Lajm27 Sep 2019

Parlamenti gjerman mbështet fillimin e bisedimeve me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut

Deputetët gjermanë të enjten votuan me shumicë për caktimin e një date fillimi për bisedimet e pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, edhe pse vendimi përfundimtar i takon Këshillit Europian në tetor.

Autor: Sinisa Jakov Marusic BIRN Shkup
Printo

Bundestagu gjerman. Foto: Pixabay.

Në një nxitje të madhe për shpresat e anëtarësimit në BE të të dy vendeve të Ballkanit, Bundestagu gjerman votoi të enjten në mbrëmje për të mbështetur fillimin e bisedimeve të pranimit në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Votimi do të thotë që qeveria gjermane duhet të jetë “në favor” e një date fillimi për të dy vendet në mbledhjen e Këshillit Europian më 17-18 tetor.

Një shumicë deputetësh, 476, votuan pro hapjes së negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut ndërsa 122 ishin kundër dhe 16 abstenuan. Për Shqipërinë, 395 deputetë mbështetën fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, 188 ishin kundër ndërsa 16 abstenuan.

Deputetët nuk vendosën kushte për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut. Legjislatorët nga Partia Demokratike e Krishterë e qendrës së djathtë në pushtet shprehën mbështetje për përpjekjet e vendit, duke përmendur marrëveshjen historike të “emrit” të vitit 2018 me Greqinë, si një arritje shembullore për të gjithë rajonin.

Maqedonisë së Veriut iu kërkua të vazhdojë rrugën e saj të reformave, veçanërisht në sferën e sundimit të ligjit, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit dhe të drejtave të njeriut.

Sa i përket Shqipërisë, Bundestagu rekomandoi caktimin e një datë për fillimin e bisedimeve, por kushtëzoi fillimin e tyre teknik që Shqipëria në fillim të krijojë kushtet që Gjykata e saj Kushtetuese të funksionojë dhe të reformojë ligjet e saj zgjedhore.

Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn e përshëndeti votimin “Po”. “Njohja e progresit konkret është thelbësore si nxitje për reformat në Ballkanin Perëndimor dhe për besueshmërinë e BE-së!”, shkroi Hahn në Twitter të enjten në mbrëmje.

Vendimi në Berlin do të rrisë shpresat e qeverive në Shkup dhe Tiranë, të cilat kishin shpresuar të merrnin një datë të vendosur për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE para fundit të vitit.

Megjithatë, ata duhet të përballen ende me rezervat e Francës, Holandës dhe disa vendeve të tjera të BE-së që kanë kritikuar sidomos rezultatet e dobëta të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe trafikimit të drogës.

Fillimisht, Këshilli Europian do të vendoste një datë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në qershor, pasi Komisioni Europian në maj i rekomandoi BE-së që të hapte bisedimet e anëtarësimit me të dy vendet.

Por, për shkak të skepticizmit të zgjerimit dhe dështimit të Bundestagut gjerman në qershor për të marrë ndonjë vendim për të mbështetur një datë fillimi, çështjet u shtynë për në vjeshtë.