Investigim3 Oct 2021

Parajsat fiskale dhe pasuritë e fshehura të udhëheqësve dhe miliarderëve ekspozohen në rrjedhjen e paprecedentë

Dokumentet e Pandorës zbulojnë funksionimet e brendshme të një ekonomie në hije nga e cila përfitojnë të pasurit dhe ata që kanë lidhje në kurriz të të gjithë të tjerëve.

Autor: ICIJ ICIJ
Printo

Miliona dokumente të rrjedhura, dhe partneriteti më i madh mes gazetarëve në histori ka zbuluar sekretet financiare të 35 udhëheqësve aktualë dhe të shkuar në botë, të më shumë se 330 zyrtarëve publikë në më shumë se 90 vende dhe territore si dhe të njerëzve në kërkim ndërkombëtar, mashtruesve dhe vrasësve.

Dokumentet sekrete ekspozojnë marrëveshjet offshore të mbretit të Jordanisë, presidentëve të Ukrainës, Kenias dhe Ekuadorit, kryeministrit të Republikës Çeke dhe ish-kryeministrit të Britanisë Tony Blair. Dosja zbulon gjithashtu detaje nga aktivitetet financiare “ministrit jozyrtar për propagandën” të presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe ato të më shumë se 130 miliarderëve nga Rusia, India, Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe kombe të tjera.

Dokumentet e rrjedhura znbulojnë se shumë nga ata në pushtet, që kanë mundësinë të ndihmojnë për t’i dhënë fund sistemit offshore janë në fakt përfitues të tij – duke fshehur asete në kompani sekrete dhe truste ndërkohë që qeveritë e tyre bëjnë shumë pak për të ngadalësuar rrjedhën globale të parave të paligjshme që pasurojnë kriminelët dhe varfërojnë kombet.

Mes thesareve të fshehura të zbuluara nga këto dokumente janë:

  • Një kështjellë 22 milionë dollarëshe në rivierën franceze, e pajisur me kinemanë e vet private dhe dy pishina, blerë përmes një kompanie offshore nga kryeministri populist i Republikës Çeke, një miliarder që bëri fushatë kundër korrupsionit dhe elitave politike;
  • Më shumë se 13 milionë dollarë të vendosura në një trust sekret në Rrafshinat e Mëdha të Shteteve të Bashkuara nga pinjolli i një prej familjeve më të fuqishme të Guatemalas, një dinasti që kontrollon një konglomerat sapuni dhe buzëkuqi që është akuzuar për dëmtim të punëtorëve dhe të planetit.
  • Tre vila të mëdha me pamje nga deti në Malibu të blera përmes tre kompanive offshore për 68 milionë dollarë nga mbreti i Jordanisë në vitet para se jordanezët të mbushnin rrugën në protestat e Pranverës Arabe kundër papunësisë dhe korrupsionit.

 

Dokumentet sekrete njihen si Pandora Papers.

Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë ka marrë një thesar prej 11.9 milionë dokumenteve konfidenciale dhe ka udhëhequr një skuadër prej më shumë se 600 gazetarësh nga 150 mediave, të cilët kanë shpenzuar dy vjet për t’i lexuar ato, duke gjurmuar burime dhe duke gërmuar në dokumente gjyqësore dhe të dhëna të tjera publike nga dhjetëra vende.

Dokumentet e rrjedhura vijnë nga 12 kompani shërbimesh offshore nga e gjithë bota, të cilat krijonin kompani guackë dhe shërbime të tjera për klientët që synojnë të mbajnë aktivitetet e tyre financiare në hije. Të dhënat përfshijnë informacion mbi marrëveshjet offshore të një numri drejtuesish shtetesh aktualë dhe të huaj dhe zyrtarësh të tjerë publikë që është gati tre herë më i lartë se sa rrjedhjet e tjera nga parajsat fiskale në të shkuarën.

Në një epokë të autoritarizmit në zgjerim dhe pabarazisë, Dokumentet e Pandorës ofrojnë një perspektivë të pakrahasueshme mbi atë se si paratë dhe pushteti operojnë në shekullin e njëzet e një dhe se si shteti i së drejtës është përkulut dhe thyer në të gjithë botën nga një sistem sekreti financiar i mundësuar nga SHBA-të dhe vende të tjera të pasura.

Në imagjinatën popullore, sistemi offshore shpesh shihet si një seri me ishuj me palma të shpërndarë gjërë e gjatë. Dokumentet e Pandorës tregojnë se makineria e parasë offshore operon në çdo cep të botës, përfshirë kryeqytetet financiare të ekonomive më të pasura dhe më të fuqishme.

Gjetjet nga ICIJ dhe partnerët e saj në media nxjerrin në pah se si financa shumë sekrete ka penetruar politikën globale – dhe ofron informacion të thelluar në atë se pse qeveritë dhe organizatat botërore kanë pasur pak sukses në luftën për t’i dhënë fund abuzimeve financiare offshore.

Hetimi i Dokumenteve të Pandorës demaskon pronarët e fshehtë të kompanive offshore, llogarive bankare inkonjito, avionëve privatë, jahteve, vlave dhe veprave të artit nga artistë të tillë si Picasso, Banksy dhe mjeshtra të tjerë. Ajo ofron më shumë informacion nga sa zakonisht është i disponueshëm për agjencitë ligjzbatuese dhe qeverive në vështirësi financiare.

Së paku 11.3 trilionë dollarë mbahen “offshore” sipas një studimi të vitit 20020 nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD, me qendër në Paris. Për shkak të kompleksitetit dhe sekretit të sistemit offshore, është e pamundur të ditët se sa shumë nga kjo para është e lidhur me evazionin fiskal dhe krime të tjera dhe se sa shumë është raportuar te autoritetet e duhura.

 

Intrigë dhe privilegj

Njerëz të lidhur nga dokumentet sekrete me asete offshore përfshijnë yllin e kriketit të Indisë Sachin Tendulkar, divën e muzikës pop Shakira, supermodelen Claudia Schiffer dhe gangsterin italian të njohur si Leli, i Shëndoshi.

Gangsteri, Raffaele Amato, është i lidhur me së paku një dyzinë vrasjesh. Të dhënat e rrjedhura ofrojnë detaje mbi një kompani guackë, të regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar, të cilën Amato e përdori për të blerë tokë në Spanjë, pak para se të arratisej nga Italia dhe të krijonte organizatën e vet kriminale. Amato, historia e të cilit ka frymëzuar filmin e shumëlavdëruar “Gomorrah”, është aktualisht në burg i dënuar me 20 vjet.

Avokatët e Amatos dhe Tendulkarit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Avokati i Shakirës tha se këngëtarja i ka deklaruar kompanitë e saj offshore, të cilat avokati tha se nuk i siguronin asaj avantazh fiskal. Përfaqësuesit e Schiffer thanë se supermodelja i paguan me korrektesë taksat e saj në Mbretërinë e Bashkuar, ku jeton.

Në shumicën e vendeve nuk është ilegale të kesh asete offshore apo të përdorësh kompani guackë për të bërë biznes transnacional. Njerëzit e biznesit që operojnë në nivel global thonë se ata kanë nevojë për kompanitë offshore për të kryer aktivitetet e tyre financiare.

Por këto aktivitete shpesh përbëjnë zhvendosje fitimesh nga vendet me taksa të larta ku fitohen, te kompanitë që ekzistojnë vetëm në letër në juridiksione me taksa të ulëta. Përdorimi i strehave offshore është veçanërisht problem i debatuar për figurat politike, për shkak se shpesh ato përbëjnë një mënyrë për të mbajtur aktivitetet jo të pëlqyeshme në politikisht, ose korruptive larg syve të publikut.

Një numër i madh zyrtarësht publikë dhe individësh super të pasur – të cilët në disa raste janë e njëjta gjë – përdorin sistemin offshore për të menaxhuar, lëvizur dhe shpesh, për të fshehur pasurinë e tyre. Ata luajnë me rregullat e ndryshme nga pjesa tjetër e njerëzimit, në një lojë intrigash dhe privilegjesh që ushqejnë krime dhe korrupsion dhe mbajnë në pushtet elitat ekonomike dhe politike botërore.

Sistemi mbahet gjithashtu nga institucione elitare, të cilat i shërbejnë të pasurve dhe të fuqishmëve – bankat shumëkombëshe, kompanive ligjore dhe zyrave të kontabilitetit me seli qendrore në SHBA dhe Evropë.

Një dokument të shumtëve të Pandorës, për shembull, tregon se bankat nëpër botë kanë krijuar së paku 3,926 kompani offshore për klientët e tyre me ndihmën e Alemán, Cordero, Galindo & Lee, një kompani ligjore panameze që udhëhiqet nga një ish-ambasador i Panamasë në SHBA. Kompania ligjore – e njohur gjithashtu si ALcogal – ka ortakëri me zyra në një dyzinë me vende, përfshirë Zelandën e Re, Uruguain dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Dokumenti tregon se Alcogal krijoi së paku 312 kompani në Ishujt Virxhin Britanikë me kërkesë të gjigandit amerikan të shërbimeve financiare Morgan Stanley.

Dokumente të tjera të rrjedhura tregojnë se presidenti i Ekuadorit, Guillermo Lasso, kishte llogari bankare në Morgan Stanley dhe në JPMorgan Chase përmes një fondacioni shumë sekret në Panama. Më 2017, ish-bankieri milioner transferoi pronësinë e llogarive të tij bankare te një trust konfidencial që ai krijoi në Dakotën e Jugut. Kur u pyet për adresën e tij në formularin e bankës, Lasso nuk vendosi adresën e tij në Ekuador. Ai vendosi një adresë zyre në Coral Gables, Florida, pak më poshtë rugës nga studioja e kërcimit Fred Astaire dance studio.

Lasso tha se përdorimi i kompanive offshore në të shkuarën ka qenë “i ligjshëm dhe legjitim”. Ai shtoi se respekton ligjin e Ekuadorit.

Alcogal tha se kjo kompani “respekton të gjitha ligjet në jurifiksionet ku operon” dhe tha se ajo bashkëpunon plotësisht me autoritetet qeveritare. JPMorgan refuzoi të komentojë.

Investigimi i Dokumenteve të Pandorës vë në dukje se si Baker McKenzie, kompania më e madhe ligjore në SHBA, ndihmoi në krijimin e sistemit modern offshore dhe vijon të ketë një aktor kryesor në këtë ekonomi të errët.

Baker McKenzie dhe ortakët botërorë të saj kanë përdorur lobingun dhe njohuritë mbi hartimin e legjislacionit për t’i dhënë formë ligjeve financiare nëpër botë. Ata kanë përfituar gjithashtu nga puna e bërë për njerëz dhe kompani të lidhura me korrupsion dhe regjime autoritare, zbuloi raportimi nga ICIJ.

Kompania mësohet se ka punuar për njerëz si oligarku ukrainas Ihor Kolomoisky, për të cilin autoritetet e SHBA aludojnë se ka pastruar 5.5 miliardë dollarë përmes një numri kompanish guackë, të cilat janë përdorur për të blerë fabrika dhe prona të patundshme nëpër të gjithë qendrën e Shteteve të Bashkuara.

Baker McKenzie ka punuar gjithashtu për Jho Loë, një financier tashmë në arrati, i akuzuar nga autoritetet në shumë vende për organizimin e vjedhjes së më shumë se 4.5 miliardë dollarëve nga fondi malezian i zhvillimit ekonomik, i njohur si 1MDB. Raportimi i ICIJ-së zbuloi gjithashtu se Loë u mbështet te Baker McKenzie dhe bashkëpunëtorët e saj për ta ndihmuar atë dhe shokët e tij të ndërtonin një rrjet me kompani në Malajzi dhe Hng Kong. Autoritetet në SHBA aludojnë se Loë përdori disa nga këto kompani për të zhvendosur paratë e vjedhura nga 1MDB.

Një zëdhënës për Baker McKenzie, John McGuinness, tha se kompania punon për të ofruar këshillat më të mira ligjore dhe për taksat për klientët e vet dhe përpiqet “për të siguruar që klientët tanë të respektojnë ligjin dhe praktikat më të mira.”

McGuinness nuk foli drejtpërsëdrejti mbi pyetjet mbi rolin e Baker McKenzie në ekonominë offshore, duke cituar konfidencialitetin e klientit dhe privilegjin ligjor. Ai tha se firma kryen kontrolle të rrepta për të shkuarën e të gjithë klientëve të saj potencialë.

 

‘Ti e di se kush’

Investigimi i Dokumenteve të Pandorës është më i gjerë dhe më global se sa hetimi i Dokumenteve të Panamasë nga ICIJ, i cili tronditi botën më 2016, duke u pasuar nga bastiste policore dhe ligje të reja në dhjetëra vende si dhe nga rënia e kryeministrave të Islandës dhe Pakistanit.

Dokumentet e Panamasë erdhën nga dosjet e një kompanie të vetme të shërbimeve offshore: Kompania panameze Mossack Fonseca. Dokumentet e Pandorës hedhin dritë në një seksion ndërveprues shumë më të gjerë avokatësh, sekserësh, ndërmjetësisht, të cilët janë në zemër të industrisë offshore.

Dokumentet e Pandorës nxjerrin zbuluar financat e shumë më shumë udhëheqësve të shteteve dhe zyrtarëve publik nga sa zbuluan Dokumentet e Panamasë dhe ofrojnë dy herë më shumë informacion mbi pronësinë e kompanive offshore. Në tërësi, rrjedhja e re e dokumenteve zbulon pronarët e vërtetë të më shumë se 29 mijë kompanive offshore. Pronarët janë nga më shumë se 200 vende, me kontingjentet më të mëdha nga Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Argjentina, Kina dhe Brazili.

Në partneritet janë përfshirë mes të tjerash edhe organizatat mediatike të tilla si The Washington Post, BBC, Radio France, Indian Express, The Standard i Zimbabves, Le Desk i Marokut dhe Diario El Universo i Ekuadorit.

Një skuadër globale u nevojit për shkak se 14 ofruesit offshore që janë burimet e dokumenteve të rrjedhura kanë seli nëpër të gjithë botën, nga Karaibet në Gjirin Persik në Detin e Kinës së Jugut.

Tre nga ofruesit janë nën pronësi apo menaxhohen nga ish-zyrtarë të lartë të qeverive, përfshirë ish-ministra dhe një këshilltar presidencial në Panama si dhe ish prokurori i përgjithshëm i Belizezë, i cili kontrollon dy ofrues shërbimesh.

Për disa qindra ose disa mijëra dollarë, ofruesit e shërbimeve offshore ndihmojnë klientët të krijojnë një kompani offshore, pronari i vërtetë i së cilës qëndron i fshehur. Ose, për ndoshta 2 mijë deri në 25 mijë dollarë, ata mund të krijojnë një trust që, në disa raste, lejon përfituesin të kontrollojë paratë ndërkohë që ligjërisht mund të pretendojnë se nuk i kontrollojnë – një aftësi krijuese në dokumente që ndihmon fshehjen e aseteve nga kreditorët, agjencitë ligjzbatuese, taksambledhësit apo ish-bashkëshortet.

Operativët offshore nuk punojnë të izoluar. Ata punojnë në partneritet me ofrues të tjerë sekretë nëpër të gjithë botën, të cilët krijojnë shtresa të ndërthurura kompanish dhe trustesh. Sa më komplekse të jenë organizimet, aq më të larta janë faturat – dhe aq më shumë mbrohet sekreti i klientëve.

Dokumentet e Pandorës tregojnë se një llogaritar anglez në Zcivër punoi me të gjithë avokatët në Ishujt Virxhin Britanik (BVI) për të ndihmuar monarkun e Jordanisë, mbretin Abdullah II, të blejë në mënyrë sekrete 14 shtëpi luksi me vlerë më shumë se sa 106 milionë dollarë në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Këshilltarët e ndihmuan atë të krijonte së paku 36 kompani guackë nga viti 1995 deri më 2017.

Më 2017, mbreti bleu 23 milionë dollarë prona me pamje nga plazhi i sërfit në Kaliforni përmes një kompanie në BVI. Mbreti pagoi ekstra që të kishte një kompani tjetër në BVI nën pronësinë e menaxherit të tij zviceran të pasurive, i cili vepron si drejtor “i emëruar” për kompaninë që bleu pronën.

Në botën offshore, drejtorët e emëruar janë njerëz apo kompani të paguara për të fshehur atë që është pas kompanisë. Formularët e aplikimit që i janë dërguar klientëve nga Alcogal, kompania ligjore që punon për llogari të mbretit, thotë se përdorimi i drejtorit të emëruar  ndihmon “për të ruajtur privatësinë duke shmangur që identiteti i përfituesit fundor…. të jetë i aksesueshëm publikisht.”

Emaile të brendshme tregojnë se Alcogal dhe këshilltari zviceran diskutuan gjithashtu se si të shmangin deklarimin e emrit të monarkut te autoritetet në Ishujt Virxhin Britanik.

Në emaile, këshilltarët offshore iu referuan klientit si: “Ti e di se kush.”

Avokatë britanikë për mbretin thanë se atij nuk i kërkohet të paguajë taksa sipas ligjit të Jordanisë dhe se ai ka arsye të sigurisë dhe privatësisë të mbajë prona në kompani offshore. Ata thanë se mbreti nuk ka abuzuar kurrë me fondet publike.

Avokatët thanë se shumica e kompanive dhe pronave të identifikuara nga ICIJ nuk kanë lidhje me mbretin dhe nuk ekzistojnë më, por refuzuan të ofrojnë detaje.

Ekspertët thonë se, si sundimtar i një prej vendeve më të varfra në Lindjen e Mesme, vend që është i varur nga ndihmat, mbreti ka arsye të shmangë reklamën mbi pasurinë e tij.

“Nëse monarku jordanez do të shpaloste pasurinë e tij më publikisht, ai jo vetëm që do të shkaktonte pakënaqësi te populli i vet por edhe do të luante mendësh donatorët perëndimorë që i kanë dhënë atij para,” tha për ICIJ Annelle Sheliene, një eksperte mbi çështjet fetare dhe politike në Lindjen e Mesme.

Në Libanin fqinj, ku pyetje të ngjashme mbi pasurinë dhe varfërinë janë në lojë, Dokumentet e Pandorës tregojnë se figurat kryesore politike dhe financiare kanë përqafuar gjithashtu përdorimin e parajsave offshore.

Ata përfshijnë kryeministrin aktual, Najib Mikati, dhe paraardhësi i tij, Hassan Diab. Të përfshirë janë ehde ish-zyrtari më i lartë i vendit për luftën kundër korrupsionit, Muhammad Baasiri, si dhe Riad Salameh, guvernator i bankës qendrore, i cili është nën hetim në Francë i dyshuar për pastrim parash.

Marëan Kheireddine, ish-ministër shteti në Liban dhe drejtuese e të pasurës Al Maëarid Bank, shfaqet gjithashtu në dosjet sekrete. Më 2019, ai kritikoi ish-kolegët e tij parlamentarë për mosveprim përballë krizës së rëndë ekonomike. Gjysma e vendit po jetonte në kushtet e varfërisë duke vuajtur për të gjetur bukë ndërsa bukëpjekësit dhe dyqanet e ushqimeve ishin mbyllur.

“Ka evazion fiskal dhe qeveria duhet ta luftojë këtë,” deklaroi Kheireddine. Po atë vit, sipas dokumentet të Pandorës, Kheireddine firmosi dokumentet si pronar i një kompanie në BVI, e cila ka nën pronësi një jaht me vlerë 2 milionë dollarë.

Një vit më vonë, më 2020, media libaneze dhe e huaj raportoi se Kheireddine ka blerë një apartament në Manhatan nga ylli i Hollivudit Jennifer Laërence.

Kur lajmi doli mbi apartamentin në Manhatan, protestuesit dogjën një ndërtesë në Bejrut që besohej se i përkiste atij. Banka e tij është një nga të shumtat që kufizoi tërheqjet nga klientët në dollarë amerikanë me qëllim që të ngadalësonte krizën ekonomike.

Hafaa Abou Hamdan, një e ve 57 vjeçare është një nga libanezët e zakonshëm që mbetet e zemëruar nga elitat e vendit. Për shkak të inflacionit të lartë, kursimet e jetës së saj u pakësuan nga ekuivalenti i 60 mijë dollarëve në më pak se 5 mijë dollarë, i tha ajo Daraj, partnerit mediatik të ICIJ-së.

“Të gjitha përpjekjet e jetës sime shkuan dëm. Unë kam punuar vazhdimisht përgjatë tre dekadave të fundit,” tha ajo. “Ne jemi ende duke vuajtur çdo ditë për të jetuar” ndërsa “politikanët dhe bankierët… që rrëmbyen kursimet tona i kanë transferuar të gjtiha dhe i kanë investuar paratë e tyre jashtë vendit.”

Në një përgjigje me shkrim, Salameh tha se ai deklaron asetet e tij dhe se plotësuar të gjitha detyrimet e tij sipas ligjit të Libanit.

‘Koalicioni i të korruptuarve’

Imran Khan, superstari i kriketit të Pakistanit u bë një politikan anti-korrupsion dhe ishte një nga ata që u ngazëllye nga zbulimet e investigimit të ICIJ-së mbi Panama Papers në prill 2016.

“Dokumentet e rrjedhura janë dhuratë nga Zoti,” tha ai.

Dokumentet e Panamasë zbuluan se fëmijet e kryeministrit të Pakistanit në atë kohë, Naëaz Sharif, kishin lidhje me së paku tri kompani offshore. Kjo i dha Khan një mundësi për të goditur Sharif, rivalin e tij kryesor politik, në atë që Khan e përshkroi si “koalicioni i të korruptuarve” që po shkatërronte Pakistanin.

“Është e neveritshme mënyra se si në botën në zhvillim paraja u grabitet njerëzve që vuajnë mungesën e nevojave bazë: shëndetësi, arsim, drejtësi dhe punësim,” i tha ai partnerit të ICIJ, The Guardian më 2016.

“Këto para futen në llogari offshore, e madje edhe në vendet perëndimore, në bankat perëndimore. Të varfrit bëhen më të varfër. Vendet e varfra varfërohen më tutje dhe vendet e pasura bëhen më të pasura. Llogaritë offshore mbrojnë këta rrugeçër.”

Në fund, gjykata më e lartë e Pakistanit e hoqi Sharifin nga posti si rezultat i një hetimi të nisur nga Dokumentet e Panamasë. Khan arriti ta zëvendësojë atë në zgjedhjet kombëtare që pasuan.

Investigimi më i fundit i ICIJ-së, Dokumentet e Pandorës, sjell vëmendje të re mbi përdorimin e kompanive offshore nga lojtarët politikë të Pakistanit.

Këtë herë u zbuluan asete offshore nga njerëz afër Khan, përfshirë një mbëshytetës të rëndësishëm financiar dhe anëtarë të familjes së ministrit të tij të financave. Dokumentet tregojnë gjithashtu se ministri i burimeve ujore të Khan, Chaudhry Moonis Elahi, kontaktoi operatorë offshore në Singapor për investimin e një shume prej 33.7 milionë dollarësh.

Figura të tjera politike kanë folur gjithashtu kundër sistemit offshore ndërsa janë rrethuar nga të emëruar prej tyre apo mbështetës që kanë asete të fshehura offshore. Disa janë edhe vetë përdorues të sistemit.

“Asetet e çdo shërbyesi publik duhet të deklarohen publikisht në mënyrë që njerëzit të mund të pyesin – çfarë është e ligjshme?” deklaroi presidenti i Kenias Uhuru Kenyatta në një intervistë për BBC më 2018. “Nëse nuk mund të shpjegosh veten, përfshirë edhe unë vetë, atëhere unë kam një çështje për t’u përgjigjur.”

Dokumentet e rrjedhura e identifikojnë Kenyattan dhe mamanë e tij si përfitues fundorë të një fondacioni sekret në Panama. Anëtarë të tjerë të familjeve, përfshirë vëllain dhe dy motrat, kanë nën pronësi pesë kompani offshore me asete me vlerë 30 milionë dollarë.

Kenyatta dhe familja e tij nuk iu përgjigjën kërkesës për koment.

Kryeministri i Çekisë Andrej Babis, një nga njerëzit më të pasur të vendit të tij, u ngrit në pushtet duke premtuar se do të luftojë evazionin fiskal dhe korrupsionin. Më 2011, ndërsa ai u angazhua më shumë në politikë, Babis i tha votuesve se ai donte të krijonte një vend “ku sipërmarrësit do të bëjnë biznes dhe do të jenë të lumtur të paguajnë taksat.”

Dokumentet e rrjedhua tregojnë se, më 2009, Babis vendosi 22 milionë dollarë në një rrjet kompanish guackë për të blerë një pronë të madhe të njohur si Chateau Bigaud, në fshatin nëmajë të kodrës Mougins, Francë, pranë Kanës. Një vit më vonë, dokumentet franceze tregojnë se ai bleu përmes një kompanie tjetër guaskë në Monako, shtatë prona pak më larg kështjellës, përfshirë një vilë dykatëshe me pishinë dhe garazh.

Babis nuk e ka deklaruar pronësinë e të gjitha këtyre kompanive guackë dhe shëtpive në deklaratën e tij të pasurisë, gjë që është i detyruar ta bëjë si zyrtar publik, sipas dokumenetev të situruara nga Investigace.cz, partneri çek i ICIJ-së. Më 2018, një konglomerat pronash të patundshme i kontrolluar nga Babis me qetësi bleu kompanitë në Monako që kishin nën pronësi kështjellën dhe vilën.

Një zëdhënës për konglomeratin i tha ICIJ-së se kompania e respekton ligjin. Ai nuk iu përgjigj pyetjeve mbi blerjen e pronave të Babis. “Si çdo biznes tjetër, ne kemi të drejtë të mbrojmë sekretet tona të biznesit,” shkroi ai.

Babis nuk iu përgjigj pyetjeve për koment.

 

‘Një parajsë mashtrimesh’

Dokumentet sekrete ofrojnë një pamje nga pas perdes mbi prokurimet publike këtë vit, mbi pasurinë, pabaraziinë dhe arratisjet e pasurive në offshore – ndërsa qeveritë nëpër botë vuajnë me rënie të të ardhurave, një pandemi, ndryshimet klimaterike dhe krizë në besimin publik.

Në shkurt, një koment nga Instituti Për Ndryshim Global i Tony Blair, nxiti politikëbërësit të kërkojnë, mes të tjerash, taksa më të larta mbi tokën dhe shtëpitë. Blair, themeluesi i institutit dhe drejtori ekzekutiv, foli se si të pasurit dhe ata me lidhje kanë shmangur pagesën e pjesës së tyre të taksave së paku që nga viti 1994, kur ai bëri fushatë për t’u bërë udhëheqës i Mbretërisë së Bashkuar për Partinë Laburiste.

“Për ata që mund të punësojnë llogaritarët e duhur, sistemi fiskal është një parajsë mashtrimi, favorizimesh… dhe fitimesh,” tha ai gjatë një fjalimi në Ëest Midlands në Angli. “Ne duhet të mos i bëjmë rregullat tona fiskale një fushë loje për ata që shmangin të ardhurat dhe abuzuesit e taksave që paguajnë pak ose asgjë ndërsa të tjerët paguajnë më shumë se sa pjesa që u takon.”

Dokumentet e Pandorës tregojnë se më 2017, Blair dhe gruaja e tij, Cherie, u bënë pronarë të një ndërtese viktoriane me vlerë 8.8 milionë dollarë, e vlerë nga një kompani e regjistruar në Ishujt Virxhin Britanik që e kishte nën pronësi këtë ndërtesë. Ndërtesa në Londër tashmë shëben si zyrë për kompaninë ligjore të Cherie Blair.

Dokumentet tregojnë se Cherie Blair dhe bashkëshorti i saj, i cili shërbeu si diplomat në Lindjen e Mesme pasi ra si kryeministër në vitin 2007, bleu një kompani pronash të paluajtshme offshore nga familja e ministrit të industrisë dhe turizmit të Bahreinit, Zayed bin Rashid al-Zayani.

Duke blerë aksionet e kompanisë në vend të ndërtesës, familja Blair përfitoi nga rregullat fiskale që i shpëtoi ata nga detyrimi për të paguar më shumë se sa 400,000 dollarë taksë pronash.

Çifti Blair dhe familja al-Zayanis thanë se ata nuk kishin pasur dijeni për përfshirjen e njëri-tjetrit në marrëveshje.

Cherie Blair tha se bashkëshorti i saj nuk ishte i përfshirë në transaksion dhe se qëllimi i saj ishte “të sillte kompaninë dhe ndërtesën pas në sistemin rregullator dhe fiskal të Mbretërisë së Bashkuar.”

Ajo tha gjithashtu se ajo “nuk donte të ishte pronare e një kompanie në BVI” dhe se “shitësi për qëllimet e veta donte të shiste vetëm kompaninë.” Kompania tashmë ishte e mbyllur.

Përmes avokatit të vet, al-Zayanis thanë se “kompanitë e tyre respektonin të gjitha ligjet e Mbretërisë së Bashkuar, të shkuara dhe aktuale.”

“Këto vrima janë të disponueshme për njerëzit e pasur por nuk janë të disponueshme për të tjerët,” deklaroi për The Guardian Robert Palmer, drejtor ekzekutiv i Tax Justice UK. “Politikanët duhet ta rregullojnë sistemin fiskal në mënyrë që gjithësecili të paguajë aq sa i takon.”

Në qershor, ministri i ekonomisë i Brazilit, Paulo Guedes, propozoi një reformë fiskale që përfshinte një taksë 30% mbi fitimet e realizuara përmes kompanive offshore. Ekspertët vlerësojnë se njerëzit më të pasur të Brazilit kanë gati 200 miliardë dollarë në fonde të pataksuara jashtë vendit.

“Ti nuk duhet të kesh turp se je i pasur,” tha Guedes. “Ti duhet të kesh turp që nuk paguan taksa.”

Pasi bankierët dhe udhëheqësit e biznesit kundërshtan rritjen e taksave në ligj, Guedes, një milioner dhe ish-bankier, ra dakord të heqë taksën mbi fitimet nga kompanitë offshore. Negociatat mbi legjislacionin po vijojnë.

Dokumentet e Pandorës zbulojnë se Guedes krijoi Dreadnoughts International Group në vitin 2014 në BVI.

Në përgjigje të pyetjeve nga Revista Piauí, partneri i ICIJ në Brazil, një zëdhënës i Guedes tha se ministri e ka deklaruar kompaninë para autoriteteve braziliane. Zëdhënësi nuk ofroi dokumente për të konfirmuar këtë pretendim dhe nuk iu përgjigj pyetjeve mbi heqjen e taksës mbi fitimet offshore nga projektligji.

 

‘Kutia e Pandorës’

Në dhjetor 2018, Bahamasi miratoi një ligj që i kërkon kompanive dhe disa trusteve të caktuar të deklarojnë pronarët e vërtetë në një regjistër të qeverisë. Kombi ishullor ishte nën presion nga vendet më të mëdha, përfshirë SHBA-të, për të bërë diçka për të bllokuar ata që fshehin taksat dhe kriminelët nga sistemi financiar offshore.

Disa politikanë të Bahamasit e kundërshtuan ligjin. Ata u ankuan se regjistri do të shkurajojë klientët e pasur nga Amerika Latine nga të bërit biznes në Karaibe. “Fituesit e këtyre standardeve të dyfishta të reja janë Shtetet e Bashkuara, shteti i Delauares, Alaska dhe Dakota e Jugut,” deklaroi një avokat vendës.

Disa muaj më vonë, herët më 2019, familja e Carlos Morales, ish zëvendëspresidentit të Republikës Domenikane, i braktisi Bahamasit – ku kishin asete, përfshirë aksione në një kompani sheqeri – dhe zgjodhën një vend tjetër për të strehuar pasuritë e tyre.

Vendi i ri ishte 1600 milje larg: Sioux Falls, Dakota e Jugut.

Dokumentet e Pandorës ofrojnë detaje mbi dhjetëramiliona dollarë të lëvizura nga parajsat fiskale në Karaibe dhe Evropë për në Dakotën e Jugut, një shtet amerikan me densitet shumë të ulët popullsie që është bërë një destinacion madhor për asetet e huaja.

Familja Morales nuk iu përgjigj pyetjeve mbi zhvendosjen e aseteve të tyre nga Bahamas për në Dakotën e Jugut.

Përgjatë dekadës së fundit, Dakota e Jugut, Nevada dhe më shumë se një dyzinë shtetesh të tjera amerikane e kanë transformuar veten në lider të biznesit të manovrimit mes sekreteve financiare. Ndërkohë, shumica e përpjekjeve në politika apo në zbatim ligjesh në vendet më të fuqishme të botës janë përqendruar në parajsat fiskale “tradicionale”, të tilla si Bahamasi, Kajman e të tjerë.

Shtetet e Bashkuara janë një nga lojtarët më të mëdhenj në botën offshore. Por ky është gjithashtu vendi që ka më shumë mundësi t’i japë fund abuzimeve financiare offshore, falë rolit të stërmadh që luan në sistemin bankar ndërkombëtar. Për shkak të statusit të dollarit si monedhë de facto ndërkombëtare, shumica e transaksioneve ndërkombëtare hyn e del në operacionet bankare me bazë Nju Jorkun.

Autoritetet amerikane kanë vepruar përgjatë dy dekadave të fundit për t’i detyruar bankat në Zvicër dhe vende të tjera që të dorëzojnë informacionin që kanë për amerikanët me llogari bankare jashtë vendit.

Por SHBA është më e interesuar në detyrimin e vendeve të tjera të japin informacion mbi bankingun e amerikanëve offshore, se sa në shkëmbimin e informacionit për paranë që qarkullon përmes llogarive bankare, kompanive dhe trusteve amerikane.

SHBA-të refuzuan të bashkohen në një marrëveshje të vitit 2014, e cila është mbështetur nga më shumë se 100 juridiksione, përfshirë ishujt Kajman dhe Luksemburgu, që do t’i kërkonte institucioneve financiare amerikane të ndajnë informacionin që kanë mbi asetet e të huajve.

Ndërkohë, vit pas viti, ligjvënësit në nivel shteti të Dakotës së Jugut kanë miratuar ligje të hartuara nga personat e industrisë së trusteve, duke ofruar gjithnjë e më shumë mbrojtje dhe përfitime të tjera për klientët në SHBA dhe jashtë vendit. Asetet e klientëve në trustet e Dakotës së Jugut janë mëse katërfishuar përgjatë dekadës së fundit në 360 miliardë dollarë. Një nga kompanitë më të mëdha trust të këtij shteti thotë se ka klientë nga 54 shtete, 47 shtete amerikane, përfshirë edhe më shumë se 100 miliarderë.

“Si qytetare, unë jam kaq e trishtuar që ishte shteti im ai që hapi Kutinë e Pandorë,” thotë Susan Ëismer.

Nga viti 2020, 17 nga 20 juridiksionet që kanë ligjet më të çlirëta sa i përket fondeve trust, ishin shtete amerikane, sipas një studimi të kryer nga akademiku izraelit Adam Hofri-Ëinogradoë. Në shumë raste, thotë ai, ligjet në SHBA janë bërë për ta vështirësuar më tej për kreditorët procesin e marrjes së asaj që i detyrohen, përfshirë pagesat për mbështetjen e fëmijës nga prindërit që mungojnë.

Duke përdorur dokumente nga Dokumentet e  Pandorës, ICIJ dhe The Ëashington Post identifikuan gati 30 truste me bazë në SHBA të lidhura me të huaj të akuzuar personalisht për keqbërje apo kompanitë e të cilëve janë akuzuar për keqbërje. Mes tyre është Guillermo Lasso, një bankier dhe ish guvernator province në Ekuador, i cili u zgjodh president në prill. Të dhëna të rrjedhura tregojnë se Lasso krijoi truste në Dakotën e Jugut katër vjet më parë, pavarësisht raporteve në media se ai kishte përdorur kompani offshore për të fshehur aksionet në një bankë. Lasso nuk u akuzua për asnjë krim.

Lasso tha se përdorimi në të shkuarën prej tij i kompanive offshore ishte tërësisht i ligjshëm dhe se ai respekton ligjin e Ekuadorit që ndalon zyrtarët nga të pasurit nën pronësi të kompanive offshore.

Një tjetër nga Amerika Latine që ka krijuar një trust në Dakotën e Jugut është Federico Kong Vielman, familja e të cilit është një nga shtëpitë më të fuqishme të ekonomisë së Guatemalës. Në vitin 2016, Kong Vielman zhvendosi 13.5 milionë dollarë në një trust në Sioux Falls. Një pjesë e parave erdhi nga kompania e familjes së tij, e cila bën dyll për dyshemenë, të kuq buze dhe produkte të tjera.

Media e Guatemalës ka raportuar prej dekadash mbi lidhjen e familjes me politikën. Në vitet 1970 media e identifikoi këtë familje si një aleate e rëndësishme e gjeneralit Carlos Manuel Arana Osorio, ish diktatori i Guatemalës i njohur si “Çakalli i Zakapas.” Më 2016, hoteli luksoz i familjes në qytetin Guatemala bëri një dhuratë për Jimmy Morales, në atë kohë president, për të bujtur pqë 100 net. Media e Guatemalës raportoi se një pagesë e mundshme për “favore politike” dyshohej.

Në vitin 2014, zyrtarë të punës në Shtetet e Bashkuara dorëzuan një ankesë te qeveria e Guatemalës, e cila përfshinte aludimet se kompania e vajit të palmës së kësaj familjeje i paguante keq punëtorët dhe i ekspozonte ata ndaj kimikateve  toksike. Të dhënat e kompanisë tregojnë se Kong Vielman ka qenë më herët thesarmbajës i kompanisë.

Një vit më vonë, autoritetet mjedisore në SHBA, ndërsa ofronin asistencë teknike në Guatemala, zbuluan se kompania lëshonte ndotës në lumin Pasion. Kompania e familjes, Nacional Agro Industrial SA, e njohur si Naisa, nuk u akuzua.

Naisa i tha ICIJ-së se ajo ndiqte ligjin dhe nuk e ndoste lumin. Ankesa për punën u zgjidh nga një panel arbitrimi, tha kompania.

Kong Vielman refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve mbi trustin në Dakotën e Jugut.

Trustet e krijuara në SHBA janë të veshura me një pallto sekreti pavarësisht miratimit këtë vit të Ligjit për Transparencën e Korporatave, e cila e bën më të vështirë për pronarët e disa llojeve të caktuara të kompanive të fshehin identitetin e vet.

Ligji gjithsesi nuk pritet të zbatohet për ato lloje trustesh që janë të përdorura nga shtetasit joamerikanë. Një përjashtim tjetër habitës, thonë ekspertët e krimit financiar, është se shumë avokatë që krijojnë truste dhe kompani guackë nuk kanë detyrimin të ekzaminojnë burimet e pasurisë së klientëve të tyre.

“Dukshëm SHBA është një vrimë shumë e madhe në botë,” thotë Yehuda Shaffer, ish drejtues i njësisë së inteligjencës financiare të Izraelit. “SHBA po kritikon të gjithë pjesën tjetër të botës ndërsa vetë oborri i tyre i pasëm është një problem shumë serioz.”

‘Shpenzime të jashtëzakonshme’

Miliarderi Erman Ilicak ka një perandori ndërtimi që pati një vit të shkëlqyer më 2014.

Kompania turke e stërmadhe, Rönesans Holding, përfundoi ndërtimin e një pallati të ri presidencial me 1,150 dhoma për presidentin sherrxhi Recep Tayyip Erdogan, mes akuzave mediatike për tejkalime kostosh dhe korrupsion si dhe një urdhri gjykate që tentoi ta ndalojë projektin.

Një ngjarje tjetër familjen Ilicak ndodhi po atë vit, por kësaj here jashtë syve të publikut. Mamaja e pronarit të korporatës, 74 vjeçarja Ayse Ilicak, u bë pronare e dy kompanive offshore në Ishujt Virxhin Britanik, sipas Dokumenteve të Pandorës. Që të dyja kompanitë kishin drejtorë të emëruar si aksionerë, duke fshehur pronarët e vërtetë të kompanisë.

Një nga kompanitë, Covar Trading Ltd., kishte asete nga konglomerati ndërtimor i familjes, thonë dokumentet. Gjatë vitit të parë të operimit, Covar Trading fitoi 105.5 milionë dollarë të ardhura nga dividentet, sipas deklaratave financiare konfidenciale. Paratë u vendosën në një llogari në Zvicër.

Por nuk qëndruan për shumë kohë aty.

Në të njëjtin vit, tregon dokumenti, kompania pagoi pothuajse të gjithë shumën prej 105.5 milionë dollarësh si “donacion” dhe e renditi atë si “shpenzime të jashtëzakonshme.” Deklaratat financiare nuk thonë se kush i mori paratë.

Ilicak nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Ilicak dhe miliarderë të tjerë të Dokumenteve të Pandorës vijnë nga 45 vende, ku më të numërtit janë nga Rusia (52), Brazimi (TK) dhe India (TK).

Miliarderët amerikanë të përmendur në dokumentet sekrete përfshijnë dy mogulë të teknologjisë, Robert F. Smith dhe Robert T. Brockman, trusti i të cilëve ka qenë shënjestër e hetimeve penale. Të dy kanë qenë klientë të CILTrust, një kompani shërbimesh offshore në Belize, që operohet nga Glenn Godfrey, një ish prokuror i përgjithshëm i Belizesë.

Vitin e kaluar, Smith pranoi të paguajë në SHBA 139 milionë dollarë për të zgjidhur problemet me akuzat për evazion fiskal për një periudhë prej 15 vjetësh. Në të njëjtën ditë, një juri e madhe në SHBA akuzoi Brockman, mentorin dhe mbështetësin financiar të Smith, në atë që prokurorët e përshkruan si mashtrimi më i madh me taksat në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Smith refuzoi të komentojë. Brockman është deklaruar në gjyq i pafajshëm.

CILTrust dhe Godfrey nuk janë akuzuar për shkhelje. Godfrey nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Një kompani ligjore në Qipro, Nicos Chr. Anastasiades and Partners, shfaqet në Dokumentet e Panamasë si kompania kyçe offshore për rusët e pasur. Kompania mban emrin e themeluesit të saj, presidentit të Qipros Nicos Anastasiades, ndërsa dy vajzat e presidentit janë partnere atje.

Të dhënat tregojnë se më 2015, menaxheri i ankesave në Alcogal zbuloi se kompania qipriote ndihmonte një miliarder dhe ish senator rus, Leonid Lebedev, të fshihte pronësinë e katër kompanive duke shpallur punonjës të firmës si pronarë të kompanive të Lebedev.

Lebedev – një tajkun nafte dhe producent filmash me lidhje në Hollivud, – u arratis nga Rusia më 2016 pasi autoritetet e akuzuan për përvetësim të 220 milionë dollarëve nga një kompani energjie. Lebedev nuk iu përgjigj kërkesës për koment. Statusi i çështjes së ngritur në Rusi kundër tij është i paqartë.

Kompania ligjore përgatiti gjithashtu letra reference për manjatin rus të çelikut Alexander Abramov, përfshirë një të hartuar pak ditë pasi qeveria e Shteteve të Bashkuara e vuri miliarderin në listën e oligarkëve nën saksione si persona pranë presidentit Putin.

Lebedevi dhe Abramovi nuk iu përgjigjën kërkesave te ICIJ-së për koment.

Theophanis Philippou, drejtori menaxhues i firmës, i tha BBC, një partner i ICIJ, se kompania nuk i ka gënjyer kurrë autoritetet dhe as nuk ka fshehur identitetin e një pronari kompanie. Ai refuzoi të komentojë mbi klientët, duke invokuar të drejtën e konfidencialitetit avokat-klient.

Një rus tjetër në Dokumentet e Pandorës, i cili ka lidhje me Putinin është Konstantin Ernst, një producent ekzekutiv televiziv i nominuar për Oskar. Ai është quajtur prodhuesi kryesor i imazhit të Putinit, një talent krijues që ka shitur idenë se presidenti është “Shpëtimtari i Rusisë me vullnet të papërkulur”. Dokumentet e Pandorës zbulojnë se Ernst ka pasur shansin të marrë pjesë në një mundësi financiare shumë fitimprurëse shpejt pas prodhimit të ceremonive të hapjes dhe të mbylljes së Lojërave Olimpike Dimërore në Soku – gjë që ndihmoi në fuqizimin e reputacionit të Putinit brenda dhe jashtë vendit.

Ernst u bë partner i heshtur, i fshehur pas shtresave të shumta të kompanive offshore, në një kontratë masive privatizimi me burime shtetërore – një marrëveshje për të blerë dhjetra kinema dhe pronat përreth kinemave në qytetin e Moskës.

Dokumentet e rrjedhura tregojnë se në vitin 2019, vlera e paketës së aksioneve të Ernst në marrëveshje ishte 140 milionë dollarë.

Ernst nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

‘Mënyra jonë e jetës’

Si aktiviste e të drejtave të njeriut në luftë kundër varfërisë, Mae Buenaventura iu bashkua luftës për të siguruar kthimin e miliarda dollarëve të ish-diktatorit të filipineve Ferdinand Marcos, familjes së tij dhe ortakëve, para që ishin fshehur në llogari në Zvicër dhe në vende të tjera të vështira për t’u gjurmuar.

Shumë në vendin e saj, thotë Buenaventura, “e dinë se të pasurit kanë mënyra dhe mjete për të akumuluar pasuri dhe gjithashtu për ta fshehur atë në mënyra që njerëzit e zakonshëm nuk mund t’i kenë”.

Skandali i Marcos në fakt shërbeu për të edukuar botën, duke nxitur përpjekje për të zbuluar paratë e pista dhe për të ndëshkuar nejrëzit që i fshehin ato.

Përgjatë 20 viteve të fundit, udhëheqësit politikë janë betuar të “zhdukin” parajsat fiskale. Ata kanë cilësuar kompanitë guackë dhe pastrimin e parave si “kërcënime për sigurinë, demokracinë dhe mënyrën tonë të jetesës.” Ata kanë miratuar ligje të reja dhe kanë firmosur marrëveshje ndërkombëtare.

Por sistemi i taksave offshore nuk është asgjë nëse nuk arrin të përshtate ndërsa krimi ndërkufitar financiar, shmangia e taksave dhe pabarazia vijojnë të lulëzojnë.

Kur një ofrues offshore apo një juridiksion ekspozohet apo vihet nën presion nga autoritetet, të tjerë përdorin fatin e tij të keq si mundësi marketingu, duke rrëmbyer klientë që arratisen për në parajsa fiskale më të sigurta.

Pas publikimit të Dokumenteve të Panamasë, Trident Trust, një nga ofruesit më të mëdha të shërbimeve offshore, mori përsipër detyrën e agjentit të regjistruar për pothuajse 100 kompani që ishin shërbyer më herët nga Mossac Fonseka, kompania e goditur nga skandali.

Dokumentete e Pandorës tregojnë se një nga këto kompani ishte e kontrolluar nga  një trust offshore, rëve edhe gruan e Jacob Rees-Mogg, një anëtar i Partisë Konservatore Britanike dhe udhëheqës aktual në Dhomën e Depytetëve. Dokumentet tregojnë se kompania holding dhe një trust që përfitonte nga bashkëshortja e tij, Helena de Chair, kishte nën pronësi “piktura dhe tablo” me vlerë 2.5 milionë dollarë.

Dokumentet tregojnë se Trident Trust ndihmuan gjithashtu të venë dhe dy djemtë e një figure të botës së krimit në indi, Iqbal Memom, për të shkëputur marrëdhëniet mes kompanive të tyre offshore dhe Mossack Fonsecas. Memon është identifikuar në lajme si një tregtar i madh droge me lidhje me terroristët. E veja dhe fëmijët e tij akuzohen për pastrimin e parave të drogës dhe kanë qenë në kërkim që nga viti 2019 nga autoritetet në Nju Dehli.

Në tërësi, rishikimi nga ICIJ i Dokumenteve të Pandorës zbuloi se ofruesit e shërbimeve offshore kapën së paku klientët që ikën nga Mossack Fonseca pas publikimit të Dokumenteve të Panamasë.

Në Filipine, paratë që lëvizen rrotull në hije vijojnë të jenë një problem, pavarësisht vëmendjes së ka tërhequr pasuria e vjedhur e Marcos offshore. Gjatë viteve të fundit, Departamenti Amerikan i Shtetit ka etiketuar Filipinet si një juridiksion i rëndësishëm në fushën e pastrimit të parave.”

Figurat politike dhe të biznesit në Filipine në Dokumentet e Pandorës përfshijnë Juan Andres Donato Bautistan.  Ai shërbeu nga viti 2010 deri më 2015 si kryetar i Komisionit Presidencial për Qeverisje të Mirë – paneli i krijuar për të gjurmuar miliardat e Marcos.

Një muaj pasi ai u emërua kryetar i komisionit, Bautista krijoi një kompani guackë në BVI, sipas dokumenteve të rrjedhura. Kompania, Baumann Enterprises Ltd., kishte një llogari bankare në Singapor.

Bautista më vonë u përcaktua të drejtojë agjencinë elektorale të vendit, por ligjvënësit e hetuan atë më 2017 pasi gruaja pretendoi se kishte fshehur miliona dollarë në llogari bankare të padeklaruara brenda dhe jashtë vendit.

Në një bisedë telefonike me ICIJ, Bautista tha se ai krijoi kompaninë e tij në BVI me këshillën e bankierëve. Ai e deklaroi atë te autoritetet e Filipineve dhe llogaria nuk ka marë kurrë depozita në përmasa domethënëse, tha Bautista. Bautista mohoi të ketë bërë shkelje dhe tha se nuk ka pasur akuza formale kundër tij. Akuzat kundër tij u bënë, pjesërisht, nga familja Marcos dhe mbështetësit e tyre, tha ai.

“Ti je ai që po kërkon pasuritë e vjedhura, atëhere ne të akuzojmë ty për pasuri të vjedhura,” tha ai se kishte menduar.

Trident Trust, ofruesi i shërbimeve offshore që ndihmoi Bautistën, krijoi gjithashtu një kompani sekrete në BVI për sekretarin e transporteve të Filipineve, Arthur Tugade, i cili mbajti në të 1.5 milionë dollarë kursime. Tugade, një milioner që u bashkua me qeverinë e presidentit të vijës së ashpër Rodrigo Duterte më 2016, nuk e ka deklaruar pronësinë e kompanisë në deklaratat e pasurisë.

Pavarësisht dështimit nga Filipinet dhe kombet e tjera që të pakësojnë rrjedhjen e parave të fshehta, Buenaventura dhe avokatë të tjerë të reformës thonë se ka arsye për shpresë.

Protestuesit ndihmuan në rrëzikin e udhëheqësve kombëtarë në Islandë dhe Pakistan pas publikimit të Dokumenteve të Panamasë. Filipinet i janë bashkuar dhjetëra vendeve të tjera që tashmë i kërkojnë kompanive të deklarojnë pronarët e tyre të vërtetë. Autoritetet në Filipine kanë rikuperuar afërsisht 4 miliardë të vjedhura nga Marcos dhe rrethi i tij, duke i përdorur ato para për të blerë tokë për fshatarët pa tokë dhe për të kompensuar familjet e viktimave të vrasjeve dhe “zhdukjeve të detyruara” të regjimit të Marcos.

Megjithatë mbeten ende shumë pengesa. Bankat e mëdha, kompanitë ligjore dhe grupe të tjera të fuqishme shpesh kundërshtojnë rregullat më të forta të transparencës dhe zbatimin më të rreptë të ligjeve kundër abuzimeve offshore. Dhe në Filipine dhe vende të tjera, aktivistët antikorrupsion durojnë kërcënime ligjore, arrestime dhe dhunë.

Muajin e kaluar policia goditi me ujë me presion protestuesit që shënuan 49 vjetorin e shpalljes së ligjit të luftës nga MArcos, duke tërhequr vëmendjen te ngjashmëritë mes tij dhe sundimit të Dutertes sot.

Buenaventura tha se ajo dhe aktivistë të tjerë do të vijonë të punojnë për të ekspozuar pasurinë që është “fshehur thellë”.

“Slogani ynë është: e vërteta do të dalë.”

—————

Kontribues: Scilla Alecci, Michael W. Hudson, Will Fitzgibbon, Agustin Armendariz, Sydney P. Freedberg, Margot Gibbs, Malia Politzer, Delphine Reuter, Serdar Varder and Pelin Ünker (DW Turkey), Elyssa Christine Lopez and Karol Ilagan (Philippine Center of Investigative Journalism), Pavla Holcová (Investigace, Czech Republic), Hala Nassredine (Daraj, Lebanon), Allan de Abreu (Rivista Piauí, Brazil), Leo Sisti (L’Espresso, Italy), Simon Goodley (The Guardian, U.K.), Ritu Sarin (The Indian Express), Nassos Stylianou (BBC, U.K.), Francisco Rodriguez and Enrique Naveda (Plaza Pública, Guatemala), Debra Cenziper (Washington Post, U.S.), Emilia Díaz-Struck, Gerard Ryle, Ben Hallman, Dean Starkman, Fergus Shiel, Jelena Cosic, Spencer Woodman, Brenda Medina, Maggie Michael, Richard H.P. Sia,  Kathleen Cahill, Joe Hillhouse, Mia Zuckerkandel, Asraa Mustufa, Hamish Boland-Rudder, Miguel Fiandor Gutiérrez, Pierre Romera, Madeline O’Leary, Tom Stites, Kathryn Kranhold, Margot Williams, Antonio Cucho Gamboa, Soline LedésertMiguel Fiandor, Bruno Thomas, Anne L’Hôte, Madeline O’Leary, Maxime Vanza Lutaonda, Denise Hassanzade Ajiri, Jesús Escudero, Marcos García Rey, Mago Torres, Karrie Kehoe, Sean McGoey, Anisha Kohli, Fakhar Durrani,  Carlos Monteiro, Douglas Dalby and Laura Bullard.