Koalicioni qeverisës votoi natën e kaluar ligjin e shumëdebatuar pas nëntë orësh diskutimesh ndërsa studentët e Lëvizjes Për Universitetin njoftuan se do të organizojnë protesta të tjera në shtator.
Parlamenti e votoi ligjin e propozuar nga qeveria në orën 2.30 të mëngjesit pasi debatoi për nëntë orë në një seancë plenare që pa pothuajse të gjithë deputetët duke mbajtur fjalime në mbështetje apo në kritikë të ligjit. Jashtë parlamentit, disa dhjetëra të rinj, profesorë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut protestuan kundër ligjit për të cilin thonë se është një sulm që synon shkatërrimin e universiteteve publike në vend.
Ligji i ri hap mundësinë që universitetet private të deklarojnë veten universtete publike dhe si të tillë, të përfitojnë financime shtetërore të cilat do të mund t’i ndahen atyre nga buxheti i shtetit në forma të ndryshme, si psh, fonde për kërkim shkencor. Shumë profesorë nga universitetet publike e kritikuan ligjin si një hap prapa për autonominë universitare duke thënë se ai në praktikë rrit mundësinë e ndërhyrjes së shtetit në jetën akademike.
Ndërkohë, grupimi i majtë i quajtur Lëvizja për Universitetin, protestoi kundër ligjit duke kërkuar arsim të lartë falas për të gjithë. Duke iu përgjigjur protestës së tyre, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla tha: “Nuk mund të na ndalë një grup i vogël që përpiqen të shantazhojnë Kuvendin se nëse kalon ky projektligj sot, atëherë është fundi i arsimit të lartë. Të nderuar profesorë dhe pedagogë, më keq se ç’ka qenë dhe ç’e keni bërë nuk do të bëhet më”.
Kryeministri Edi Rama i hodhi poshtë kritikat duke i quajtur protestuesit një sajesë e opozitës dhe i quajti profesorët që e kritikojnë atë: “Një kastë që ka marrë peng universitetin shtetëror.”
“Çfarë janë këta super profesorë që tani na kanë bërë një superpeticion dhe kanë bërë një superalarm për të denoncuar një superskandal, dhe kush është skandali?” pyeti veten Rama. “Skandali është ai që në fakt ne e kemi kërkuar me qiri; Të shkatërrojmë këtë kastë që ka marrë peng universitetin shtetëror dhe e ka kthyer në një banalitet prej 20 e kusur vitesh!” tha ai.
“Për mua të ndash universitetin shtetëror, sepse nuk është as publik, si të nënës dhe privatin si të njerkës dhe të bësh këtë zgjedhje politike, është t’i përkasësh një bote që nuk ekziston,” tha Rama, duke argumentuar se profesorët që e kritikojnë ligjin japin leksione në shumë universitete njëherësh dhe kanë tituj shkencorë qesharakë.
Artan Fuga, një nga profesorët kryesorë që kritikon ligjin, iu përgjigj Ramës në faqen e tij në Facebook: “Unë nuk i përkas asnjë partie politike dhe asnjë kaste universitare,” tha Fuga. “Si t’ja bëj që edhe unë mendoj dhe kam bindjen e plotë se projektligji për arsimin e lartë është antikushtetues dhe do e falimentojë atë?”
Partia Demokratike në opozitë, e cila është përgjegjëse për licencimin apo lejimin e punës pa licencë të dhjetëra universiteteve private përgjatë dekadës së fundit, e kritikoi ligjin duke argumentuar se ai i mbyll dyert e universiteteve për fëmijët e të varfërve. Opozita theksoi faktin se shumë profesorë universiteti e kanë kritikuar ligjin pavarësisht se kanë lidhje me qeverinë. Njëri nga deputetët e opozitës, Edi Paloka, tregoi një bisedë të regjistruar ku Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës Ligor Nikolla dëgjohet duke shprehur dyshime të thella mbi ligjin.
Duke theksuar faktin që dekani Nikolla është bashkëshorti i ministres së Arsimit, Pakola tha: “Qytetarë të dashur, kur këta njuk kanë arritur t’i mbushin mendjen atyre që kanë në shtëpi, imagjinoni se çfarë u servirin shqiptarëve.”
Ligji u miratua me 78 vota pro.
Lëvizja Për Universitetin njoftoi se do t’i përshkallëzojë protestat e saj në shtator.