Lajm27 Jul 2020

Partia Socialiste tërhiqet nga shkarkimi i Metës si president

Pas një hetimi njëvjeçar mbi atë që e quanin sjellje antikushtetuese të presidentit të zgjedhur nga ata vetë, deputetët e Partisë Socialiste votuan për mosshkarkimin e Ilir Metës si president të hënën, në një vendim me vlerë simbolike sepse një shkarkim i mundshëm i Metës prej tyre do të duhej gjithsesi të konfirmohej nga një gjykatë kushtetuese që për momentin nuk është funksionale.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri Edi Rama duke folur në Kuvend më 5 Mars 2020. Foto: Malton Dibra/LSA

Deputetët e Partisë Socialiste u tërhoqën nga tentativa e tyre për shkarkimin e Ilir Metës si president, duke votuar formalisht një raport në të cilin argumentohet se Meta ka shkelur kushtetutën por se shkeljet nuk janë të mjaftueshme për të sjellë shkarkimin e tij. Raporti i mosshkarkimit u miratua me 78 vota pro dhe 17 kundër.

Socialistët krijuan një komision hetimor një vit më parë pasi Meta vendosi të anulojë zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2017, vendim që u injorua nga shumica socialiste. Vendimi i mosshkarkimit mbart gjithsesi vlerë simbolike sepse një vendim shkarkimi i presidentit nga ana e parlamentit do të duhej të konfirmohej si i vlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, e cila aktualisht nuk është në gjendje të marrë vendime.

Socialistët u detyruan të ndryshojnë qëndrim në lidhje me Metën pasi një kërkesë drejtuar Komisionit të Venecias solli një përgjigje që binte ndesh me dëshirën e deklaruar të socialistëve për shkarkim. Venecia i rikujtoi socialistëve se ata sakaq kontrollojnë pushtetin ekzekutiv, parlamentin dhe pushtetin vendor dhe se duhej të gjykonin nëse një shkarkim i presidentit dhe zëvendësim i tij me një president socialist do të sillte zbutje apo acarim të tensioneve politike në vend.

“Ekspertët kushtetues të Këshillit të Europës të Komisionit të Venecias konkludojnë se ndonëse presidenti mund të ketë vepruar përtej fuqive të tij kushtetuese, ka tregues se aktet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre të tillë që të justifikojnë një shkarkim,” deklaroi Komisioni i Venecias në tetor 2019.

Socialistët pranuan këtë konkluzion tetë muaj më vonë. [Link]

Meta u zgjodh president nga votat e Partisë Socialiste në vitin 2017, por partia e tij, Lëvizja Socialiste për Integrim, ra në opozitë pak muaj më vonë dhe Meta ka akuzuar që nga ajo kohë Ramën se dëshiron të kapë të gjitha pushtetet ndërsa Rama dhe socialistët kanë akuzuar Metën se po shkel kushtetutën.

Në nëntor 2018 Meta refuzoi të dekretojë Sandër Lleshajn, një ish-gjeneral i ushtrisë në postin e Ministrit të Brendshëm, duke rikujtuar kriterin kushtetues se ministria e brendshme dhe ajo e mbrojtjes duhet të drejtohen nga civilët.

Në janar 2019, Meta refuzoi të dekretojë Gent Cakën si Ministër i Jashtëm, ndonëse kushtetuta dukshëm nuk i jep një kompetencë të tillë. Problemi është që një Gjykatë Kushtetuese, e cila duhej të zgjidhte mosmarrëveshje të kësaj natyre, nuk funksionon për shkak se procesi i vetingut ka shkarkuar shumicën dërrmuese të anëtarëve ndërsa procesi i zëvendësimit të tyre ka rezultuar i komplikuar.