

Mjeku kardiolog Petrit Vargu | Foto nga : Esmeralda Keta

Mjeku kardiolog Petrit Vargu | Foto nga : Esmeralda Keta

Paralelisht me formulën e re të çmimeve, Ministria e Shëndetësisë po aplikon edhe një mënyrë të re në përshkrimin e recetave për pacientët. Me justifikimin e prerjes së lidhjeve klienteliste, mjekëve u kërkohet të shkruajnë formulën e ilaçit dhe jo emrin e tij.

Kjo praktikë ka hasur në rezistencën e mjekëve të QSUT-së, të cilët argumentojnë se mënyra e re bëhet për të mbuluar mungesën e ilaçeve, duke u dhënë pacientëve kura më të dobëta se në të shkuarën.

Në intervista të veçanta për BIRN, mjeku hematolog, Arben Ivanaj dhe ai kardiolog, Petrit Vargu thanë se politika e ndjekur me ilaçet e skemës së rimbursimit nuk jep efektin e duhur dhe zgjat në kohë kurimin e tyre.

Mjekët mbështesin parimin e barnave xhenerikë, por vetëm në rastet kur efektiviteti i tyre në kurimin e sëmundjes është i njëjtë me ilaçet e patentës. Në rastin e Shqipërisë, kjo praktikë duket se nuk funksionon.

Ivanaj kujton rastin e fundit me një paciente, e cila kishte konsumuar 4 tableta Hydroxiurea pa kurrfarë efekti. Pacientja vuante prej 10 vitesh nga sëmundja, por gjashtë muajt e fundit që kishte përdorur ilaçet me rimbursim, trombocitet i kishin kapërcyer shumë mbi normë.

“Atyre që përdorin ilaçin e parë të listës së rimbursimit, sëmundja u zgjat më shumë. Asnjë i sëmurë në Shqipëri nuk mjekohet si duhet. Nuk mungojnë vetëm ilaçet, por mungojnë edhe elementët e tjërë për të plotësuar teknikën e trajtimit,” thotë Ivanaj.

Mjeku pyet se sa nga ata që i miratojnë listat përdorin ilaçet e skemës dhe përgjigjet fare shkurt: “për veten dhe familjen time, preferoj t’i blej me lekë”.

Mjeku kardiolog, Petrit Vargu ka konstatuar gjithashtu zgjatje të sëmundjes dhe të kohës së shtrimit në spital për pacientët që përdorin këto mjekime; një kosto e shtuar kjo në terma afatgjatë.

“Duke mos u kuruar si duhet një sëmundje, atëherë pacienti bëhet gjithnjë e më shumë një i burgosur i sigurimeve shëndetësore,” përfundon Vargu.

Ky artikull u prodhua si pjesë e iniciativës “Fuqizimi i Bashkëpunimit mes Shoqërisë Civile dhe Gazetarëve Investigativë,” me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.